Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Znj. Suela Popa, zhvilloi një takim me përfaqësues të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, në fokus të forcimit të bashkëpunimit institucional për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe rregullator nga subjektet farmaceutike që operojnë në skemën e rimbursimit të barnave.

Gjatë takimit u diskutuan problematikat kryesore të evidentuara nga kontrollet e fundit në terren, duke theksuar rëndësinë e adresimit të menjëhershëm të tyre nga subjektet farmaceutike, në përputhje me detyrimet ligjore, procedurat dhe standardet e përcaktuara.

Në këtë kuadër, Urdhrit të Farmacistëve iu kërkua të marrë një rol aktiv në ndërgjegjësimin dhe vetërregullimin e profesionistëve dhe subjekteve që përfaqëson, duke shfrytëzuar një periudhë 1–2 javore për të identifikuar dhe korrigjuar problematikat e konstatuara dhe për të garantuar përmbushjen e kërkesave ligjore.

FSDKSH do të vijojë pa ndërprerje ushtrimin e funksioneve të kontrollit dhe monitorimit, përmes strukturave të tij përgjegjëse, me qëllim garantimin e përdorimit të drejtë dhe transparent të fondeve publike, parandalimin e abuzimeve dhe sigurimin që çdo recetë dhe çdo lek i rimbursuar, të jetë në funksion të pacientit dhe nevojave të tij për trajtim.

Respektimi i rregullave të skemës nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe përgjegjësi profesionale dhe etike ndaj pacientëve dhe interesit publik.

FSDKSH mbetet i vendosur të forcojë mekanizmat e kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies, duke e konsideruar bashkëpunimin me organizmat profesionalë një element të rëndësishëm në mbrojtjen e qëndrueshmërisë dhe integritetit të skemës së rimbursimit.