Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me vendim nr.54, datë 19.05.2017 miratoi emërimin e Z. Eduard Ahmeti në detyrën e Drejtorit të Përgjithshmëm të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Zoti Ahmeti merr këtë detyrë të rëndësishme, pas një eksperience të gjatë dhe të suksesshme në fushën administrative dhe konkretisht pas drejtimit të Agjencisë së Prokurimit Publik, detyrë të cilën e ka ushtruar prej Shkurtit të vitit 2014.
Zoti Ahmeti ka përfunduar studimet e larta në fushën e jurisprudencës në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 2003. Ai ka një përvojë të gjatë pune si avokat, i specializuar kryesisht në cështjet administrative, tregtare, civile, pasurive të paluajtshme, etj.
Zoti Ahmeti ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme në administratën shtetërore si, Kryeadministrator i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Inspektor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, etj.
Drejtori i Përgjithshëm merr detyrën e rëndësishme të drejtimit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në momentin kur ky institucion është angazhuar në përmbushjen e misionit të tij dhe në mirëmenaxhimin e fondeve të buxhetit të shtetit, duke rritur cilësinë e shërbimit dhe transparencës ndaj qytetarëve.