Si të siguroheni?
Skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor synon mbulimin shëndetësor të popullatës, përmes këtyre parimeve:
» Sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar;
» Solidaritetit;
» Aksesit të barabartë për të gjithë shtetasit;
» Efikasitetit dhe cilësisë në financimin e shërbimeve shëndetësore;
» Zgjedhjes së lirë të mjekut;
» Partneritetit (blerës–dhënës–përfitues)
Në bazë të ligjit nr. 10 383, date 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, masa e kontributit të sigurimit të detyruar shëndetësor është 3,4 për qind e bazës për llogaritjen e kontributeve.
Për të punësuarit, kontributet paguhen, në masën 50 % (pesëdhjetë për qind) nga punëdhënësi dhe në masën 50 % (pesëdhjetë për qind) nga i punësuari. Si bazë për llogaritjen e kontributit shërben paga bruto e personit të siguruar.
Kontributi i shtetit për personat ekonomikisht joaktivë bazohet në konsumin për frymë të shërbimit shëndetësor, indeksuar me koeficientin e inflacionit. Konsumi për frymë për shërbimin shëndetësor përcaktohet nga Fondi dhe miratohet nga Kuvendi, së bashku me miratimin e buxhetit vjetor.
Ndërkohë që baza për llogaritjen e kontributit për punonjësit e vetëpunësuar është dyfishi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve. Paga minimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve për të vetëpunësuarit në qytet dhe në fshat, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për sigurimet shëndetësore vullnetare, baza e llogaritjes së kontributit është dyfishi i pagës minimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve.
Mbledhja e kontributeve bëhet nga organet tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi në Shqipëri.
Identifikimi i personave të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor bëhet me anë të dokumentit të identifikimit, nëpërmjet shërbimit të regjistrit elektronik të të siguruarve të fondit ose portalit e-Albania.
Karta e shëndetit është dokumenti që vërteton se mbajtësi i saj është person i siguruar, sipas ligjit nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Karta e shëndetit është personale dhe e patjetërsueshme. Ajo përmban numrin e identitetit të personit, i cili është edhe numri i sigurimit shëndetësor të detyruar. Për të huajt, si numër i sigurimit shëndetësor të detyruar do të shërbejë numri i lejes së qëndrimit ose i lejes provizore të qëndrimit.
Pra, nëse jeni pensionistë, invalidë, veteranë, të punësuar, të vetëpunësuar, të siguruar vullnetarisht, fëmijë, gra shtatzëna, persona që trajtoheni me ndihmë ekonomike, punëkërkues etj, me anë të kartës së shëndetit mund të përfitoni nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke filluar nga recetat e rimbursueshme, shërbimi te mjeku i familjes, te mjeku specialist, në qendrat spitalore, pra në të gjithë sistemin tonë shëndetësor publik.
Regjistrimin dhe identifikimin e personave të siguruar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor
Sigurimit Shëndetësor Vullnetar