Tiranë, 05/07/2017 – Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese që nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi i gjakut nga njerëzit vullnetmirë në mënyrë të herëpashershme. Nevojat për gjak janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut apo përbërësve të tij, shërben për të shpëtuar jetë. Në Shqipëri dhurohet 10 herë më pak gjak se sa janë nevojat për të. Çdo ditë në Tiranë nevojiten rreth 20 njësi gjak për pacient me talasemi, 20 njësi gjak për sëmundje malinje të gjakut.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor iu përgjigj pozitivisht ftesës për bashkëpunim të Qendrës së Transfuzionit të Gjakut dhe së bashku organizuam në datë 5 Korrik seanca të dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë. Është hera e dytë që stafi ynë angazhohet në një iniciativë të tillë, veçanërisht në këtë periudhë kur nevojat për gjak janë edhe më të mëdha sesa përgjatë vitit.
Duke qenë mirënjohës për të gjithë stafin pjesëmarrës, FSDKSH përveç qëllimit human do të solidarizohet në vazhdimësi të dhurojë gjak për fëmijët talasemike.
#dhurogjak #shpetojete