14 Nëntori Dita Botërore e Diabetit
Ushqyerja e shëndetshme dhe Diabeti
Mbroni të ardhmen tuaj!
Në 14 nëntor, në Ditën Botërore të Diabetit, të gjitha komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin, këtë “pandemi” të re globale.
Dita Botërore e Diabetit për vitin 2014-2016, ka nё fokus jetesën e shëndetshme dhe diabetin. Mesazhet kyçe kanë për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për zgjedhje të shëndetshme, të cilat mund të jenë zgjedhje të lehta për personat me diabet.
Çdo vit ka një temë të caktuar. Për periudhën 2014-2016 tema kryesore është:
Ushqyerja e shëndetshme dhe Diabeti. Mbroni të ardhmen tuaj!
Mesazhet kyçe për këtë vit janë:
Vepro për të ndryshuar jetën tënde sot!
Vepro për të ndryshuar botën nesër!
Ushqyerja e shëndetshme luan një rol të rëndësishëm në menaxhimin e të gjithë tipeve të diabetit.
Aksesi pёr ushqime tё shёndetshme dhe tё pёrballueshme ёshtё esencial pёr tё ulur barrёn e sёmundjes sё diabetit dhe sigurimin e zhvillimit tё qёndrueshёm global.
Diabeti, një sëmundje, me përmasat e një epidemie, në Programin e Kontrollit Shëndetësor Bazë pa pagesë (40-65 vjeç) në Shqipëri, kontrolli për diabetin ka një vemendje të veçantë. Nga të dhënat e të cilit rezulton se: 4% e personave që kanë bërë kontrollin rezultojnë me diabet dhe nuk e dinë. Dhe nëse ky 4% ka dalë nga grupmosha 40-65 vjeç, do të thotë që është dhe më e madhe përqindja e personave në Shqipëri që janë me diabet dhe nuk e dinë që janë me diabet. Ndërkohë, 12,5% e personave që kanë bërë kontrollin, vlerësohen si paradiabetikë.
Konferenca “Aksesi universal në shërbime dhe mjekësia e familjes: Sëmundjet kronike në fokus”
Më datë, 10 Nëntor 2015, nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë, u zhvillua konferenca “Aksesi universal në shërbime dhe mjekësia e familjes: Sëmundjet kronike në fokus”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm, z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë, znj. Milva Ekonomi, Zv.Ministre e Shëndetësisë dhe Drejtore e Përgjithshme (e komanduar) e FSDKSH, z. Klodian Rjepaj, Zv.Ministër i Shëndetësisë, si edhe drejtues të shërbimeve universitare, mjekë të familjes etj.
Në konferencë u prezantuan gjetjet e para dhe rezultatet në kuadrin e zbatimit të Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë 40-65 vjeç.
Nga të dhënat e para, rezultojnë me hipertension 37% e njerëzve që kanë marrë pjesë në kontroll; rreth 18% nuk e dinë që janë me hipertension, që do të thotë se ka një shkallë shumë të lartë të sëmundjes në popullatë, që fillimisht, njerëzit nuk e dinë, dhe më pas, nuk kanë kujdesin e duhur për sëmundjen. Rezulton gjithashtu se, 35% e njerëzve e dinë që janë me hipertension, por në ditën e kontrollit rezultojnë përsëri në gjendjen e kësaj sëmundjeje, që do të thotë se nuk mjekohen siç duhet.
Bazuar në këto të dhëna, 4% e personave që kanë bërë kontrollin, rezultojnë me diabet dhe nuk e dinë. E nëse ky rezultat ka dalë nga grupmosha 40-65 vjeç, do të thotë që është edhe më e madhe përqindja e personave në Shqipëri, që janë me diabet dhe nuk e dinë që janë me diabet.
Ndërkohë, 12,5% e personave që kanë bërë kontrollin, vlerësohen si paradiabetikë. Minimalisht, rezulton nga kontrollet që kemi një shkallë të lartë obeziteti; që do të thotë se e kemi të lartë shkallën e riskut.
Në fjalën e tij, Ministri i Shëndetësisë, theksoi se ky program synon që të vendosë më shumë në fokus kujdesin shëndetësor parësor; të vendosë më shumë në fokus shëndetin përpara se të shkojmë te sëmundja; të vendosë më shumë në fokus qytetarin, përpara se ai të jetë pacient; të vendosë më shumë në fokus parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm se sa kurimin apo rehabilitimin.
DOKUMENTET E BASHKANGJITUR
- CheckUp-Slide_1.pdf
- CheckUp-Diabeti.pdf
- CheckUp-HTA_dhe_Faktorët_e_Rrezikut.pdf
- Sistemet_e_Informacionit-Mundësi_dhe_Zgjidhje.pdf
- Projekti_i_Kontrollit_Shëndetësor_Bazë_për_Grupmoshat_40-65_vjeç.pdf
Të vendosur kundër kancerit, krah gruas për parandalim!
Tiranë, 21/10/2015 – U mbajt Konferenca e III-të vjetore Ndërkombëtare për depistimin e kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës: “Të vendosur kundër kancerit, krah gruas për parandalim”,
të organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, në kuadër te fushatës kombëtare për ndërgjegjësimin e popullatës për depistimin e kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës, në bashkëpunim me Shërbimin e Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Shoqatën e Onkologëve të Shqipërisë, Institutin Evropian të Onkologjisë në Milano (IEO) dhe nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në Konferencë mori pjesë dhe Ministri i Shëndetësisë z.Ilir Beqaj, i cili foli për nismat e deritanishme të Qeverisë në betejën kundër kancerit, kreu i shëndetësisë bëri thirrje për më tepër ndërgjegjësim dhe marrje përgjegjësish nga të gjithë.
Mjekë dhe specialistë të shëndeti publik prezantuan në konferencë të dhëna të rëndësishme për luftën dhe parandalimin e sëmundjeve tumorale në Shqipëri. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe dy mjekët italianë, Alberto Luini dhe Giovanna Gatti, si dhe aktivistja italiane Paola Concia e cila referoi mbi parandalimin e kancerit nëpërmjet sportit dhe stilit të jetës, si dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara, znj. Zineb Toumi Benjelloun.
Prezantimi i Ministrit_Ilir Beqaj.pdf Download file
Më tepër infomacion do të gjeni në linkun: www.shendetesia.gov.al
Maratona e jetës
Në kuadër të Muajit Tetor, Muaji I ndërgjegjësimit të Luftës kundër Kancerit të Gjirit, në datat 17 dhe 18 Tetor organizohet “Maratona e jetës” me moton :
“Të vrapojmë sëbashku për motrën , vajzën, gruan, për të gjitha femrat shqiptare”
Ky aktivitet organizohet me pjesmarrjen dhe mbështetjen e shumë institucioneve, organizata dhe kompani biznesi si Ministria e Shëndetsisë, ISHP, Vodafoni, Banka Credins, Kompania Spring, Kastrati etj
Gjatë këtyre dy ditëve në Liqenin artificial të Tiranës do të organizohen aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, do të jetë gjithashtu e vendosur edhe njësia e mamografisë së lëvizshme për të kryer vizita falas.
17 Tetor 2015 – Te Liqeni artificial – Qyteza e jetës ( Bustet e vëllezërve Frashëri) aktivitetet fillojnë nga ora 10.00
18 Tetor 2015 – Starton “Maratona e Jetes “ ora 10.00
Më tepër infomacion do të gjeni në linkun: Maratona e Jetës
Lista e Barnave të Rimburueshme në vetëm dy vite, 2014 dhe 2015, është zgjeruar me 85 barna të reja, prej të cilave, 45 janë principe të reja aktive.
Me Listën e re të Barnave të Rimbursueshme rreth 150 000 qytetarë shqiptarë kanë përfituar dhe do të përfitojnë nga mjekimi me barnat e reja të shtuara në listën e rimbursimit, të cilat përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbimet:
Terapi Kardiake – 11 barna të reja- përfitojnë 120,400 qytetarë
Onkologji – 5 barna të reja – përfitojnë 1,117 qytetarë
Hematologji – 4 barna të reja – përfitojnë 8,301 qytetarë
Rheumatologji – 3 barna të reja – përfitojnë 5,510 qytetarë
Dermatologji – 3 barna të reja – përfitojnë 3,350 qytetarë
Endokrinologji – 5 barna të reja – përfitojnë 2,680 qytetarë
Gastro-Hepatologji – 7 barna të reja – përfitojnë 2,307 qytetarë
Neurologji-Psikiatri-Kujdesit Paliativ – 9 barna të reja – përfitojnë 2,275 qytetarë
Nefrologji-Dializë – 2 barna të reja – përfitojnë 1,100 qytetarë
Alergologji – 2 barna të reja- përfitojnë 1,020 qytetarë
Pneumologji -1 bar i ri – përfitojnë 1,000 qytetarë
Gjinekologji-Urologji – 3 barna të reja – përfitojnë 750 qytetarë
Okulistikë – 3 barna të reja – përfitojnë 430 qytetarë
Çdo qytetar mund t’i gjejë lehtësisht barnat e sipërpërmendura me çmimet e ulura nëpër të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur që tregtojnë barna në vendin tonë.
Për më tepër informacion mund të klikoni në adresën www.shendetesia.gov.al / LBR është zgjeruar me 85 barna ose 45 principe-aktive-të-reja
Tetori është muaji i ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit për Sindromën Down
Në këtë kuadër më datë 10 tetor 2015, Fondacioni Down Syndrome Albania, me mbështetjen e Zonjës Odeta Nishani organizoi një ecje sensibilizuese “Buddy Walk® Tirana 2015”, ku morën pjesë përfaqësues nga institucione shtetërore, shoqata të ndryshme, prindër dhe të interesuar.
FSDKSH, si një institucion që ka mbështetur vazhdimisht eventet e organizuara me qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë për Sindromën Down, mori pjesë në këtë aktivitet me punonjësit e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun.
Buddy Walk® Albania është një ecje ndërgjegjësuese, me qëllim promovimin e të drejtave dhe nevojave që kanë individët me këtë sindromë, për të jetuar një jetë me dinjitet dhe gjithëpërfshirëse në vendin ku jetojnë.
Inisiativa Buddy Walk®, është konceptim i Shoqatës Kombëtare Amerikane të Sindromës Down (NDSS), dhe për herë të parë u organizua në vitin 1995 për të festuar tetorin, muajin e sensibilizimit për Sindromën Down dhe për të promovuar pranimin dhe gjithëpërfshirjen e individëve me këtë sindromë. Numri i Buddy Walk® ka ardhur në rritje dhe nga 17 ecje të organizuara në vitin 1995, këtë Tetor janë të planifikuara me shumë se 300 ecje në të gjithë botën, një prej tyre edhe Buddy Walk® Albania.
Më tepër infomacion do të gjeni në linkun: Buddy Walk® Tirana