Ministri i Shëndetësisë dhe Drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH-së, dr. Astrit Beci, prezantojnë kartën e shëndetit

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor(FSDKSH), dr. Astrit Beci, prezantuan kartën e shëndetit, një projekt i FSDKSH, i bërë tashmë realitet në të gjithë Shqipërinë.

Deri tani, janë shpërndarë 12 mijë kartat e para në Tiranë dhe në rrethe, por duhet thënë që ky do të jetë një proces gradual, pra karta e shëndetit do të zëvendësojë hap pas hapi librezën shëndetësore. Kjo do të thotë se, të gjithë të siguruarit që kanë një librezë të vlefshme, nuk kanë nevojë ta zëvendësojnë menjëherë atë me kartën e re, por fillimisht do të përfitojnë ata persona të cilëve u ka mbaruar apo skaduar libreza e shëndetit.

“Që në fillim dua të theksoj se ndryshe nga libreza, karta është falas dhe qytetarët do ta përfitojnë sipas kategorisë së cilës i përkasin, pranë pikave të shpërndarjes të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, tha drejtori i Fondit, dr. Astrit Beci.

“Risitë e kartës janë pozitive për të gjithë sistemin, janë në radhë të parë pozitive për vetë qytetarët, por padyshim janë pozitive për mjekët dhe farmacistët por edhe për vetë sistemin e referimit dhe për sistemin e informacionit shëndetësor”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj.

  • Avantazhi kryesor i kartës së shëndetit lidhet me lehtësimin e pacientëve dhe shkurtimin e kohës së marrjes së shërbimeve shëndetësore. Më konkretisht:
  • Karta e shëndetit lehtëson pacientët, sidomos pensionistët apo veteranët të cilët nuk kanë nevojë të rinovojnë periodikisht kartën, sikurse ndodh sot me konsumimin e fletëve të librezës së shëndetit. Më konkretisht, një pensionist i cili sot ka nje libreze shendetesore dhe i kane mbaruar fletet e librezes – duhet te shkoje ne te njejten pike ku sot merr librezen e shendetit dhe te kete me vete librezen e vjeter dhe karten e identitetit. Punonjesi yne ne piken e shperndarjes – i printon ne vend karten e re – te cilen e ka pergjithmone, pra nuk ka nevoje ta rinovoje.
  • Fale kartes se shendetit, shkurtohet edhe koha e pritjes së pacientëve sa herë vizitohen pranë mjekut të familjes, pasi mjekët nuk do të jenë më të detyruar të plotësojnë faqet e librezës për çdo recetë të lëshuar.
  • Pacienti do të marrë më shpejt shërbimin në farmaci për recetat e rimbursueshme, pasi evitohet koha e pritjes për regjistrimin e fletëve të librezës.
  • Nje tjeter avantazh i kartes se shendetit është se ajo eshte e printuar , ndersa libreza shëndetësore plotësohet me dorë.
  • Gjithashtu karta realizon lidhjen e ID kombëtare me personin përfitues, duke ofruar mundësi për shkëmbimin e të dhënave me institucione të tjera në sistem.

 

Kush përfiton nga karta e shëndetit?

Përfitojnë të gjithë të siguruarit: pensionistët, veteranët, invalidët, të punësuarit, të vetëpunësuar, të siguruar vullnetarisht, fëmijët, gratë shtatzëna, personat që trajtohen me ndihmë ekonomike, punëkërkuesit, viktimat e trafikimit etj.

Si perfitohet karta?Cila eshte rruga qe ndjek nje i siguruar per t’u pajisur me karte shendeti.

Po paraqesim disa shembuj konkretë:

Nje pensionist, i cili sot ka nje libreze shendetesore dhe i kane mbaruar fletet e librezes – duhet te shkoje ne te njejten pike ku sot merr librezen e shendetit dhe te kete me vete librezen e vjeter dhe karten e identitetit. Punonjesi yne ne piken e shperndarjes – i printon ne vend karten e re – te cilen e ka pergjithmone, pra nuk ka nevoje ta rinovoje.

Shembull tjeter:

Ju jeni nje i punesuar qe keni nje libreze shendetesore se ciles I ka skaduar afati. Ju duhet te shkoni ne te njejten pike ku keni marre librezen e shendetit per tu pajisur me karten e re. Duhet te keni me vete karten e identitetit dhe librezen e kontributeve. Operatori yne me te dhenat qe I ka ne sistem, ju printon ne vend karten e re.

Shembull tjeter:

Psh jeni i punesuar dhe keni paguar rregullisht kontributet, por nuk keni patur asnjehere libreze shendetesore. Si mund te pajiseni me karte shendeti ne kete rast.

Nese nuk jeni i regjistruar prane mjekut te familjes, duhet te zgjidhni nje mjek ne qendren shendetesore te zones ku ju banoni. Mjeku qe ju perzgjodhet, ju regjistron ne regjistrin elektronik te pacienteve te tij. Pas kesaj, ju shkoni ne piken e shperndarjes se kartes se shendetit, duke patur me vete me karten e identitetit dhe librezen e kontributeve.

Per sqarim- karta e shendetit shperndahet ne te njejtat pika, ku sot shpenrdahen librezat shendetesore, pra ne Tirane jane prane Qendrave Shendetesore ndersa ne rrethe jane prane degeve te Fondit ne cdo rreth. Bashkelidhur gjeni pikat e shperndarjes se kartes dhe dokumentacionin qe duhet per tu pajisur me karte.

Më poshtë, fjalët e plota të Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj dhe e drejtorit të Përgjithshëm të Fondit, dr. Astrit Beci

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj

“Sot duam të paraqesim nëpërmjet jush para publikut kartën e shëndetit. Eshtë një mjet I ri identifikues, që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lëshon për të gjithë personat e interesuar që kanë marëdhënie me Fondin. Sikurse dihet, deri më sot, njerëzit kanë qenë të pajisur me këtë librezë shëndetësore. Tashmë kjo librezë, do të zëvendësohet me kartën e shëndetit. Karta e shëndetit është një inovacion që ne fusim, si një hap i ndërmjetëm, derisa të arrijmë në shtrirjen e plotë të shëndetësisë elektronike.   Sigurisht që çmojmë që risitë e saj janë pozitive për të gjithë sistemin, janë në radhë të parë pozitive për vetë qytetarët, por padyshim janë pozitive për mjekët dhe farmacistët por edhe për vetë sistemin e referimit dhe për sistemin e informacionit shëndetësor. Praktikisht në vend të një libreze, e cila mbahej nga të interesuarit për sa kohë kohë kishte mundësi, por që sikurse ne e dimë, për të sëmurët kronikë dhe sidomos për pensionistët, ishte një dokument që duhej ta merrje edhe më shumë se 1 herë në vit, tashmë kjo kartë është pa afat.

Së dyti, nëse libreza ka qenë me pagesë, karta tashmë do të jetë pa pagesë. Ne vlerësojmë se, për çdo recetë dhe janë të paktën 300 mijë receta në muaj që lëshohen, çdo mjeku do I duheshin dy minuta për të plotësuar këtë në librezë, tashmë 600 mijë minuta nga koha e punës së mjekëve nuk përdoret më për këtë punë administrative, por është kohë që mjekut I mbetet në dispozicion për më shumë kujdes të drejtpërdrejtë për qytetarët. Dhe aq më tepër që ne po fillojmë programin shëndetësor bazë pa pagesë, mjekëve do tu lëmë shumë më tepër kohë për këtë program dhe për kujdesin në Parësor. Së shpejti ne miratojmë dhe paketën e re që Fondi miraton në Parësor, pra do ti lëmë mjekëve sa më shumë kohë për punën e tyre. e njëjta gjë ndodh dhe me farmacitë, pra farmacistët do të kursejnë në kohën e tyre, 600 mijë minuta, por ndërkohë edhe vetë qytetarëve që prisnin më gjatë në qendrat shëndetësore apo farmaci, do t’ju kursehet kjo kohë. Ndërkohë procesi është I automatizuar. Qendrat Shëndetësore janë të lidhura me serverin qendror të FSDKSH, gjë që na mundëson siguri dhe koherencë të madhe. Ai system ndërlidhet edhe me regjistrin kombëtar të gjendjes civile, për të siguruar në radhë të parë identifikimin e personave, por gjithashtu, sikurse do ta demonstrojmë pas pak, për tu printuar karta duhet të plotësohet një formular, ne, në vend të librezës, do të kemi kartën por edhe të gjithë këtë informacion të lëshuar në momentin e kartës, të dixhitalizuar, gjë që na ndihmon për të patur qoftë një informacion më të plotë shëndetësor, qoftë për të shtuar elementët individual në dosjen elektronike të secilit, gjë të cilën kemi filluar ta ndërtojmë me projektin E-Health të financuar nga Qeveria Austriake. Ajo që dua të shpjegoj është që të gjithë ata persona të cilëve ju mbarojnë fletët e librezës, mund të paraqiten të marrin kartën e shëndetit. Pra viti ku jemi, është një vit I bashkëekzistencës të të dy dokumentave. Kjo edhe për të shpjeguar që, nuk është e domosdoshme të merret menjëherë karta, ata që kanë librezën nuk do të mbeten pa shërbim në javët e ardhshme, pra që të mos kemi një dyndje të të gjithë 600, 700 apo 800 mijë njerëzve që javën e parë. I ftojmë ta shtrijnë marrjen e kartës gjatë vitit, kur kanë nevojë, sepse po e përsëris, nuk do të mbeten pa shërbim se nuk kanë marrë akoma kartën. Karta do të ketë periudhën e vet tranzitore, që të mos krijohet pengesë për asnjë qytetar për marrjen e shërbimit.

Une dua të falenderoj Fondit, drejtorin e Fondit, dr. Becin, por edhe të gjithë grupin e bashkëpunëtorëve të tij, që e konceptuan, e realizuan dhe kanë filluar ta zbatojnë në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në ato pika ku më parë janë lëshuar librezat dhe tani lëshohen kartat.

I jap fjalën drejtorit të Fondit, dr. Becit, për të bërë shpjegimet më të plota dhe më pas do ta demonstrojmë këtu si merret një kartë shëndeti që të jetë më e kuptueshme për ju dhe për publikun”.

Fjala e drejtorit të Përgjithshëm të FSDKSH-së, dr. Astrit Beci:

Fondi në projektet e tij, një nga më të rëndësishmit, kishte dhe pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartën e shëndetit. Mund të themi që ky projekt i Fondit u bë realitet pasi ne kemi shpërndarë rreth 12 mijë kartat e para dhe megjithëse filluam pilotimin në Tiranë, tashmë e kemi shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Qytetarët shqiptarë kudo ku ato ndodhen, mund të pajisen me kartë pranë drejtorive rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për rrethet dhe pranë poliklinikave dhe qendrave tona në Tiranë, meqë Tirana ka një numër më të madh banorësh.

Është e nevojshme të dihet fakti se libreza e shëndetit dhe karta e shëndetit kanë të njëjtën vlefshëmri ligjore, çka nuk ka pse t’i frigojë njerëzit për të marrë menjëherë kartën, pasi ne disponojmë të gjithë numrin e nevojshmë të kartave për të mbuluar të gjithë popullatën sipas kategorive që përfitojnë.

Karta i shërben mbajtjes elektronike të të dhënave, krijmit të një imazhi të ri dhe njohje të re për të gjithë problematikën e sëmundshmërisë kronike në Shqipëri, lehtëson kohën e mjekut për ti shërbyer realisht funksionit të tij si mjek familje, duke i dhënë më shumë kohë për t’u marrë me pacientin, duke shtuar minutat e kontaktit të drejtpërdrejtë me të. Gjithashtu është shumë e domosdoshme për pensionistët apo veteranët, të cilët nuk do të humbin më kohë për të pritur qoftë tek mjeku apo te farmacisti në momentin që ata marrin shërbimin.

Karta e shëndetit është e lidhur dhe me ID kombëtare, çka lejon njohjen dhe bashkërendimin e të dhënave në sisteme të ndryshme.

Diçka tjetër që do theksoja është se, karta është falas, ndryshe nga libreza e shëndetit, për të cilën paguhej nga qytetarët për cdo rinovim të saj.

Mendojmë se ishte një hap i domosdoshëm, ishte nga projektet tona më të mëdha, të cilën e realizuam në kohën e premtuar. Në fund të 2014 e filluam projektin pilot me Tiranën dhe tashmë e kemi shtrirë në të gjithë Shqipërinë.

Ne mendojmë të shtojmë dhe numrin e kompjuterave në njësitë tona të shpërndarjes, me qëllim të uljes së fluksit të njerëzve, që duhet thënë ka qenë një fluks artificial.Por theksojmë edhe një herë se gjatë kësaj kohë, libreza e shëndetit do të jetë e vlefshme njësoj si karta e shëndetit.