26 Qershori dita botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave
Në të gjithë botën 26 qershori simbolizon ditën ndërkombëtare të luftës kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave, e caktuar për herë të parë në 7 dhjetor 1987 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim për të shkuar drejt një shoqërie pa drogë.
Për vitin 2015 Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër Trafikimit të drogave dhe krimit (UNODC) ka publikuar fushatën e saj sensibilizuese me sloganin “Le të zhvillojmë jetët tona- komunitetet tona- identitetet tona – pa drogë”. Ajo ka publikuar edhe një broshurë informative me temë “ Get the Facts about Drugs”, ku trajtohen disa nga drogat e paligjshme shumë të dëmshme që përdoren gjerësisht, që rrit më tej ndjeshmërine ndaj sfidës së madhe që këto droga përfaqësojnë për shoqërinë si të tërë, por kryesisht për të rinjtë. Synon të nxisë keto të rinj që si fillim të kenë prioritet shëndetin e tyre dhe të mos përdorin drogat.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), të paktën 15.3 milionë persona në të gjithë botën kanë probleme si rrjedhojë e përdorimit të drogave. Sipas të dhënave të UNODC, rreth 200 milionë persona përdorin drogë të paktën një herë në vit. Nga këta, 25 milionë konsiderohen si të varur nga drogat. Çdo vit, 200.000 persona vdesin nga sëmundje që janë të shkaktuara nga përdorimi i drogave.
Edhe në Shqipëri ky fenomen është prezent dhe paraqet problemet e tij. Sipas studimeve të ekspertëve në këtë fushë (ISHP, 2011), gjykohet se, numri i personave të cilët kanë përdorur të paktën një herë substanca psikoaktive të paligjshme variojnë midis 40.000- 60.000. Ndërsa numri i personave të cilët kanë patur probleme si pasojë e përdorimit dhe abuzimit me substanca të paligjshme (PDU) në të gjithë vendin është diku te 5000-7500.
Për të parandaluar këtë fenomen , është punuar mbi një strategji kombëtare gjithëpërfshirëse, e cila është produkt i pjesëmarrjes së të gjithë institucioneve qeveritare të përfshira në luftën kundër drogës, si dhe organizatave jo-qeveritare, dhe me një mbështetje të madhe nga ekspertët e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri.
Strategjia njeh natyrën serioze të problemit të drogës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe pranon se suksesi mund të arrihet vetëm me bashkëpunimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve të të gjitha palëve vepruese, konkretisht të qeverisë, shoqërisë civile dhe partnerëve.
Njoftim për miratimin e komandimit të Drejtores së Përgjithshme
Ditën e premte, datë 12.06.2015 u mblodh Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili vendosi me vendim nr. 30 për miratimin e komandimit të Znj. Milva Ekonomi në detyrën e Drejtores së Përgjithshme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor deri në zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm.
Znj. Ekonomi aktualisht mban postin e Zv. Ministres së Shëndetësisë. Ajo vjen nga një eksperiencë pune shumëvjecare në institucionet shtetërore dhe projekte të ndryshme me Agjencitë e OKB-së dhe organizata të tjera ndërkombëtare si Eurostat, ILO, UNODC, World Bank, Dfid, dhe FMN.
Përgjate viteve ajo ka dhënë kontributin e saj në lëvizjen e gruas në Shqipëri duke qënë aktiviste në shumë nisma, por gjithashtu edhe në aksione të shoqërise civile.
Doreheqje e parevokueshme nga detyra e Drejtorit te Pergjithshem FSDKSH
Në emër të dinjitetit tim personal, në shprehje të përgjegjshmërisë më të lartë institucionale, me dëshirën për t’i hapur plotësisht rrugën cdo hetimi dhe me vullnetin për të ruajtur dhe forcuar emrin e mirë të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor: “Deklaroj dorëheqjen time të parevokueshme nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij Fondi, i bindur se krijoj kështu klimën më të mirë institucionale për mbarëvajtjen e reformës në shëndetësi dhe për luftën e domosdoshme kundër korrupsionit. Jam krenar për arritjet e shënuara në këtë periudhë 20 mujore gjatë së cilës kam drejtuar një prej Enteve më të rëndësishëm në zemër të reformës më të vështirë të ndërmarrë nga një administratë politike. Në dokumentat bashkëngjitur do të gjeni të plotë arritjet e kësaj periudhe, e cila ka qenë e vështirë, plot me sfida dhe me shumë kënaqësi që prodhon puna e përbashkët. Falenderoj çdo bashkëpunëtor që ka qenë pranë meje me kontributin e tij dhe jam i bindur se arritjet e shënuara gjatë kësaj periudhe nga stafi që kam drejtuar, janë të pakthyeshme dhe të qëndrueshme.
Në lidhje me hetimin penal të kërkuar prej meje si Drejtor i Përgjithshëm për shpërdorimet dhe përfitimet e paligjshme nga skema e rimbursimit të disa subjekteve farmaceutike, i takon institucioneve të drejtësisë t’i shkojnë deri në fund politikës “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, që unë kam zbatuar në krye të Fondit. Për arsye të sekretit hetimor kam zgjedhur gjatë kësaj periudhe të mos flas publikisht. Me përfundimin e projekt-raportit auditit kam dërguar pranë Drejtorisë së Tiranës rekomandimet per masat organizative, disiplinore dhe administrative, të cilat mendoj që do të mundësojnë mirë-administrimin e kësaj drejtorie. Jam i bindur se pasardhësi im në detyrë do t’i ketë ato përparësi të punës së tij. Duke falenderuar personalisht të gjithë ata që patën besim tek unë dhe më mbështetën moralisht dhe institucionalisht, mbetem i bindur se cdo arritje e secilit është një hap më tej i vendit dhe i qytetarëve të tij drejt një standardi më të lartë e më të merituar jetese.
Me respekt Dr. Astrit Beci
Tiranë, 11.06.2015
Dita ndërkombëtare e mjedisit
Dita ndërkombëtare e mjedisit është caktuar mbi 30 vjet më parë nga Asambleja e përgjithëshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vemendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.
5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972 , nga Asambleja e Përgjithshme e OKB -s. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.
Qëllimi i kësaj ngjarje është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo ditë zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar.
Në të kaluarën tema të kësaj ngjarje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke patur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human.
Për më tepër informacion mund të vizitoni linkun e mëposhtëm:
http://www.ishp.gov.al/ishp03/event/5-qershor-2015-dita-boterore-e-mjedisit/
Sezoni veror, 22 qendra shëndetësore në dispozicion të pushuesve dhe turistëve
Kryeministri Rama lajmëroi nga Vlora ofrimin e shërbimit mjekësor 24 orë gjatë sezonit turistik. Në një takim të gjerë me profesionistët e shëndetit, ku merrnin pjesë dhe Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj dhe drejtori i FSDKSH, dr. Astrit Beci, Kryeministri deklaroi se për herë të parë, do të hapen 22 pika të reja shëndetësore për kujdes shëndetësor dhe emergjenca gjatë sezonit të verës. Financimi do të mundësohet nga FSDKSH për barna dhe shërbim shëndetësor.
Qendrat shëndetësore që do të ofrojnë shërbim shëndetësor të pandërprerë gjatë sezonit turistik, me pikat përkatëse.
Zona | QSH |
Qarku Kukës, Tropojë | |
Valbonë | QSH Margegaj |
Qarku Shkodër | |
Theth | QSH Shalë |
Razëm | QSH Shkrel |
Velipojë | QSH Velipojë |
Qarku Lezhë | |
Shëngjin | QSH Shëngjin |
Qarku Durrës | |
Plazhi i Currilave | QSH Nr.1 |
Plazhi Durrës | QSH Nr. 6 |
Gjiri i Lalzit | QSH Ishëm |
Shkëmbi i Kavajës | QSH Nr. 6 |
Qarku Tiranë, Kavajë | |
Plazhi Golem | QSH Golem |
Mali i Robit | QSH Golem |
Qarku Fier | |
Plazhi Divjakë | QSH Divjakë |
Plazhi Darëzes | QSH Ndërmenas |
Qarku Vlorë, Vlorë | |
Plazhi Zvërnec | QSH Komuna Qendër (Zvërnec) |
Plazhi i Vjetër | QSH Nr. 3 |
Plazhi i Radhimës | QSH Orikum |
Plazhi i Dhërmiut | QSH Himarë |
Plazhi Himarë | QSH Himarë |
Plazhi Qeparo | QSH Himarë |
Qarku Vlorë, Sarandë | |
Plazhi Ksamil+Pasqyrat | QSH Ksamil |
Plazhi i Vjetër | QSH Sarandë |
Qarku Korçë, Pogradec | |
Plazhi Pogradec | QSH Pogradec |
Një vend pa duhan, një shoqëri më e shëndetshme
Përmbyllet Java Botërore e luftës kundër duhanit me ndarjen e çmimeve të konkursit “Nje vend pa duhan, një shoqëri më e shëndetshme” për punimet më të mira në pikturë të nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe shpalljen e ekipit fitues të ndeshjeve mes shkollave të mesme të Tiranës – shkollën “Sami Frashëri”.
Në këtë aktivitet të zhvilluar në Ditën Botërore Pa Duhan, mori pjesë ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, Drejtori i FSDKSH, dr. Astrit Beci, Drejtuesja e Zyrës së OBSH në Tiranë, dr. Ledia Lazëri, Kryeinspektori i ISHSH, Dr. Eltar Deda si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe nxënës të shkollave të mesme të Tiranës.
Drejtuesja e Zyrës Rajonale të OBSH-së, znj. Ledia Lazeri përcolli vlerësimin e OBSH-së për punën e bërë në zbatim të ligjit antiduhan, duke përgezuar masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, Ministria e Shëndetësise dhe shoqëria civile për të luftuar duhanpirjen.
Në Ditën Botërore Pa Duhan 2015, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, është vlerësuar me Çmimin më të lartë dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për kontrollin e duhanit, si shenjë e vleresimit për përpjekjet energjike të Shqipërisë nën drejtimin dhe urtësinë tuaj në luftën kunder epidemisë së duhanit dhe për mbrojtjen e shëndetit publik.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj e vlerësoi cmimin e OBSH-së duke dashur ta ndajë atë me të gjithë shqiptarët që u bënë pjesë e zbatimit me rigorozitetet të ligjit antiduhan. Ai falenderoi gjithashtu Qeverinë dhe Parlamentin për miratimin e ndryshimeve ligjore në funksion të zbatimit më të mirë të ligjit antiduhan, Inspektoriatin shëndetësor dhe posaçërisht median dhe shoqërinë civile që u bënë pjesë e rëndësishme e kësaj beteje kundër duhanpirjes.
31 Maj – Dita Kundër Duhanit 2015: “Ndalimi i tregtimit të produkteve të paligjshme të duhanit”
Një në çdo 10 cigare dhe shumë produkte të tjera të duhanit, të cilat kanë konsum të gjerë mbarëbotëror janë të paligjshme, duke e shëndrruar kështu tregtimin e paligjshëm të duhanit në një shqetësim të madh botëror marrë nga këndvështrime të shumta përfshirë aspektin e shëndetësisë, ligjshmërisë, ekonomisë, qeverisjes dhe korrupsionit. Përfituesit e drejtpërdrejtë nga tregtimi i paligjshëm i duhanit janë, industria e duhanit dhe grupet kriminale, të cilët i lenë njerëzit të paguajnë koston e shëndetit dhe sigurisë së tyre. Ratifikimi nga Qeveritë, i Protokollit të ndalimit të produkteve të paligjshme të duhanit është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur impaktit financiar, ligjor dhe shëndetësor të tregtimit të paligjshëm të këtyre produkteve.
Publiku, akademia dhe sektorë të tjerë mund të ndërmarrin aksione për të bindur ligjvënësit që vendet e tyre të bëhen pjesë e këtij Prokolli.
Synimet e fushatës së Ditës Botërore kundër duhanit 2015 janë:
1. Dëmet në shëndetin e njerëzve
Rritja e ndërgjegjësimit për dëmet që sjell në shëndetin e njerëzve tregtimi i produkteve të paligjshme të duhanit, veçanërisht tek të rinjtë dhe tek grupet me të ardhura të ulta, duke qenë se konsumi i këtyre produkteve është rritur si pasojë e ofrimit me çmim të ulët.
2. Paralajmërime për shëndetin dhe masa të tjera
Informimi i popullatës mbi programet për kujdesin shëndetësor dhe politikat për kontrollin e duhanit si: rritja e taksave dhe çmimit të produkteve të duhanit, shifrat paralajmëruese për shëndetin dhe masa të tjera të cilat kanë nevojë të ndërmerren.
3. Tregtia e paligjshme e produkteve të duhanit
Të tregojmë se si industria e duhanit është përfshirë në tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit.
4. Mjete për pasurimin e grupeve kriminale
Të nënvizohet fakti se si tregtia e paligjshme e produkteve të duhanit është një mjet për grumbullimin e pasurive shumë të mëdha të grupeve kriminale me qëllim financimin e veprimtarive të tjera kriminale, përfshirë këtu drogën, trafikimin e qenieve njerëzore dhe të armëve, si edhe terrorizmin.
5. Protokoll për ndalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit
Të promovohet ratifikimi për hyrjen në fuqi dhe përdorimin e Protokollit të ndalimit të tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit nga të gjitha Palët në kuadrin e Konventës së OBSH-së për Kontrollin e Duhanit.
Përmbledhje
Tregtimi i paligjshëm i produkteve të duhanit shkakton shqetësime të mëdha shëndetësore, ekonomike dhe të sigurisë në mbarë botën. Është vlerësuar se 1 nga 10 cigare dhe produkte të duhanit që konsumohen në botë, tregtohet në mënyrë të paligjshme.
Kjo është arsyeja që lufta kundër shitjes së duhanit të paligjshëm është tema e OBSH-së këtë vit në ditën botërore kundër duhanit. Një objektiv kryesor i fushatës është lobimi për ratifikimin dhe zbatimin e Protokollit të ndalimit të tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit nga qeveritë.
Kontrolli Mjekësor Bazë mbërrin në çdo cep të vendit
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe Drejtori i Përgjithshëm, Dr. Astrit Beci përuruan Njësitë e Lëvizshme të Check-Up si pjesë e programit të kontrollit mjekësor bazë në komunën Shkrel të Shkodrës.
Këto njësi të lëvizshme, sipas një kalendari të caktuar, do të mbulojnë të gjitha fshatrat që i kanë larg vendbanimet nga qendrat shëndetësore, dhe më pas të gjithë qarkun e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërinë.
Kjo do të jetë një mundësi e artë për banorët, të kontrollojnë shëndetin e tyre të paktën një herë në vit dhe ta spostojmë vëmendjen tek shërbimi parësor shëndetësor dhe shëndeti i tyre.