Liga Botërore e Hipertensionit, që nga viti 2005, ka iniciuar Ditën Botërore të Hipertensionit duke patur si qëllim:
• Rritjen e ndërgjegjësimit për shkaqet dhe pasojat e presionit të lartë të gjakut.
• Dhënien e informacionit sesi të parandalojmë presionin e lartë të gjakut dhe komplikacionet e lidhura me të.
• Inkurajimin për të rritur kontrollin ndaj presionit të lartë të gjakut dhe për të ndjekur këshillat profesionistë vetë kujdesit shëndetësor.
• Inkurajimin e vetë kujdesit për të parandaluar presionin e lartë të gjakut.
• Matjen e presionit të gjakut nga të gjithë.
• Nxitjen nga autoritetet kombëtare dhe lokale për të krijuar mjedise që mundësojnë sjellje të shëndetshme.
Qëllimi i kësaj dite është ndërgjegjësimi i popullatës lidhur me presionin e gjakut, si dhe sfida që do të jetë depistimi i më shumë se 1.000.000 adultëve për tensionin e gjakut.
Rritja e presionit të gjakut është rreziku kryesor për vdekjen dhe paaftësinë në nivel botëror, kjo evidentur sipas studimit të Barrës Globale të kohëve të fundit të sëmundjeve dhe e theksuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Një nga pengesat kryesore për kontrollin efektiv të hipertensionit është thjesht se, njerëzit nuk janë të vetëdijshëm nëse tensioni i gjakut të tyre është i lartë. Megjithatë, disa hapa të thjeshtë e të përballueshëm duhet të përfshihen në rutinën e përditshme për vlerësimin e presionit të gjakut, në programet e komunitetit dhe në vendet e punës, ku një rol të rëndësishëm mund të luajnë të gjitha institucionet shëndetësore.
Presioni i lartë i gjakut, i njohur në gjuhën mjekësore si hipertensioni, është faktor i madh rreziku për sëmundje të zemrës, goditje në tru, sëmundje të veshkave dhe madje edhe sëmundjeve të syrit. Kur presioni i gjakut tejkalon një kufi të caktuar, ne e quajmë atë si tensioni i lartë i gjakut. E vetmja mënyrë për të gjetur se cili është tensioni juaj i gjakut, është matja e tij duke përdorur pajisjet matëse të pranueshme.
Njihni tensionin tuaj të gjakut
Liga Botërore e Hipertensionit rekomandon që, të gjithë duhet të njohin presionin e gjakut duke e kontrolluar atë të paktën një herë në çdo vit.
Presioni i lartë i gjakut është një vrasës i heshtur. Nuk ka simptoma derisa presioni është shumë i lartë, ose derisa shkakton dëme në organet vitale si zemra ose veshkat. Gjithkush ka nevojë për një presion gjaku në arteriet e tij. Kur zemra rreh, ajo pompon gjak nëpër arterie për t’u çuar ushqim indeve. Forca e gjakut kundër mureve të arterieve quhet tensioni i gjakut. Presioni sistolik ndodh pas rrahjes së zemrës dhe është leximi më i lartë. Presioni më i ulët apo presioni diastolik është presioni në arteriet në mes të rrahjeve të zemrës. Në qoftë se arteriet apo tubacionet ngushtohen apo bllokohen, atëherë zemra pompon më me vështirësi për të shpërndarë gjak në inde, dhe presioni në arterie ngjitet lart.
• Në qoftë se tensioni juaj i gjakut është më poshtë se 120/80mmHg, atëherë ju keni një presion normal të shëndetshëm të gjakut. Mbani këtë tension dhe kontrollojeni atë përsëri mbas një viti.
• Në qoftë se tensioni juaj i gjakut është mbi 120/80 mmHg, por më pak se 140/90 mmHg, jeni në rrezik për t’u bërë hipertensivë. Prandaj ju duhet të merrni disa hapa të menjëhershme për të përmirësuar stilin e jetës suaj, dhe çdo vit duhet të kontrolloni presionin e gjakut te mjeku.
• Në qoftë se tensioni juaj i gjakut është rreth apo mbi 140/90 mmHg, ju duhet të takoni një person të kujdesit shëndetësor për të parë nëse keni tension të lartë të gjakut, apo nëse keni nevojë të filloni trajtimin me mjekime për të parandaluar infarktin e zemrës dhe goditjen në tru.
Sot tensioni i gjakut mund të matet në shtëpi nga vetë njerëzit, pra është lehtësisht i matshëm.
Ne ju kërkojmë të masni presionin e gjakut në shtëpi, në klinikën e një mjeku, në një qendër shëndetësore ose farmaci. Shkruani vlerat e presionit të gjakut dhe të pulsit, mundësisht përsëriteni tri herë, ku secila matje të jetë 2 minuta më pas.
Në Shqipëri:
Në vendin tonë hipertensioni takohet në 36% të grupmoshave 25 vjeç e sipër. Te burrat e grupmoshave 25 vjeç e sipër takohet në rreth 40%, dhe te gratë e grupmoshave 25 vjeç e sipër në rreth 32% (OBSH, World Health Statistics, 2014). Gjithashtu, 80% e femrave dhe 90% e meshkujve me hipertension nuk ishin të vetëdijshëm për gjendjen e tyre (ADHS, 2010). Sipas vlerësimeve të GBD 2010, niveli i përgjithshëm i vdekshmërisë që i atribuohet tensionit të lartë të gjakut në Shqipëri ka patur një rritje domethënëse gjatë njëzet viteve të fundit, nga 27% që ishte në vitin 1990 ka shkuar në 35% në vitin 2010.
Mos harroni, presioni i lartë i gjakut mund të mos japë shënja.
Ju duhet të masni tensionin e gjakut të paktën një herë në vit. Kontrolli i presionit të lartë të gjakut mund t’ju shtojë vite për një jetë të lumtur!
Për më shumë informacion për hipertensionin mund të lexoni në link-un më poshtë:
http://ishp.gov.al/event/17-maj-dita-boterore-e-hipertensionit/