Duke filluar nga data 1 qershor 2016 hyn në fuqi Lista e Barnave të Rimbursueshme 2016 dhe që nga ky moment do të jetë i mundur rimbursimi i barnave për pacientët në nevojë, sipas listës së re të barnave.
Lista e barnave të rimbursueshme e vitit 2016 përmban 1070 barna alternative tregtare, nga të cilat 546 barna alternative të para nga 490 që përmbante lista e vitit 2015. Gjithashtu kjo listë përmban 322 principe aktive nga 280 që përmbante lista e vitit të shkuar. Këto barna përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbime si: Onkologjik, Gastro-hepatologji, Pneumologji, Reumatologji, Infektiv, në terapinë kardiake, Parkinson, Diabet, Psoriaz, Dislipidemi si dhe sëmundjeve të gjakut etj.
Përveç shtimit të numrit të barnave në LBR e këtij viti, çmimet e miratuara janë me një ulje prej rreth 6.9 përqind në krahasim me çmimet e aplikuara në LBR-në e vitit 2015. Ndërkohë krahas uljes së çmimit të barnave është rritur edhe buxheti i akorduar për shpenzimet e rimbursimit në raport me vitin 2015. Për këtë vit buxheti për rimbursimin e barnave është 9 miliardë lekë.
Kategoritë që do të vazhdojnë si më parë të përfitojnë barna me rimbursim në masën 50 deri në 100 përqind do të jenë grupe të tilla shoqërore si pensionistë, invalid të plotë, fëmijë 0-12 muaj, të sëmurët tumoral, tuberkuloz, të verbërit, jetimët si dhe një sërë kategorish të tjera.
Lista e Barnave të Rimbursueshme 2016
Lista e Barnave të rimbursuara që tregtohen në farmacinë e spitaleve rajonale 2016