Njoftim, 25 Shkurt 2016
Prej 15 shkurtit ka nisur shpërndarja online e Kartës së Shëndetit. Kjo mënyrë e re e aplikimit bën të mundur pajisjen e qytetarëve me Kartën e Shëndetit me anë të një dokumenti të vetëm, Kartës së Identitetit.
Prezantimi i këtij projekti u zhvillua gjatë ditës së sotme në Qendrën Shëndetësore nr.9 në Tiranë ku morën pjesë Kryeministri Z. Edi Rama, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, Drejtorja e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Znj Vjollca Braho, Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj dhe Zëvendës Ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Falë këtij shërbimi është bërë e mundur eleminimi i ecejakeve të qytetarëve për tu pajisur me dokumenta të tjera shtesë që nevojiteshin për tu pajisur me kartë shëndeti. “Informatizimi i këtij shërbimi bën të mundur lidhjen dhe marrjen në kohë reale të informacionit në disa institucione njëherësh, regjistrin e Gjendjes Civile, regjistrin e pensioneve, regjistrin e kontribuuesve, regjistrin e punëkërkuesve, si dhe regjistrin e ndihmës ekonomike. Për qytetarët, kjo eliminon një radhë dokumentash që nevojiteshin deri dje, redukton vajtje-ardhjet nga një zyrë në tjetrën dhe shkurton kohën e shërbimit”, deklaroi Znj. Braho, gjatë prezantimit të sistemit. Duke vënë theksin në përparësitë që ka aplikimi i sistemeve informative, Braho sqaroi se bashkë me recetën elektronike mundëson kontrollin online të sistemit. “Me përfundimin e recetës elektronike në të gjithë Shqipërinë, pas realizimit me sukses në qytetin e Durrësit, bëhet e mundur që ne të kemi nën kontroll të gjithë sistemin, duke filluar që nga vizita tek mjeku i familjes, pajisja me recetën elektronike, marrja e ilaçeve në farmaci”, u shpreh Vjollca Braho. Ndërkohë, Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama theksoi se tani falë këtij sistemi jo vetëm janë eleminuar rradhët e gjata të qytetarëve edhe u janë ofruar një sërë lehtësish të tjera. “Për të çmontuar të gjithë atë barrë të tmerrshme që kishin dhe vazhdojnë të kenë në zona të ndryshme njerëzit dhe mjekët, duhet paralelisht me ndryshimet strukturore, edhe një reformim rrënjësor i formës së shërbimit dhe kalimin në shërbimin shëndetësor elektronik. Receta elektronike, nga njëra anë, Karta e Shëndetit e marrë elektronikisht, nga ana tjetër janë dy hapa, jo të gjitha, që sjellin një lehtësi shumë të madhe. Përfundimisht, të gjithë ato radhë të tmerrshme, që i përjetuam edhe nëpërmjet televizionit në zona të ndryshme, evitohen plotësisht dhe e gjitha funksionon shpejt, por më e rëndësishme, në mënyrë transparente dhe në mënyrë të tillë që çdo gjë e shkruar mbetet aty,” u shpreh Kryeministri Rama. Ndërkohë falë mbështetjes së dhënë edhe nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, të gjithë qytetarët që janë të regjistruar në regjistrin e pacientëve pranë mjekut të tyre të familjes mund të futen në portalin qeveritar e-albania dhe ta printojnë vetë Kartën e Shëndetit pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet e Fondit. Shpërndarja e Kartës së Shëndetit ka nisur në dhjetor të vitit 2014 dhe gjatë vitit të shkuar u shpërndanë rreth 692 500 karta. Nga janari i këtij viti deri më tani janë shpërndarë mbi 320 mijë Karta Shëndeti.