Duke pasur parasysh që afatit i fundit për përdorimin e librezave të shëndetit skadon në datën 30 prill 2016, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i bën apel të gjithë qytetarëve të paraqiten në sportelet tona ose të aplikojnë përmes portalit www.ealbania.al për t’u pajisur me këtë dokument.

Duke parë fluksin e lartë të kërkesave për tu pajisur me kartë shëndeti, FSDKSH jo vetëm hapi 97 sportele në të gjithë vendin, por falë aplikimit të sistemeve informatike eleminoi një sërë dokumentesh të nevojshme që duhet të paraqisnin qytetarët duke u dhënë mundësi që të marrin kartën e shëndetit vetëm nëpërmjet kartës së identitetit. Gjithashtu falë bashkëpunimit me portalin qeveritar ealbania është bërë e mundur që qytetarët të aplikojnë dhe të gjenerojnë kartën e shëndetit pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet tona. FSDKSH-ja njofton qytetarët se pas datës 30 prill në të gjitha institucionet shëndetësore në vend nuk do të shërbehet për qytetarët e pa pajisur me kartë shëndetit. Për eleminuar radhët e qytetarëve, të gjitha sportelet e përcaktuara për shpërndarjen e kartës së shëndetit punojnë çdo ditë deri në orën 20:00 gtë mbrëmjes.

I nisur si projekt që prej dhjetorit të vitit 2014, shpërndarja e Kartës së Shëndetit gjeti zbatim plotësisht gjatë vitit të shkuar ku u shpërndanë rreth 692 500 karta. Ky proces po vazhdon me ritme të larta edhe gjatë këtij viti, ku nga janari deri ditën e sotme janë shpërndarë mbi 539 998 karta shëndeti. Edhe falë aplikimit në portalin www.ealbania.al janë lëshuar on line 6 955 karta shëndeti, ndërkohë që janë gjeneruar nga vetë qytetarët  3826 karta, ndërkohë që në total janë lëshuar 1 232 424 karta shëndeti. Karta e Shëndetit është dokumenti i vetëm identifikues pranë dhënësve të shërbimit i kategorive të përfitimit për të gjithë popullsinë.

Përdorimi i kartës së shëndetit ka sjellë një sërë lehtësish jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, por edhe të dhënies së një pasqyre të qartë të të gjitha grupëmoshave dhe kategorive të përfituesve që paraqiten për të marrë shërbim pranë mjekut të familjes. Përdorimi i kësaj karte ka kthyer rolin e mjekut të familjes në funksion të shërbimit ndaj pacientëve, pasi ata nuk janë më të detyruar të plotësojnë fletë libreze pa fund, por me një mjet të thjeshtë, kartën e shëndetit, pacientët marrin shërbim e duhur dhe mjeku do shfrytëzojë kohën për të vizituar sa më mirë pacientët, duke fituar dinjitetin dhe rolin që i takon. Përdorimi i kartës ka bërë të mundur gjithashtu lidhjen e regjistrit të të siguruarve me regjistrin e pacientëve, ndërkohë që ka rritur presionin mbi mjekun për të mbajtur të përditësuar regjistrin e pacientëve, çka i ka mundësuar atij që të  informohet elektronikisht për kategorinë për të cilën personi është i siguruar.