Paketa e shërbimeve shëndetësore

fotoPaketaShendetesoreSkemaPrej vitit 2015, pacientët shqiptarë përfitojnë paketat shëndetësore të nefrologjisë dhe kardiokirurgjisë pa pagesë, si në spitalet publike, ashtu edhe në ato jopublike. Më konkretisht, bëhet fjalë për 10 shërbime spitalore:

  • Dializa
  • Transplanti i veshkave
  • Terapia e flakjes akute
  • Pacemaker definitive
  • Angiografi koronare
  • Angioplastikë koronare
  • Interventet valvolare
  • Interventet kongenitale
  • By pass koronar
  • Implanti koklear për fëmijët me probleme dëgjimi

Këto paketa financohen 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe zbatohen në bazë të protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Financimi dhe realizimi i këtyre ndërhyrjeve kryhet fillimisht në sektorin publik. Por për shkak se sëmundjet e  veshkave dhe ato kardiokirurgjike  janë me incidencë të lartë, edhe nevojat e popullatës për këto ndërhyrje nuk arrijnë të plotësohen nga spitalet publike, për këtë arsye, rastet që janë përtej kapaciteteve të institucioneve shëndetësore publike, FSDKSH i financon këto paketa edhe në spitalet jopublike me kontratë me Fondin. Pacientët e përfitojnë shërbimin sipas një listë- pritje me rregulla të qarta e transparente.

Duhet theksuar se, financimi dhe realizimi i këtyre paketave shëndetësore është një nga arritjet më të rëndësishme të FSDKSH-së dhe një standart i ri i kujdesit shëndetësor. Kjo qasje e re sot shpëton jetë njerëzish dhe u jep shpresë të sëmurëve, duke shkurtuar listë-pritjen  për pacientët  dhe rritur cilësinë e  shërbimit ndaj tyre.

Procedura :

Fondi administron Regjistrin Kombëtar të Paketave të shërbimeve shëndetësore. Rregullat, kriteret dhe mënyra e organizimit të Regjistrit Kombëtar të Paketave , të financuara nga Fondi, hartohen nga ky i fundit dhe miratohen nga Këshilli Administrativ i tij.

Rruga që duhet të ndjekë pacienti nis nga zbatimi i sistemit të referimit, për të patur konsultën e shërbimit përkatës (të nefrologjisë, kardiologjisë, kardiokirurgjisë ose ORL-së). Vendimin, nëse pacienti ka nevojë për një paketë shërbimi, e merr pikërisht shërbimi përkatës në QSUT. Më pas pacienti drejtohet në zyrat e Fondit ku bën regjistrimin. Pacienti fillimisht regjistrohet në institucionet shëndetësore publike në përputhje me kapacitetet e lira të raportuara pranë zyrës së Fondit, dhe në rast se në datën e përcaktuar, nuk ka vende të lira në institucionin shëndetësor publik, atëherë nëpunësi i autorizuar i sektorit bën regjistrimin e pacientit në mënyrë të barabartë në institucionet shëndetësore private të kontraktuara nga Fondi.

Pacientit i merren të dhënat anagrafike dhe adresa, për t’u kontaktuar më pas nga Fondi në momentin e krijimit të mundësisë për marrjen e shërbimit. Financimi është në masë të njëjtë, pra 100%, si në institucionet shëndetësore publike, ashtu dhe në ato jopublike – e thënë më thjeshtë, pacienti nuk paguan asgjë shtesë. Edhe spitali jopublik, që ka kontratë me FSDKSH-në, është i detyruar të trajtojë pacientët e referuar nga Regjistri Kombëtar i Paketave të shërbimeve dhe nuk aplikon pagesë ndaj pacientëve të referuar nga Fondi.

Aneksi_Nr1_Paketa_e_Dializes

Aneksi_Nr2_Paketa_e_Kardiologjise

Aneksi_Nr3_Paketa_e_kardiokirurgjise

Aneksi_Nr4_Paketa_e_Transpantit_renal_dhe_Flakjes__Akute

Aneksi_Nr5_Paketa_e_Implantit_Kolklear