Çdo vit në 14 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Federata Botërore e Diabetit (IDF) organizojnë Ditën Botërore të Diabetit.

Tema kryesore për vitin 2016 është:

“Vëmendja tek diabeti”

Në këtë ditë, aktivitetet dhe materialet ndërgjegjësuese fokusohen në promovimin e dy mesazheve:

  • Depistimi për diabetin tip 2 është i rëndësishëm për të modifikuar ecurinë e sëmundjes dhe për të reduktuar rrezikun e komplikacioneve.
  • Depistimi për komplikacionet e diabetit është një pjesë e rëndësishme e menaxhimit të të gjithë tipeve të diabetit.

Shumë komplikacione të sëmundjes së diabetit mund të kapen apo diagnostikohen në stadet e hershme të tyre nëpërmjet programeve të depistimit, të cilat bëjnë që këto komplikacione të trajtohen dhe të parandalohet rëndimi i tyre. Sipas Federatës Botërore të Diabetit afërsisht 193 milionë njerëz, apo gjysma e atyre që vuanin nga diabeti në vitin 2015, ishin të pavetëdijshëm për sëmundjen e tyre. Sa më herët që personi të diagnostikohet aq më shpejt fillon edhe trajtimin, duke reduktuar rrezikun për komplikacione të rrezikshme dhe të kushtueshme. Ndaj është një nevojë urgjente depistimi, diagnostikimi dhe dhënia e trajtimit të duhur njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti. Në këtë ditë do të nxirren në pah zgjidhjet e realizueshme dhe sa më kosto-efektive të mundshme, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve me diabet tip 2 të padiagnostikuar dhe të atyre të cilët janë në rrezik për ta shfaqur diabetin më vonë.

Diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, verbërimit, (humbjes së shikimit) insuficiencës renale dhe amputieve të gjymtyrëve të poshtme. Më shumë se 1/3 e të gjithë njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti tip 1 dhe tip 2, zhvillojnë disa forma dëmtimi në sy të cilat çojnë në humbje të shikimit. Këto komplikacione mund të parandalohen apo të vonohet shfaqja e tyre duke mbajtur nivelin e glukozës në gjak, presionin e gjakut dhe nivelin e kolesterolit në gjak  sa më afër normës. Disa komplikacione mund të kapen në fazat e tyre të hershme nëpërmjet depistimit, duke mundësuar dhënien e trajtimit për parandalimin e  rëndimit të mëtejshëm të tyre. Në këtë ditë i vihet theksi nevojës apo rëndësisë së përfshirjes së depistimit për komplikacionet nga diabeti në kujdesin shëndetësor për njerëzit të cilët vuajnë nga diabeti.

Fakte

Në vitin 2015 më shumë se 400 milionë njerëz vuanin nga diabeti.

  • Në vitin 2040 numri i njerëzve që do të vuajnë nga diabeti mendohet të shkojë 640 milionë, pra 1 në 10 njerëz do të vuajnë nga diabeti.
  • 75% apo 3/4 e njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti janë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
  • Pjesa më e madhe e njerëzve me diabet janë të moshës 40-59 vjeç.
  • 1 në 11 adultë vuajnë nga diabeti.
  • 1 në 2 (46%) e njerëzve me diabet janë të padiagnostikuar, dhe pjesa më e madhe e tyre kanë diabet tip 2.
  • Sëmundja e diabetit shkaktoi 5 milionë vdekje në vitin 2015, me një vdekje çdo 6 sekonda.
  • Më shumë se 542.000 fëmijë kishin diabet tip 1 në vitin 2015.
  • Më shumë se 20.9 milionë lindje ishin të prekura nga diabeti gjatë shtatzënisë në vitin 2015 – 1 në 7 lindje.
  • Në vitin 2015 për diabetin janë shpenzuar 673 miliardë dollarë (12%) në shpenzimet shëndetësore.

“Vëmendja tek diabeti”

Vepro sot për të ndryshuar të ardhmen!

Burimi: Instituti Shëndetit Publik –  http://ishp.gov.al/