Dje,me dt. 09.09.2015  në ambientet e Sheraton Tirana u zhvillua takimi “në mbrojtje të shëndetit të qytetarit, kundër informalitetit” me punonjës e drejtues të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe përfaqësues të grupeve të interesit. Në takim mori pjesë edhe Kryeministri, z. Edi Rama dhe Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj. Në takim morën pjesë dhe përfaqësues të FSDKSH.

Kryeministri Rama u shpreh në fjalën e tij për luftën kundër informalitetit në shëndetësi se nuk është luks, por një domosdoshmëri për të bërë të mundur që falë kontributeve që secili i detyrohet shtetit, shteti të investojë shumë më tepër, që të ketë shumë më tepër mundësi në shërbimin shëndetësor.

Është e paimagjinueshme se si farmacitë, dentistët apo të tjerë operatorë privatë, mund të operojnë në informalitet, në zinxhirin e hajdutërisë ndaj konsumatorit dhe shtetit bashkë. Lufta kundër informalitetit në shëndetësi është një domosdoshmëri dhe suksesi ynë i përbashkët në këtë betejë do të sjellë barna dhe materiale mjekësore shumë më të sigurta, shërbime shumë më cilësore publike si edhe mundësi të reja për investime në qendra shëndetësore e spitale.

Për me tepër informacion vizitoni linkun e mëposhtëm:

Ministria e Shëndetësisë

 

Publikuar nga Ministria e Shëndetësisë

1/6/2015-30/8/2015 → 24 047 RASTE TЁ TRAJTUARA NЁ 22 QSH-TЁ E POSAÇME TЁ SEZONIT VEROR


Pёr përiudhёn 1 qershor – 30 gusht 2015, janё kryer gjithsej:

22 047 vizita mjekёsore nё 22 QSH-tё e posaçme tё sezonit veror, prej tё cilave:

16 984 – Vizita mjekësore;

10 575 – Mjekime lokale;

  2 665 – Ndёrhyrje mikrokirurgjikale;

     814  – Referime në spital.

Këto qendra, tё cilat funksionojnë me shërbim 24 orë, me mjek dhe infermier, janё tё shtrira në të gjithë vendin; 19 përgjatë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil dhe 3 të tjera në Alpe (Valbonë, Razëm, Theth) ofrojnë shërbim mjekësor të shpejtë dhe efikas, 24 orë në 7 ditë të javës, deri në fund të muajit gusht. Qendrat janë të pajisura me një set standard mjetesh mjekësore. Po ashtu, ato janë furnizuar me barna dhe materiale të nevojshme mjekësore.

Publikuar nga Ministria e Shëndetësisë

1 QERSHOR – 2 GUSHT 2015 -> 11 194 RASTE TЁ TRAJTUARA NЁ 22 QSH-TЁ E POSAÇME TЁ SEZONIT VEROR

Pёr përiudhёn 1 qershor – 2 gusht 2015, janё kryer gjithsej:

11 194 vizita mjekёsore nё 22 QSH-tё e posaçme tё sezonit veror, prej tё cilave:

67,6% – Vizita mjekësore;

27,1% – Mjekime lokale;

  8,0% – Ndёrhyrje mikrokirurgjikale;

  3,8% – Referime në spital.

Këto qendra, tё cilat funksionojnë me shërbim 24 orë, me mjek dhe infermier, janё tё shtrira në të gjithë vendin; 19 përgjatë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil dhe 3 të tjera në Alpe (Valbonë, Razëm, Theth) ofrojnë shërbim mjekësor të shpejtë dhe efikas, 24 orë në 7 ditë të javës, deri në fund të muajit gusht. Qendrat janë të pajisura me një set standard mjetesh mjekësore. Po ashtu, ato janë furnizuar me barna dhe materiale të nevojshme mjekësore.

Dita Boterore e Hepatitit – 28 Korrik 2015

Tema për këtë vit për Ditën Botërore të Hepatitit është “Parandalo hepatitin.Vepro tani!”. Hepatiti viral shkaktohet nga 5 viruse të ndryshme. Infeksioni nga këto viruse rezulton në vdekjen e gati 1.45 milion njerëzve në një vit. Këto viruse transmetohen nëpërmjet ujit dhe ushqimit të kontaminuar, gjithashtu dhe nga kontakti me gjakun apo fluidet e tjera të trupit, nëpërmjet injeksioneve apo transfuzioneve jo të sigurta. Infeksioni kalon dhe nga nëna tek fëmija, ose nëpërmjet kontaktit seksual. Infeksioni nëpërmjet këtyre rrugëve të transmetimit mund të parandalohet nga disa intervente të testuara dhe mjaft efektive. Është e rëndësishme për gjithsecilin që të jenë të kujdesshëm dhe të mësojnë si të mbrohen nga infektimi me virusin e hepatitit.

Në ditën Botërore të Hepatitit, 28 Korrik 2015, OBSH dhe partnerët e tjerë do të nxisin politikëbërësit, punonjësit e shëndetësisë dhe publikun e gjerë të veprojnë tani që të parandalojnë infeksionin dhe vdekjet nga hepatiti.

Hepatiti Viral – një grup sëmundjesh  infektive të njohur si hepatiti A, B, C, D, dhe E – prek qindra million njerëz në mbarë botën, që shkaktojnë sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë e cila çon në vdekje rreth 1.5 milion njerëz çdo vit, vdekje të shkaktuara kryesisht nga  hepatiti B dhe C. Këto infeksione mund të parandalohen, por shumica e njerëzve nuk kanë informacion si ta bëjnë këtë.

Në ditën e Botërore të Hepatitit, evente të ndryshme zhvillohen në mbarë botën duke u fokusuar në parandalimin e hepatitit B dhe hepatitit C.

Në Ditën Botërore të Hepatitit, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ka ndjekur nga afër testimin vullnetar të qytetarëve për këtë virus në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr. 3 të Tiranës.

Në kuadër të aktiviteteve ndërgjegjësuese në këtë ditë dhe gjatë gjithë javës në vijim, Instituti i Shëndetit Publik, ndërmjet aktiviteteve të tjera ndërgjegjësuese për të parandaluar, diagnostikuar dhe trajtuar hepatitin viral, po kryen edhe promovimin e testimit vullnetar të virusit të hepatitit në tre qendra shëndetësore të Tiranës dhe në disa QSH në Korçë, Vlorë dhe Elbasan.

Data 28 Korrik është zgjedhur si Dita Botërore e Hepatitit në nder të ditës së lindjes së Profesorit dhe Nobelistit Baruch Samuel Blumberg, zbulues i virusit së hepatitit B dhe zbulues i vaksinës së parë për hepatitin B.

Disa fakte:

1.45 milion Numri i vdekjeve cdo vit nga hepatiti viral. 81%

Përqindja e fëmijëve të vaksinuar dhe të mbrojtur nga ineksioni i hepatitit B në mbarë botën.

2 milion

Numri i infektimeve me hepatit B dhe hepatit C të transmetuara nga injeksione jo të sigurta, në harkun kohor të një viti.

MESAZHET KYÇE NË DITËN BOTËRORE TË HEPATITIT 2015
Parandalo Hepatitin – njihu me risqet

Gjak dhe injeksione jo të sigurta si edhe përdorimi i pajisjeve të injeksionit te medikamenteve që ndahen me të tjerët mundet të rrezultojnë të gjitha në infeksion me hepatit.

Parandalo Hepatitin – kërko injeksione të sigurta

2 milion njerëz në harkun e një viti infektohen nga hepatiti nga injeksione jo të sigurta. Përdorimi i shiringave sterile dhe një përdorimshe është një masë parandaluese.

Parandalo Hepatitin – vaksinimi i fëmijëve

Përafërsisht 780  000 persona vdesin çdo vit nga infeksioni me hepatit B. Një vaksinim i sigurt dhe efektiv  ështe masë mbrojtëse për hepatitin B që vlen për gjatë gjithë jetës së një individi.

Parandalo Hepatitin – bëj analizat, merr mjekim

Medikamentet efektive për trajtimin e hepatitit B dhe kura për hepatitin C, ekzistojnë. Të cilat mund ti gjeni dhe në Listën e Barnave të Rimbursueshme. Listën e gjeni të bashkëngjitur më poshtë.

Parandalo Hepatitin Pdf

Terapi per hepatitin- Lista e Barnave Pdf

Informacion i zgjeruar – ISHP

 

Rritet transparenca, ja pikat e kontratës që ndryshojnë.

Kontratat e përmirësuara me FSDKSH hyjnë në fuqi më 1 gusht 2015

Tiranë, 24.07.2015 – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ka rishikuar rregulloren e të gjithë proçedurës së rimbursimit të barnave, duke vendosur elementë të rinj transparence për të gjitha hallkat e procesit. Rregullat e reja janë reflektuar edhe në kontratat me depot dhe farmacitë për vitin 2015. Shtojcat e kontratës u miratuan në mbledhjen e datës 24.07.2014 të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së dhe do të hyjnë në fuqi duke filluar nga data 1 gusht 2015.

Masat e reja të parashikuara në kontratë janë një hap cilësor drejt rritjes së shkallës së transparencës dhe parandalimit të mundësive për abuzime me barnat e rimbursueshme.

Ndryshimet e miratuara reflektojnë konstatimet e Njësisë Anti-Korrupsion pranë Këshillit të Ministrave, që synojnë shmangien e çdo mundësie për rimbursimin e recetave që nuk janë të plotësuara në mënyrë të saktë, si nga pikëpamja formale, ashtu edhe përsa i përket përmbajtjes së tyre.

Në ndryshim nga kontrata e mëparshme, e cila parashikonte një afat 48-orësh, brenda të cilit, farmacia mund t’i merrte recetat, t’i korrigjonte dhe t’i kthente përsëri në Drejtorinë Rajonale përkatëse të Fondit, me qëllim shmangien e abuzimeve të mundshme, kjo pikë e kontratës është hequr. Pra, me kontratat e reja, nuk parashikohet mundësia e kthimit të recetave për korigjime. Në rast se receta do të ketë parregullsi, ajo nuk do të rimbursohet.

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm lidhet me fenomenin e zgjidhjes dhe rilidhjes së kontratave, pasi u konstatua se shumë subjekte bënin zgjidhje kontrate dhe rilidhje të tyre pas disa ditësh, një praktikë abuzive kjo, për të humbur gjurmën e kontrolleve me inventarizim. Me rregullat e reja, hiqet koncepti i zgjidhjes së kontratës me marrëveshje të palëve. Në rast se subjekti zgjidh kontratën, ai nuk do të ketë më të drejtë ta rilidhë atë për një periudhë 1-vjeçare.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe futja e konceptit të fatures tatimore. Deri më sot, nuk është kërkuar prerja e një fature tatimore nga subjektet, ndonëse ka edhe raste që farmaci të konsoliduara e depozitojnë një dokument të tillë. Me kontratat e reja, fatura tatimore është, tashmë, një detyrim ligjor.

Për të rritur shkallën e transparencës së verifikimit të recetave me rimbursim, në drejtoritë Rajonale të Fondit do të gjurmohet lëvizja e dosjes  së çdo subjekti farmaceutik nga njëri kontrollor, tek tjetri.

Kontratat e përmirësuara synojnë rritjen e transparencës në çdo hallkë të procesit të rimbursimit, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm me listën e barnave të rimbursueshme.