Kategoritë përfituese nga skema e sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor
Çdo shtetas që paguan kontribut për sigurim shëndetësor, ose për të cilin paguan shteti, është i siguruar dhe përfiton nga skema e sigurimeve shëndetësore.
Karta e Shëndetit (dhe përkohësisht edhe libreza shëndetësore deri më date 30 prill 2016) – është dokumenti i vetëm që vërteton se personi është i siguruar në skemën e sigurimeve shëndetësore. Sigurimi i detyrueshëm shëndetësor dhe pagesa e kontributeve përkatëse janë të detyrueshme për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, me banim të përhershëm në Shqipëri, si:
» të punësuarit;
» personat e vetëpunësuar;
» punonjësit e papaguar të familjes;
» persona të tjerë ekonomikisht aktivë.
Sigurimi i detyrueshëm shëndetësor mbulon, gjithashtu, kategoritë e mëposhtme të personave ekonomikisht joaktivë, pagesa e kontributeve të të cilëve financohet nga Buxheti i Shtetit ose burime të tjera të përcaktuara me ligj:
» personat që përfitojnë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
» personat që përfitojnë ndihmë ekonomike ose pagesën për aftësinë e kufizuar, në përputhje me legjislacionin përkatës;
» personat e regjistruar si të papunë- punëkërkues në Shërbimin Kombëtar të Punësimit;
» shtetasit e huaj azilkërkues në Republikën e Shqipërisë;
» fëmijët nën moshën 18 vjeç;
» nxënësit e studentët nën moshën 25 vjeç, me kusht që të mos kenë të ardhura nga veprimtari ekonomike;
» kategori personash që përcaktohen me ligje të veçanta;
» viktimat e trafikimit, sipas identifikimit të bërë nga strukturat e Ministrisë të Punëve të Brendshme.
» Personat e siguruar vullnetarisht
Cfare perfitoni?
Sigurimi i detyrueshëm financon paketat e shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm, ku përfshihen:
» Vizitat mjekësore pa pagesë në institucionet shëndetësore publike, që financohen nga sigurimi shëndetësor dhe në respektim të sistemit të referimit;
» Vizitën falas në banesë – kur gjendja shëndetësore e të sëmurit nuk mundëson paraqitjen në institucionin shëndetësor;
» Ekzaminimet mjekësore në institucionet shëndetësore publike;
» Trajtimet mjekësore pa pagesë në spitalet publike;
» Shërbimet e paketave shëndetësore në institucionet shëndetësore private të kontraktuara me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësorë;
» Rimbursimi i plotë ose i pjesshëm i barnave të Listës së Barnave të Rimbursueshme në varësi të kategorisë;
Më konkretisht për barnat, personat e siguruar, ose nuk paguajnë fare ose kanë një pagesë të pjesshme që shkon deri në 50 % (për qind) të çmimit të barnave, por jo më shumë.
Kategoritë si: pensionistë, invalidë të plotë, fëmijë 0 – 12 muaj, të sëmurë me CA, TBC, të verbër përfitojnë falas alternativën e parë të çdo bari të përfshirë në listë.
Kategoritë si: veteran dhe invalidë të luftës, përfitojnë falas në masën 100 % të gjitha barnat e listës së rimbursueshme, si dhe të gjitha barnat e tjera të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.