Nga data 18 deri më 20 Prill 2016, u zhvillua në Gjermani takimi i radhës ndërmjet grupeve teknike shqiptare dhe atyre gjermane, në kuadër të Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, firmosur më 23 Shtator 2015. Në këte takim u diskutua dhe u aprovua Marrëveshja Administrative për mbrojtjen shoqërore dhe shëndetësore ndërmjet dy vendeve, si dhe formularët që do shërbejnë në fazën e implementimit të saj.
Kjo Marrëveshje ka si qëllim, njohjen e kontributeve të paguara nga shtetasit e dy vendeve, duke bërë që asnjë periudhë sigurimi të mos humbasë, por të llogaritet si vjetërsi pune, për të përfituar një pension maksimal.
Marrëveshja në fjalë do t’u vijë në ndihmë sidomos shtetasve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, të cilët janë një një numër të konsiderueshëm, duke garantuar kështu të drejtat e tyre mbi punësimin dhe kontributet e dhëna.
Pjesë e delegacionit shqiptar në këtë takim ishin përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Raundi tjetër i negociatave do të zhvillohet në fund të Muajit Shtator të këtij viti, I cili pritet të finalizojë këtë Marrëveshje për t’i hapur rrugë zbatimit të saj.