Më datë 25 Tetor 2016, në ambientet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u zhvillua një takim dypalësh me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë Turke kryesuar nga Zafer Pamukçu, Këshilltar i Ministrit të Financave dhe Sigurimeve Shëndetësore dhe Dr. Hüseyin Özbay, Drejtor Departamenti, Koordinator në fushën e Sistemeve Shëndetësore. Fondi përfaqësohej në takim nga Drejtori i Përgjithshëm z. Erion Manohasa, znj.Alketa Hila dhe z.Albert Sanxhaku, zv.Drejtorë të Përgjithshëm si dhe përfaqësues të drejtorive teknike.

Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së delegacionit të Ministrisë së Shëndetësisë turke në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë me ftesë të qeverisë shqiptare.

Drejtori i Përgjithshëm i Fondit, z.Erion Manohasa, shprehu kënaqësinë e këtij takimi dypalësh në kuadër të shkëmbimit të eksperiencës dhe arritjeve në sistemin shëndetësor të dy vendeve. Drejtuesit e Fondit prezantuan synimet kryesore të punës që ka institucioni me qëllim që të sigurojë fleksibilitet në financimin e shërbimeve shëndetësore, transparencë në administrim dhe besueshmëri tek qytetarët duke synuar mbulim shëndetësor universal.

Gjithashtu u bë një përshkrim i aktivitetit të deritanishëm dhe punës së institucionit, risitë teknologjike në përmirësimin e shërbimeve ndaj publikut si Karta e Shëndetit on line, paketat shëndetësore dhe aplikimi së shpejti në të gjithë vendin i recetës elektronike.

Gjithashtu në këtë takim, të dy palët vlerësuan rëndësinë e shkëmbimeve të eksperiencave midis institucioneve te përbashkëta duke hapur rrugë takimeve dhe bashkëpunimeve të tjera në vazhdim.