Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) informon opinion publik dhe median se, bazuar në kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, i cili rregullon administrimin e skemës së Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kryesisht Ligjin Nr. 10383, datë 24.02.2011 “Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Ligjin Nr.145/2015, datë 17.12.2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 10383, datë 24.02.2011″Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka nisur kontrollin administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme.

Ky kontroll synon mbrojtjen e interesit publik, garantimin e ligjshmërisë dhe përdorimin korrekt të fondeve publike. Proceset e verifikimit janë iniciuar, ndër të tjera, edhe nëpërmjet kërkesave zyrtare të disa prej subjekteve farmaceutike dhe zhvillohen në bazë të kuadrit ligjor në fuqi dhe të dhënave nga sistemet zyrtare.
Dje, më datë 29.12.2025, me kërkesë të Urdhrit të Farmacistëve, FSDKSH priti në një takim përfaqësues të urdhrit dhe rreth 50 subjekte farmaceutike, me qëllim sqarimin e çështjeve të ngritura. Gjatë diskutimeve u theksua se nuk është marrë ende asnjë vendim përfundimtar, nuk ka ndëshkime kolektive dhe procedurat e kontrollit po zhvillohen në përputhje me ligjin.
Aktualisht, Fondi vijon punën për analizimin e informacionit dhe shqyrtimin e observacioneve të paraqitura nga subjektet farmaceutike, brenda afateve ligjore. Në përfundim të procesit do të bëhet publik Raporti Përfundimtar i Kontrollit.
FSDKSH mbetet i përkushtuar për transparencë, dialog dhe bashkëpunim me të gjitha palët, duke garantuar zbatimin korrekt të ligjit dhe funksionimin e qëndrueshëm të skemës së sigurimit shëndetësor.