OBSH-ja në Ditën Botërore të Shëndetit, 7 Prill 2016 është fokusuar tek diabeti sepse epidemia e diabetit është rritur me shpejtësi në shumë vende të botës, dhe me një rritje dramatike të dokumentuar sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

 

Një pjesë e madhe e rasteve të diabetit janë të parandalueshme. Disa masa të thjeshta në stilin e jetës janë provuar të jenë efektive në parandalimin apo vonesën e shfaqjes së diabetit Tip 2. Ruajtja e një peshe normale të trupit, kryerja e aktivitetit fizik të rregullt si dhe ushqyerja në mënyrë të shëndetshme mund të zvogëlojnë rrezikun për diabet.

Diabeti është i kurueshëm. Ai mund të mbahet nën kontroll dhe të menaxhohet në mënyrë që të parandalohen komplikacionet që vijnë si pasojë e kësaj sëmundjeje. Rritja e aksesit për diagnostikim, edukimi për një vetëmenaxhim efektiv si dhe trajtimi i përballueshëm, janë komponentët kryesore të kurimit të diabetit.

Përpjekjet për të parandaluar dhe kuruar diabetin do të jenë të rëndësishme për të përmbushur Objektivin e 3-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm, që ka si target reduktimin me 1/3 e vdekshmërisë së parakohshme nga sëmundjet jo të transmetueshme (sëmundjet kronike) deri në vitin 2030. Shumë sektorë të shoqërisë kanë rolin e tyre për të luajtur në përmbushjen e këtij objektivi duke përfshirë qeverinë, punëdhënësit, arsimtarët, prodhuesit, shoqërinë civile, sektorin privat, median si dhe vetë individët.

 

Qëllimi i Ditës Botërore të Shëndetit 2016:

Niveli i lartë i parandalimit, fuqizimi i kujdesjes, si dhe përmirësimi i mbikqyrjes

 

Objektivat kryesorë të fushatës në Ditën Botërore të Shëndetit janë:

Rritja e ndërgjegjësimit lidhur me epideminë e diabetit, barrën e sëmundshmërisë dhe pasojat e saj tronditëse veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Marrja e një sërë veprimesh specifike, efektive, dhe të përballueshme për të trajtuar diabetin. Këtu përfshihen hapat për të parandaluar dhe diagnostikuar diabetin, trajtimi dhe kujdesja për njerëzit që janë me diabet

Lançimi i Raportit të parë Botëror mbi diabetin, i cili do të përshkruajë barrën dhe pasojat e diabetit, si dhe advokimin për një sistem shëndetësor më të fuqishëm për të siguruar përmirësimin e survejancës, rritjen e parandalimit dhe menaxhimin më efektiv të diabetit.