17 Mars 2016 – Analiza vjetore e FSDKSH-së për vitin 2015

Zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme, futja e pajisjeve mjekësore në rimbursim, rritja e nivelit dhe cilësisë së kontrollit ndaj dhënësve të shërbimit të kontraktuar për të eleminuar abuzimet si dhe sensibilizimi i popullatës për pjesëmarrje në Kontrollin Mjekësor Bazë do të jenë disa ndër objektivat kryesorë të punës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2016.

Gjatë analizës vjetore të punës së FSDKSh-së për vitin 2015, ku mori pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, Zoti Ilir Beqaj, në fjalën e saj Drejtorja e Përgjithshme e Fondit, Znj. Vjollca Braho theksoi se gjatë vitit të kaluar janë konstatuar një sërë problemesh, mes tyre abuzime me skemën e rimbursimit të barnave, që kanë sjellë dëm financiar në buxhetin e shtetit, por edhe dëmtim të imazhit të institucionit duke dëmtuar edhe interesin e qytetarëve. “Këto abuzime janë konstatuar veçanërisht në Rajonin e Tiranës, e që lidhen me subjekte farmaceutike, të cilat kishin kontratë me Drejtorinë Rajonale të Fondit Tiranë. Këto subjekte farmaceutike financoheshin për shërbime që në fakt rezultuan se nuk i ishin ofruar ndonjëherë qytetarëve. Për këtë arsye ato ju referuan organeve të Prokurorisë hetimi i të cilave çoi në zgjerimin e rrethit të subjekteve farmaceutike nën hetim. Paralelisht me organin e Prokurorisë në vijim të punës gjatë vitit 2015 u intesifikuan kontrollet nga Drejtoria e Kontrollit Parësor e Farmaceutik në 692 subjekte të kontraktuara me Fondi”, deklaroi znj. Braho. Duke iu referuar rasteve të mësipërme, gjatë 2015-ës është konstatuar se midis depove farmaceutike dhe farmacive të kontraktuara ekzistonte një lidhje në këtë skemë mashtrimi. Pra u vu re që depot lëshonin fatura fiktive drejt farmacive pa i shoqëruar këto me barin përkatës, ndërsa farmacitë paraqisnin receta fiktive për rimbursimin e barnave që nuk tregëtoheshin nga këto depo farmaceutike. “Si pasojë e këtyre shkeljeve të konstatuara janë marrë vendime për zgjidhjen e kontratave për 20 subjekte farmaceutike, ndërkohë që për 50 subjekte të tjera nga të cilat 36 farmaci dhe 14 depo farmaceutike dokumentacioni u është përcjellë organeve të Prokurorisë. Dëmi i konstatuar nga këto kontrolle është rreth 68 milionë lekë, një pjesë e të cilave tashmë është arkëtuar dhe po punohet për rikuperimin e pjesës tjetër”, vazhdoi Braho.

Një nga projektet më të rëndësishme të Fondit për 2015  ishte programi i kontrollit bazë për grupmoshat 40 deri 65 vjeç, i njohur gjerësisht tashmë si “Check Up”. Falë këtij projekti rreth 917 mijë persona në të gjithë vendin kanë të drejtë të përfitojnë kontroll pa pagesë, duke u paraqitur tek mjeku i familjes pranë qendrave shëndetësore, në muajin e lindjes së tyre. “Pavarësisht përpjekjeve të bëra jo çdo gjë shkoi ashtu siç pritej. Problemet e ndryshme infrastrukturore bënë që procesi të mos niste që në fillim të vitit. Po kështu, lëvizja demografike e qytetareve dhe mungesa e një adrese të saktë për banorët, kushtëzoi mundësinë e njoftimit të tyre. Si rrjedhojë, funksionuan në përgjithësi ftesat për banorët, nga mjeku i familjes dhe personeli infermieror i qendrave shëndetësore, si dhe vetë dëshira e banorëve për të realizuar këtë proces. Në funksion të tyre, u angazhua stafi mjekësor e infermieror i qendrave shëndetësore. Përvec kësaj, përmes partneritetit publik privat, janë ngritur dhe kanë funksionuar 380 kabinete të kontrollit mjekësor bazë. Për 60 Qendra Shëndetësore me infrastrukturë të vështirë, shërbimi i kontrollit bazë është realizuar me kabinete të lëvizshme. Në total për periudhën mars – dhjetor 2015 është bërë e mundur që të kryejnë “Kontrollin Bazë” 244 420 persona”, vazhdoi kreu i FSDKSh-së.

Përsa i përket kartës së shëndetit, Braho sqaroi se pavarësisht se ka pasur probleme pasi janë konstatuar rradhë të gjata, karta ka sjellë përfitim kohor dhe rritjen e rolit të mjekut të familjes, në funksion të shërbimit ndaj pacientëve. Ndërkohë për sa i përket listës së barnave me rimbursim gjatë vitit 2015 u shtua me 29 alternativa të reja. Ajo përmban 1.029 alternativa tregëtare, nga të cilat 489 janë aternativa të para, nga 477 që përmbante Lista e Barnave te Rimbursuara në vitin 2014. Lista e vitit 2015 ka 12 principe aktive më shumë se ajo e vitit 2014, pra 280 principe aktive, nga 268 që përmbante lista paraardhëse.  Vendimi që çmimet e barnave në vendin tone të jenë të krahasueshme me 5 vende të huaja u shoqërua me ulje me rreth 12.5 për qind të çmimeve të barnave të aplikuara në listen e barnave të rimbursueshme. Kjo solli një përdorim më me kosto-efektivitet të këtij programi të përfitimit nga skema e sigurimeve shëndetësore.

Gjatë vitit 2015 u zbatuan në një shtrirje gjithëvjetore paketat shëndetësore, që financohen nga skema e sigurimeve shëndetësore. Këto paketa janë realizuar si nga spitalet publike ashtu edhe nga institucionet jopublike të shëndetësisë, që janë kontraktuar për shkak të kapaciteteve të limituara të spitaleve publike, duke synuar, plotësimin e nevojave të popullatës. Kështu, gjatë vitit 2015 është ofruar shërbimi i hemodializës për rreth 880 pacientë, 34 për qind e të cilëve në spitalet publike (QSUT, spitalet rajonale Elbasan, Gjirokastër, Shkodër), dhe 66 për qind në 4 institucione jopublike. U realizuan 5 266 paketa të kardiologjisë, nga të cilat 84 për qind në spitalet publike dhe 16 për qind në institucione jopublike të kontraktuara. Gjithashtu, gjatë 2015 u realizuan 801 paketa të kardiokirurgjisë, nga të cilat 86% në QSUT dhe 14 për qind në institucione jopublike. Në institucione jopublike janë realizuar edhe 8 transplante të veshkës. Këto paketa jane financuar nga Fondit me nje vlere rreth 2.2 miliardë lekë, në shërbim të përmirësimit të jetesës së popullsisë, si dhe duke ulur ndjeshëm kohën e pritjes së pacientëve.

Ndër projektet më të sukseshëm gjatë vitit 2015 ishte ai i recetës elektronike që u vu në zbatim gjatë vitit 2015, ku bëjnë pjesë 18 qendra shëndetësore dhe kanë akses 130 mjeke te pergjithshem familjes dhe 75 subjekte farmaceutike. Ky sistem mundëson komunikim online me Regjistrin Themeltar te Gjendjes Civile, regjistrin e Barnave të regjistruara, si dhe Regjistrin e banorëve të pajisur me karta shëndetësore.

Në këtë kuadër Braho theksoi se objektivat që ka Fondi për vitin 2016 janë të mëdha dhe do të fokusohen në disa fusha të ndryshme. “Ne duhet të bëjmë të mundur jo vetëm shtrirjen e projektit të recetës elektronike në të gjithë vendin por edhe implementimi i sistemit të firmës elektronike për mjekët e farmacistët të shoqëruar me krijimin e DATACENTER-it Kombëtar të Fondit”, deklaroi Braho. Ndërkohë në kuadër të eleminimit të abuzimeve me skemën e barnave të rimbursueshme, ajo theksoi se është e domosdoshme rritja e nivelit dhe cilësisë së kontrollit ndaj dhënësve të shërbimit të kontraktuar. Në kuadër të përmirësimit të kujdesit shëndetësor Drejtorja e FSDKSH-së deklaroi se për vitin 2016 do të punohet për “zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme, futjen e pajisjeve mjekësore në listën e rimbursimit për vitin 2016, financimin e paketave spitalore në kapacitete të ngritura në spitale të tjera publike si dhe zgjerimin e partneritetit publik – privat, në funksion të ofrimit të shërbimeve dhe paketave shëndetësore në rajone të tjera të vendit, si dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit në spitalet publike. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Z. Ilir Beqaj e vuri theksin në rritjen e financimit që vijnë nga buxheti i shtetit për kujdesin shëndetësor. “Për herë të parë nga 100 lekë që që shpenzohen  nga qytetarët, 55 lekë financohen nga paratë publike”, deklaroi Ministri Beqja. Sipas tij falë uljes së çmimeve të barnave është bërë e mundur zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme gjatë vitit 2015, ndërkohë që kjo listë do të zgjerohet sërish për 2016 por do të përfshijë edhe pajisjet mjekësore.

 Fjalimi i Drejtores se Pergjithshme te FSDKSh, Vjollca Braho. pdf

Karta e Shëndetit online, vetëm me dokumentin e identifikimit

9Njoftim, 25 Shkurt 2016

Prej 15 shkurtit ka nisur shpërndarja online e Kartës së Shëndetit. Kjo mënyrë e re e aplikimit bën të mundur pajisjen e qytetarëve me Kartën e Shëndetit me anë të një dokumenti të vetëm, Kartës së Identitetit.

Prezantimi i këtij projekti u zhvillua gjatë ditës së sotme në Qendrën Shëndetësore nr.9 në Tiranë ku morën pjesë Kryeministri Z. Edi Rama, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, Drejtorja e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Znj Vjollca Braho, Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj dhe Zëvendës Ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Falë këtij shërbimi është bërë e mundur eleminimi i ecejakeve të qytetarëve për tu pajisur me dokumenta të tjera shtesë që nevojiteshin për tu pajisur me kartë shëndeti. “Informatizimi i këtij shërbimi bën të mundur lidhjen dhe marrjen në kohë reale të informacionit në disa institucione njëherësh, regjistrin e Gjendjes Civile, regjistrin e pensioneve, regjistrin e kontribuuesve, regjistrin e punëkërkuesve, si dhe regjistrin e ndihmës ekonomike. Për qytetarët, kjo eliminon një radhë dokumentash që nevojiteshin deri dje, redukton vajtje-ardhjet nga një zyrë në tjetrën dhe shkurton kohën e shërbimit”, deklaroi Znj. Braho, gjatë prezantimit të sistemit. Duke vënë theksin në përparësitë që ka aplikimi i sistemeve informative, Braho sqaroi se bashkë me recetën elektronike mundëson kontrollin online të sistemit. “Me përfundimin e recetës elektronike në të gjithë Shqipërinë, pas realizimit me sukses në qytetin e Durrësit, bëhet e mundur që ne të kemi nën kontroll të gjithë sistemin, duke filluar që  nga vizita tek mjeku i familjes, pajisja me recetën elektronike, marrja e ilaçeve në farmaci”, u shpreh Vjollca Braho. Ndërkohë, Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama theksoi se tani falë këtij sistemi jo vetëm janë eleminuar rradhët e gjata të qytetarëve edhe u janë ofruar një sërë lehtësish të tjera. “Për të çmontuar të gjithë atë barrë të tmerrshme që kishin dhe vazhdojnë të kenë në zona të ndryshme njerëzit dhe mjekët, duhet paralelisht me ndryshimet strukturore, edhe një reformim rrënjësor i formës së shërbimit dhe kalimin në shërbimin shëndetësor elektronik. Receta elektronike, nga njëra anë, Karta e Shëndetit e marrë elektronikisht, nga ana tjetër janë dy hapa, jo të gjitha, që sjellin një lehtësi shumë të madhe. Përfundimisht, të gjithë ato radhë të tmerrshme, që i përjetuam edhe nëpërmjet televizionit në zona të ndryshme, evitohen plotësisht dhe e gjitha funksionon shpejt, por më e rëndësishme, në mënyrë transparente dhe në mënyrë të tillë që çdo gjë e shkruar mbetet aty,” u shpreh Kryeministri Rama. Ndërkohë falë mbështetjes së dhënë edhe nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, të gjithë qytetarët që janë të regjistruar në regjistrin e pacientëve pranë mjekut të tyre të familjes mund të futen në portalin qeveritar e-albania dhe ta printojnë vetë Kartën e Shëndetit pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet e Fondit. Shpërndarja e Kartës së Shëndetit ka nisur në dhjetor të vitit 2014 dhe gjatë vitit të shkuar u shpërndanë rreth 692 500 karta. Nga janari i këtij viti deri më tani janë shpërndarë mbi 320 mijë Karta Shëndeti.

 

18 Shkurt 2016 – Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit në Analizën vjetore të Drejtorisë Rajonale, Tiranë

Gjatë analizës vjetore të punës së Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Tiranës, Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit znj. Vjollca Braho vuri theksin në atë ç’ka duhet bërë jo vetëm në drejtim të rritjes së kontrollit të punës që nga mjeku i familjes deri të farmacisti por edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimit që duhet t’u ofrojmë qytetarëve. 

Falë punës tonë ne do t’i kthejmë imazhin e humbur DRFSDKSh-së Tiranë!- u shpreh më tej znj.Braho

 

19 Shkurt 2016 – Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit në Analizën vjetore të Drejtorisë Rajonale, Vlorë

Znj. Vjollca Braho në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit në Vlorë për të parë nga afër situatën dhe për të vendosur objektivat e punës për vitin 2016.

“Me punë çdo ditë do të realizojmë atë që qytetarët presin nga ne! Tashmë po përfundojmë testimet e fundit dhe brenda pak ditësh Karta e Shëndetit do të kalojë on line. Eleminojmë sorollatjet e qytetarëve! Shkurtojmë kohën! Përmirësojmë shërbimin!…”- theksoi në fjalën e saj znj.Braho.

28 KORRIK – DITA BOTERORE E HEPATITIT

Çdo vit në 28 korrik, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) organizon Ditën Botërore të Hepatitit për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin për hepatitin dhe pasojat që ai shkakton.

 

128 korrik është zgjedhur si Dita Botërore e Hepatitit në nder të ditëlindjes së profesor Baruch Blumberg Samuel, zbuluesit të virusit të hepatitit B dhe vaksinës së parë të hepatitit B.

 

Në Ditën Botërore të Hepatitit 2016, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bën thirrje politikëbërësve, stafit shëndetësor dhe publikut :

“Të njohin hepatitin, të veprojnë tani!”

OBSH-ja bën thirrje që të informohemi në lidhje me infeksionin, të ndërmarrim nisma pozitive për të njohur statusin e infektimit me virusin e hepatiteve duke u testuar, dhe së fundi, të kërkojmë trajtim për të reduktuar vdekjet e panevojshme nga ky infeksion i parandalueshëm dhe i trajtueshëm.

Mesazhet kryesore të Ditës Botërore të Hepatitit 2016

Njih hepatitin – A JE NË RREZIK?

Hepatiti viral B dhe C prek 400 milionë njerëz në gjithë botën. 130-150 milionë njerëz kanë hepatit kronik C. Hepatiti shkakton 80% të vdekjeve prej kancerit të mëlçisë. Duke pasur parasysh madhësinë e epidemisë, çdokush dhe të gjithë mund të jetë në rrezik.

Njih hepatitin – TESTOHU!

Rreth 95% e njerëzve me hepatit nuk janë në dijeni të infeksionit të tyre. Në shumë vende, testet e hepatitit janë komplekse dhe mund të jenë të kushtueshme, por udhëzuesi i OBSH-së mbi testimin për hepatitin do t’u japë vendeve këshilla për strategji të thjeshta testimi që do t’i ndihmojnë ata për të mundësuar shërbime testimi për hepatitin.

Njih hepatitin – KËRKO TRAJTIM!

Globalisht, mungesa e ndërgjegjësimit dhe qasja e dobët ndaj shërbimeve të trajtimit të hepatiteve do të thotë se, shumica e njerëzve që kanë nevojë për trajtim nuk e marrin atë.
Mbi 90% e njerëzve me hepatit C mund të shërohen plotësisht nga virusi brenda 3-6 muajve.
Trajtimi i duhur i hepatitit B dhe C mund të parandalojë zhvillimin e shumicës së komplikacioneve të rrezikshme për jetën prej sëmundjeve kronike të mëlçisë shkaktuar nga hepatiti; cirozë dhe kancer i mëlçisë.
OBSH-ja këshillon që me rritjen e shkallës së trajtimit, 7 milionë jetë mund të shpëtohen mes viteve 2015 dhe 2030, me mjaft përfitime ekonomike.

Hepatiti viral – një grup i sëmundjeve infektive të njohura si hepatiti A, B, C, D dhe E – ndikon jetën e qindra miliona njerëzve në mbarë botën, duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë dhe vrasjen e afër 1.4 milionë njerëzve çdo vit, kryesisht nga hepatiti B dhe C. Është vlerësuar se vetëm 5% e njerëzve me hepatit kronik e dinë që janë të infektuar, dhe më pak se 1% e tyre kanë qasje në trajtim.

Burimi: ISHP /http://shendeti.com.al/