Dita Botërore e Veshkave organizohet çdo vit, të enjten e dytë të muajit mars, dhe ka për mision të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e veshkave dhe shëndetin në përgjithësi, si dhe të reduktojë shpeshtësinë dhe ndikimin e sëmundjeve të veshkave dhe problemeve shëndetësore të lidhura me to në mbarë botën.
Mesazhi i Ditës Botërore të Veshkave për vitin 2016 është:
Sëmundja e veshkave dhe fëmijët, Vepro herët për ta parandaluar atë!
Në Ditën Botërore të Veshkave është i rëndësishëm ndërgjegjësimi i mbarë popullatës për sëmundjet e veshkave të cilat prekin me miliona njerëz në mbarë botën, përfshirë këtu edhe fëmijët të cilët mund të jenë në rrezik për zhvillimin e sëmundjeve kronike të veshkave që në moshë të hershme.
Prandaj është e rëndësishme që në këtë ditë ne të nxisim dhe të lehtësojmë edukimin dhe zbulimin e hershëm, si dhe një stil jete të shëndetshëm te fëmijët tanë, duke filluar që nga lindja, për të luftuar rritjen e sëmundjeve të parandalueshme të veshkave përfshirë këtu dëmtimet akute dhe sëmundjen kronike të veshkave, si dhe për të trajtuar fëmijët me çrregullime të lindura dhe të fituara të veshkave. Në këtë ditë le të bashkojmë forcat edhe njëherë për të informuar prindërit, kujdestarët e fëmijëve, pacientët e rinj, politikëbërësit dhe publikun e gjerë për rëndësinë e identifikimit dhe trajtimit të sëmundjeve të veshkave në fëmijëri, si dhe ndërgjegjësimin për rreziqet e zhvillimit të sëmundjeve kronike të veshkave në të ardhmen, kur problemet ndeshen që në fëmijëri.
Objektivat e Ditës Botërore të Veshkave janë:
- Rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me “veshkat tona të mahnitshme“, dhe evidentimi se diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut janë faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet kronike të veshkave (SKV).
- Inkurajimi i depistimit sistematik të të gjithë pacientëve me diabet dhe hipertension për SKV-të.
- Nxitja e sjelljeve parandaluese.
- Edukimi i gjithë mjekëve profesionistë për rolin e tyre të rëndësishëm, kyç në zbulimin dhe reduktimin e rrezikut të SKV-ve, veçanërisht në popullsinë me rrezik të lartë.
- Parandalimi: Dieta, ushqyerja dhe ushqimi.
Për më tepër informacion klikoni në adresën: