Tiranë, 27/01/2016 – Nga sot,Vizita Falas tek Mjeku i Familjes edhe për të Pasiguruarit
Duke filluar nga sot, vizita shëndetësore te mjeku i familjes do të jetë falas edhe për personat e pasiguruar. 27 Janari është data e hyrjes në fuqi për zbatimin e ndryshimit të ligjit, Nr.10 383 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë,” që mundëson vizitën pa pagesë tek mjeku i familjes për të gjithe popullatën rezidente në Shqipëri.
FSDKSH do të mbulojë shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor, qe lidhet me vizitën tek mjeku i familjes edhe individët e pasiguruar. Është një mundësi e re që u ofrohet rreth 600 mijë qytetarëve.
Deri dje, vizita shëndetësore falas tek mjeku i familjes u është mundësuar rreth 2,3 milionë qytetarëve, ndërkohë që personat e pasiguruar përfitonin këtë vizitë kundrejt tarifës prej 1,000 lekë. Duke filluar që sot e gjithë popullsia e vendit prej 2,9 milionë banorë, është e mbuluar me vizitën falas te mjeku i familjes.
Tashmë me ndryshimin e bërë, askush nuk është i detyruar më të paguajë për të kryer konsultë me mjekun e familjes. Mjeku e ka detyrim që të kryejë vizitën për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, për ata që janë të siguruar, por edhe për ata që janë të pasiguruar.
Shërbimi i vizitës shëndetësore që të pasiguruarit e marrin falas me ligjin e ri, është qartësisht një hap tjetër i sigurtë për t’iu ofruar qytetarëve mbrojtjen shëndetësore që meritojnë, drejt Mbulimit Universal.
Check-up i kursen shoqërisë $125mln dhe parandalon 450 vdekje të parakohshme në 10 vjet
Zbulimi i hershëm i sëmundjeve, përveç se shpëton jetë, sjell edhe përfitim ekonomik për shoqërinë, sepse kursen shpenzimet e ardhshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor. Këto janë rezultatet e përvojës ndërkombëtare lidhur me diagnostikimin e hershëm dhe parandalimin.
Bazuar në të dhëna që vijnë nga përvoja botërore, p.sh., nga analiza e kosto-përfitimeve të NHS (National Health Service–Shërbimi Kombëtar i Kujdesit Shëndetësor në Angli), të vendosura në kontekstin shqiptar, me kurs këmbimi PPP (Purchasing Power Parity), rezulton se, me Programin e Kontrollit Bazë Pa Pagesë 40-65 vjeç, do të arrihet të kursehen kosto për shpenzime shëndetësore rreth 125 milionë dollarë në 10 vjet, si dhe do të parandalohen 450 vdekjeve të parakohshme.
Kursimi do të vijë, së pari, nga kostoja më e ulët me të cilin e ofron këtë shërbim partneri privat, së dyti, nga parandalimi i sëmundjeve të rënda të kushtueshme, dhe së treti, nga ofrimi i këtij shërbimi pranë mjekut te familjes, i cili ka qenë një shërbim tërësisht i munguar në shërbimin shëndetësor parësor.
Një kontroll bazë shëndetësor përfshin vlerësimin e riskut shëndetësor për 7 çështje të rëndësishme të shëndetit të çdo qytetari. Ato janë: 1) Hipertensioni arterial; 2) Obeziteti; 3) Duhanpirja; 4) Kolesteroli; 5) Dieta e varfër; 6) Inaktiviteti fizik; 7) Përdorimi i alkoolit. Gjithçka që evidentohet gjatë kontrollit regjistrohet në dosjen elektronike shëndetësore, dhe më tej, në varësi të vlerësimit të riskut, bëhet komunikimi i tij, dhe fillon procesi i menaxhimit të riskut.
Për kontrollin e një personi 40-65 vjeç, Fondi i sigurimit shëndetësor i paguan kontraktorit 1537 lekë (pa përfshirë TVSH e cila transferohet në buxhetin e shtetit). I njëjti protokoll i kontrollit pa pagesë në sistemin publik kushton rreth 5200 lekë, ndërsa në sistemin privat kushton rreth 8000 lekë.
Kontraktorit i garantohet pagesa për 475 mijë kontrolle në vit, në qoftë se në një vit të caktuar, numri i kontrolleve nuk e tejkalon këtë kufi. Por, bazuar në përvojën botërore të OBSH-së, pritet që pas vitit të parë të programit, numri i kontrolleve të jetë mbi 520 mijë në vit.
Kostoja totale e programit pritet të jetë 64 milionë dollarë në 10 vjet dhe jo 120 milionë euro, siç është pretenduar nga zëra publikë. Ndërsa përfitimet totale nga programi pritet të jenë 189 milionë dollarë. Pra,kursimi neto pritet të jetë 125 milionë dollarë në 10 vjet (1 dollar = 125 lekë).
Pas fillimit më 1 prill 2015, dhe një periudhe konsolidimi dy-mujore, në periudhën qershor–dhjetor 2015, kontrollin e kanë bërë 210 mijë vetë (mesatarisht 30 mijë në muaj). Në vitet në vazhdim, pritet që kontrollet t’i kryejnë mbi 43 mijë persona në muaj.
Të dhënat e deritanishme tregojnë se 18% e personave që kanë bërë kontroll vuajnë nga tensioni i lartë arterial pa e ditur këtë gjë. Ndërkohë rreth 4% e pacientëve që ishin me diabet, nuk e dinin se e kishin këtë sëmundje.
24-30 Janar 2016 – Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës
Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është një fushatë sensibilizuese evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te femrat.
Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës. Ai është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë sidomos në vendet në zhvillim, me rreth 445.000 raste të reja në vitin 2012. Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën. Në vitin 2012, rreth 270.000 gra kanë vdekur nga kanceri i qafës së mitrës në vendet në zhvillim. Në këto vende, mundësia e kufizuar për kontroll bën që sëmundja të identifikohet kur ka përparuar dhe janë shfaqur shenjat. Përveç kësaj, mundësitë për trajtim në fazë të vonshme janë të pakta, duke rezultuar në norma më të larta të vdekjes nga kanceri i qafës së mitrës në këto vende.
Në Shqipëri raportohen rreth 100 raste të reja çdo vit nga Shërbimi i Onkologjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” dhe më shumë se 1/3 e tyre përfundojnë në vdekje. Më tepër se gjysma e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara, kur trajtimi është shumë më pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë. Tashmë është e njohur se kanceri i qafës së mitrës së bashku me kancerin e gjirit janë bërë kërcënim kryesor i shëndetit të grave në Shqipëri. Por, ka dy elemente që e bëjnë kancerin e qafës së mitrës një prioritet: a) mosha e re e shfaqjes krahasuar me llojet e tjera të kancerit, e rrjedhimisht nivel i lartë i viteve të jetës së humbur b) depistimi është shumë i favorshëm-më i favorshmi mes gjithë llojeve të kancerit.
Në Shqipëri, depistimi për kancerin e qafës së mitrës konsiderohet prioritet, por ende një pjesë e grave paraqiten në faza shumë të vonshme kur është vështirë të trajtohen. Prandaj, në paketën e rishikuar të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor janë përfshirë edhe shërbimet për parandalimin dhe kontrollin e kancerit të traktit riprodhues, përfshi ato për kancerin e qafës së mitrës. Ndërkohë ka përfunduar hartimi i udhërrëfyesit dhe i protokolleve për mënyrën si duhet punuar për kancerin e qafës së mitrës në shërbimet e kujdesit parësor.
Për më tepër informacion klikoni ne linkun më poshtë:
ishp.gov.al/event/24-30-janar-2016-java-evropiane-e-parandalimit-te-kancerit-te-qafes-se-mitres
Receta elektronike- Standart i ri transparence dhe modernizim i kujdesit shëndetësor
Më datë 19.01.2016 në qytetin e Durrësit u bë prezantimi i recetës elektronike, tashmë nje realitet për mjekët dhe qytetarët që kërkojnë shërbime shëndetësore.
Merrnin pjesë Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama, Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqaj, Drejtoresha e Përgjithshme e FSDKSH Znj. Vjollca Braho, Kryetari i Bashkisë Durrës z. Vangjush Dako, deputjetja e Durrësit znj. Klodiana Spahiu, drejtues të institucioneve shëndetësore në vend si dhe mjekë dhe infermierë të qëndrave shëndetësore të rrethit të Durrësit.
Kreu i qeverisë në fjalën e tij theksoi se Receta Elektronike do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit në harkun e këtij viti, duke bërë të mundur një panoramë më të qartë të problematikave dhe nevojave, bazuar në statistikat e sëmundshmërisë.
Kryeministri u shpreh më tej se reforma në shëndetësi është një sfidë komplekse, e cila prek fizikisht dhe shpirtërisht njeriun që ka nevojë për shërbimin mjekësor.
Reforma në shëndetësi, shtoi ai, është jo për të garantuar pushtetin e sotëm, por të përcaktojmë një rrugë që merr parasysh atë që duhet të bëjë shteti në të ardhmen.
Ministri i Shëndetësisë z.Ilir Beqaj deklaroi se tashmë receta elektronike është një realitet i prekshëm, i cili ka nisur aplikimin me sukses në qytetin e Durrësit. Ai theksoi rëndësinë e informatizimit të shërbimeve shëndetësore, si një proces që projekton të ardhmen e mjekësisë moderne.
Në fjalën e saj Drejtoresha e Përgjithshme e FSDKSH, Znj. Vjollca Braho u ndal në rëndësinë e projektit të recetës elektronike, si një risi që do të sjellë një ndryshim rrënjësor qoftë në shërbimin ndaj pacientëve, por edhe në kontrollin që i bëhet të gjithë procesit deri në marrjen e barnave në farmaci. Tashmë me anë të Recetës Elektronike, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka një panoramë të qartë dhe të plotë të zinxhirit pacient – mjek që në fillesat e tij, duke na dhënë mundësinë që të rrisim saktësinë në përcaktimin e barnave, për të patur në kohë reale informacion dhe raporte për barnat, recetat, mjekët dhe farmacitë për qëllime monitorimi dhe rimbursimi. Aplikimi i këtij programi eleminon fenomenin e recetave fiktive në rimburisim si dhe shmang abuzimet me recetat e rimbursuara.
Gjithashtu ajo garantoi përkushtimin e saj dhe të gjithë stafit që drejton për të përmbushur me sukses sfidën e implementimit të këtij projekti në Drejtoritë e tjera Rajonale të Fondit dhe për të realizuar një ndër objektivat kryesorë të punës, që është rritja e cilësisë së shërbimit mjekësor dhe farmaceutik për të gjithë qytetarët.