Njoftime Maj 2015

Banorët e Razmës dhe Thethit në zonën malore të Alpeve, por edhe turistët që vizitojnë këto treva, do të kenë mundësi të përfitojnë tashmë një shërbim cilësor shëndetësor të standardeve të larta. Një investim i projektit të kompanisë së telefonisë AMC dhe Zyrës GIZ për të modernizuar ambulancat në Alpet e Shqipërisë, pajisi me me mjete moderne shëndetësore dhe komunikimi qendrat shëndetësore të këtyre zonave të mirënjohura të turizmit malor në vend.

Të dyja këto zona turistike kanë pasur nevojë për një qendër shëndetësore moderne dhe me pajisje të mira, pasi gjatë gjithë vitit këtu ka vizitorë dhe fluksi i turistëve është gjithnjë e në rritje, kështu që seti i pajisjeve moderne mjekësore të mundësuara nga ky projekt përmban të gjitha mjetet e nevojshme si vendosjen e një kompjuteri, lidhjen e qëndrueshme të shërbimit të Internetit dhe kamerën, me të cilat punonjësit e ambulancës mund të komunikojnë me Spitalet Rajonale të Shkodrës dhe Tiranës.

Qendra shëndetësore e Razmës është përfshirë në një listë me 22 qendra shëndetësore ku do të përforcohet shërbimi shëndetësor nga 1 qershori deri më 31 gusht me shërbim 24 ore dhe me pajisje të reja, me furnizim me barna dhe materiale mjekësore shtesë, në mënyrë që t’i përgjigjemi nevojave që ka ky sezon turistik.

 

Është prezantuar dje nga Kryeministri i Shqiperise z.Edi Rama, portali unik qeveritar e-Albania. Ky portal shërben si një portë, nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri. Ky portal, së bashku me platformën qeveritare të ndërveprimit mes institucioneve,  me 150 shërbime te reja  nga 12 që kishte në 2013, ofron shërbime elektronike për qytetarët, bizneset madje dhe vetë nëpunësit, nëpërmjet një pike të vetme kontakti, që nga pagesa e taksave, faturave të energjisë, regjistrimin e një biznesi e shumë të tjera.

Në këtë prezantim mori pjesë dhe Drejtori i përgjithshëm i FSDKSH z. Astrit Beci.  Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është një nga institucionet  në listën e institucioneve për dhënie të shërbimeve kryesore.

Në një kohë të shkurtër është realizuar një transformim rrënjësor në drejtim të modernizimit të marrëdhënieve të institucioneve me qytetarët si edhe të ndërveprimi mes institucioneve, për një shërbim shumë më transparent, shumë më të shpejtë, shumë më cilësor për qytetarët, por mbi të gjitha për një shtet që në tërësinë e vet është shumë më i paprekshëm nga korrupsioni.

Adresa e portalit e-albania është: www.e-albania.al .

 

Nga data 15-18 Maj 2015, në ambientet e Hotel Tirana International & Conference Center, u mbajt Kongresi II Ballkanik i Anestezi- Reanimacionit me temë “Tematikat Aktuale në Anestezi dhe në Kujdesin Intensiv”.

Në këtë aktivitet përkrah profesorëve të njohur të Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi, Greqisë, Maqedonisë, Italisë, Kosovës etj. dhe specialistëve të ndryshëm në lidhje me fushën në fjalë, ishte pjesëmarrës edhe Dr. Astrit Beci, i cili referoj një punim shkencor në fushën e Okulistikës me tematikë: “Anestezia Lokale në kirurgjinë e segmentit anterior të syrit dhe komplikacionet e saj”.

Tema e tij u fokusua mbi:

  • avantazhet dhe disavantazhet e anestezisë lokale vs. asaj totale;
  • shenjat, simptomat dhe komplikacionet që vijnë nga anestezia lokale gjatë ndërhyrjes kiriurgjikale në këtë segment të syrit;
  • kriteret themelore që duhet të kenë parasysh kirurgët e syrit gjatë ndërhyrjes së kirurgjikale.

Tematikat u trajtuan në një aspekt të gjerë, gjë që nxiti diskutime dhe pyetje të shumta rreth eksperiencave te specialistëve të ndryshëm në lidhje me fushën në fjalë.

 

Ditën e djeshme, datë 11.05.2015, ora 19.30 u zhvillua ceremonia e hapjes zyrtare të Panairit të 1-rë të Teknologjisë në Shqipëri “High-Tech Show 2015”, në të cilin prezantohen për herë të parë risitë teknologjike në shërbimet publike.

Pas fjalëve përshëndetëse nga Zv.Kryeministri Z.Niko Peleshi, Ministria Inivacionit Znj. Milena Harito dhe Administratori i TiranaEXPOCentre Z.Loritan Prespa, një cocktail i përgatitur për të pranishmit çeli siparin e këtij edicioni.

FSDKSH mori pjesë në këtë panair me një prej risive të këtij viti – kartën e shëndetit.

Në dy ditët në vijim, në stendën tonë do të mund të gjeni të ekspozuar të gjitha materialet informuese mbi kartën e shëndetit, si dhe materiale të tjera promocionale të Fondit si fletëpalosje të fushatës sensibilizuese “Si je?”, Revista “Fokus”, informacione mbi paketat shëndetësore, libri “Kush Paguan” Financimi i shërbimeve shëndetësore në Shqipëri (botimi më i ri i Fondit), etj.

Për më tepër informacion Ju ftojmw t’i drejtoheni Qendrës Tirana EXPO Centre dhe stendës sonë ku do të keni mundësinë të takoheni me specialistët tanë dhe të merrni  një informacion më të specializuar mbi kartën e shëndetit dhe hapat që ju duhet të ndiqni për tu pajisur me këtë kartë.

 

Drejtori i FSDKSH, dr. Astrit Beci inspektoi zbatimin e programit të Kontrollit Mjekësor Bazë pa pagesë për personat e grupmoshës 40–65 vjeç në qytetin e Lezhës. Së bashku me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, z. Viktor Tusha, panë nga afër ecurinë e Kontrollit Mjekësor Bazë.

Drejtori i FSDKSH u shpreh: “Ky është një nga angazhimet themelore të programit të Qeverisë, me synim përmirësimin e kujdesit shëndetësor për të gjithë personat rezidentë në Shqipëri, si një hap i rëndësishëm për të shkuar drejt mbulimit shëndetësor universal”. Ndërsa z. Tusha falenderoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe FSDKSH për punën e bërë në ofrimin e shërbimeve falas për të gjithë popullatën.

Kontrolli Mjekësor Bazë do të shtrihet në të gjithë territorin. Drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH-së dr. Astrit Beci dhe drejtori Rajonal i Fondit në Lezhë, Ermal Pacaj inspektuan edhe Qendrën Shëndetësore në Balldren të Lezhës.

 

Ditën e hënë, datë 20 prill 2015, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri”, në mbështetje të fushatës sensibilizuese për Kontrollin Mjekësor Bazë “Si je”.

Fillimisht përfaqësuesit e FSDKSH zhvilluan një takim me Drejtoreshën e shkollës “Sami Frashëri” dhe një pjesë të stafit të kësaj shkolle, ku u bë një prezantim mbi misionin e FSDKSH dhe iniciativat e tij. Aty u vu theksi në rolin që duhet të luajnë nxënësit dhe të rinjtë, për sensibilizimin e komunitetit të prindërve dhe anëtarëve të familjeve të tyre ndaj fushatës “Si je” dhe nismave të tjera të ngjashme, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit komunitar.

Në vijim u zhvillua një takim me nxënësit organizatorë të këtij projekti. Takimi u hap me një prezantimin mbi rëndësinë e kontrollit mjekësor bazë, të realizuara nga vetë nxënësit, me asistencën e punonjësve të FSDKSH. Më pas z. Aurel Voda, Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun u foli pjesëmarrësve në mënyrë të detajuar, në lidhje me elementet bazë  të paketës “Si je”, si dhe për rëndësinë e kryerjes së kontrolleve mjekësore të rregullta për grup moshat 40 deri 65 vjec.

Gjithashtu, ju vu theksi rëndësisë që kanë iniciativa të tilla organizuar nga nxënësit e shkollave, në sensibilizimin e komunitetit të prindërve dhe të afërmve të tyre. Një cështje tjetër e trajtuar ishte dhe domosdoshmëria e përfshirjes së edukimit fizik të vazhdueshëm në kurrikulat mësimore, si një aktivitet mjaft i dobishëm për shëndetin e cdo moshe dhe parandalimin në kohë të sëmundjeve.

Nga ana e nxënësve u bënë pyetje në lidhje me arsyet e kufizimit të moshës deri ne 65 vjec për kryerjen e kontrolleve, si dhe mbi mundësinë e realizimit të tyre  pranë spitaleve private. Të gjitha pyetjet u sqaruan nga ana e përfaqësuesve të FSDKSH.

Mendohet që ky projekt të shtrihet edhe në shkolla të tjera, duke qenë se posta më e mirë për shpërndarjen e informacionit janë vet brezat e rinjë.

 

Paketat shëndetësore të Kardiologjisë këtë vit do të ofrohen edhe në dy qendra shëndetësore publike, përveç QSUT-së. Bëhet fjalë për Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë si dhe Spitalin Rajonal Shkodër

Paketat shëndetësore të Kardiologjisë do të ofrohen edhe në dy qendra shëndetësore publike, përveç QSUT-së. Bëhet fjalë për Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë si dhe Spitalin Rajonal Shkodër.
“Do të kemi tre qendra publike, që në radhë të parë shtojmë kujdesin për qytetarët. Po t’i shtojmë edhe rreth 1 mijë proçedura që i kemi të programuara me buxhetin e Fondit (FSDKSH) tek privatët, ne arrijmë në 2015-n dyfishimin për dy vjet. Mund të duket si statistikë, por janë 2 mijë njerëz më shumë në 2015-n, në krahasim me 2013-n, që me paratë publike, ose në spitalet publike, ose në spitalet jopublike të financuara nga Fondi me paratë publike, do të arrijnë të marrin këtë shërbim”, u shpreh ministri i Shëndetësisë në takimin me shërbimin e Kardiologjisë në QSUT.
Po cila është rruga që do të ndjekë pacienti për përfitimin e paketave:
Pacientët do ta përfitojnë shërbimin sipas një listë-pritje me rregulla të qarta e transparente. Rruga qe duhet te ndjeke pacienti nis nga zbatimi I sistemit te referimit per te patur konsulten e sherbimit perkates (të nefrologjisë, kardiologjisë, kardiokirurgjisë ose ORL-së). Vendimin nese pacienti ka nevoje per nje pakete sherbimi, e merr pikerisht sherbimi perkates ne QSUT. Më pas pacienti drejtohet ne zyrat e Fondit ku ben regjistrimin. Pacienti fillimisht regjistrohet në institucionet shëndetësore publike në përputhje me kapacitetet e lira të raportuara pranë zyrës së Fondit dhe në rast se, në datën e përcaktuar, nuk ka vende të lira në institucionin shëndetësor publik, atëhere nëpunësi i autorizuar i sektorit bën rregjistrimin e pacientit në mënyrë të barabartë në institucionet shëndetësore private të kontraktuara nga Fondi. Pacientit i merren të dhënat anagrafike dhe adresa, për t’u kontaktuar më pas nga Fondi në momentin e krijimit të mundësisë për marrjen e shërbimit.

 

U mbyll me sukses panairi ndërkombëtar “Medical expo” i cili u mbajt nga data 19-21 Mars 2015, në ambjentet e “ish-Praktiker”, Tiranë me tematikë “Promovimi i Shëndetësisë dhe Industrisë Shëndetësore në Shqipëri”, ku mori pjesë me një stendë të posaçme edhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ky panair ofroi një mundësi pikëtakimi për të gjitha hallkat që përfshin sot sektori shëndetësor në Shqipëri e më gjerë.

Në stendën tonë u ekspozuan të gjitha materialet promocionale të Fondit si fletepalosje të fushatës sensibilizuese “Si je?”, Kartës së shëndetit, Revista “Focus”, informacione mbi paketat shëndetësore, libri “Kush Paguan” Financimi i shërbimeve shëndetësore në Shqipëri (botimi më i ri i Fondit), etj.

Panairi u hap për publikun e gjerë dhe stenda e Fondit u vizitua nga vizitorë të ndryshëm  të cilët shprehën interesin e tyre për paketat që ne ofronim si karta e re e shëndetit, check up apo edhe për paketat shëndetësore. Të gjithë vizitorëve ju ofrua një shpjegim i hollësishëm dhe profesional nga ana e punonjësve tanë, si dhe u shpërndanë fletëpalosjet që kishim ekspozuar në stendë.

Ky panair u frekuentua edhe nga përfaqësues të nivele të larta të shëndetësisë si Zv/Ministrja e Shëndetësisë, Znj. Milva Ekonomi, Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kudjesit Shëndetësor, Dr. Astrit Beci, Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, Znj. Ogerta Manastirliu dhe shumë personalitete të tjerë të shquar në fushën e shëndetësisë.

 

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) prezantoi disa nga arritjet e tij, në analizën vjetore të zhvilluar të premten, me praninë edhe të Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe drejtues të institucioneve shëndetësore në vend.

Disa nga arritjet e FSDKSH të prezantuara nga Drejtori i Përgjithshëm, dr. Astrit Beci në analizën vjetore, e cila -sikurse u shpreh drejtori i Fondit- përkon dhe me 20 vjetorin e Institucionit.

Analiza vjetore e FSDKSH

  • Karta e shëndetit – 100 mije persona kanë përfituar deri tani
  • Perfituesit nga paketat:

Rreth 900 pacientë që kryejnë dializën në 4 spitale publike dhe 3 spitale private;

350 ndërhyrje nga 1 dhjetori 2014 deri më sot të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me financim 100% nga FSDKSH;

12 transplante të veshkave të kryera me sukses në spitalet private, po ashtu me financim të plotë nga FSDKSH.

  • Lista e barnave:

Gjatë 2014, bëmë të mundur që me të njëjtin fond, të pasuronim listen e barnave të rimbursueshme me 56 barna të reja, vetëm falë mirëmenaxhimit dhe procesit të negociimit. Edhe këtë vit, lista është pasuruar me 29 barna të reja, rreth 12 prej të cilave janë principe të reja aktive, mes te cilave barna per semundje te renda si ato onkologjike dhe gastro-hepatologjike.

Fjala e Dr. ASTRIT BECI, DREJTOR I PËRGJITHSHËM i FSDKSH

Një vit më parë, në analizën vjetore të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, një nga objektivat afatshkurtër ishte lehtësimi i procedurave dhe eliminimi i burokracive të shumta, për marrjen e shërbimeve shëndetësore.

Për këtë arsye, një vit më parë ngritëm një grup pune për implementimin e kartës së shëndetit, si një mundësi e lehtësimit të procedurave për pacientët dhe rikthim të rolit që i takon mjekut të familjes. Në ditët e fundit të vitit 2014, sikurse kishim premtuar, nisëm shpërndarjen e kartave të para të shëndetit.

Sot që flasim, janë rreth 100 mijë persona që janë pajisur me kartë shëndeti, duke shënuar një nga sukseset më të mëdha të FSDKSH gjatë vitit 2014.

Së bashku me mundesine për dhënien e barnave me rimbursim për periudha deri në 2-mujore si dhe implementimin e recetës së unifikuar, do të zbusin një plagë të madhe të sistemit – burokracitë në marrjen e shërbimit shëndetësor.

Por duhet theksuar se, një nga rritjet më të rëndësishme të FSDKSH-së këtë vit, ishte ofrimi i paketave të disa shërbimeve të nefrologjise dhe kardiokirurgjisë, sipas kostove të përcaktuara drejt, si në spitalet publike ashtu edhe në ato jopublike. Kur nisëm punën për kostifikimin e paketave shëndetësore nga MSH, FSDKSH së bashku me një grup mjekësh elitë në QSUT rreth 1 vit më parë, ishim të vetëdijshëm për punën e madhe dhe të vështirë që na priste. Sot, jemi këtu me një premtim të mbajtur, atë të ofrimit të paketave të para shëndetësore, të cilat financohen 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Sigurisht financimi dhe realizimi i këtyre ndërhyrjeve, po kryhet fillimisht në sektorin publik, por dihet se,  kryesisht problemet e veshkave dhe ato kardiokirugjike, janë sëmundje me incidencë të lartë dhe nevojat e popullatës për këto ndërhyrje nuk arrijnë të plotësohen nga spitalet publike. Për këtë arsye, për rastet që janë përtej kapaciteteve të institucioneve shëndetësore publike, FSDKSH nisi t’i financojë këto paketa edhe në spitalet jopublike, duke mbuluar koston e plotë të ndërhyrjes për pacientët.

Përfitues të drejtpërdrejtë deri më sot – janë:

Rreth 900 pacientë që kryejnë dializën në 4 spitale publike dhe 3 spitale private;

350 ndërhyrje nga 1 dhjetori 2014 deri më sot të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me financim 100% nga FSDKSH;

12 transplante të veshkave të kryera me sukses në spitalet private, po ashtu me financim të plotë nga FSDKSH.

Lista e barnave të rimbursueshme, është gjithashtu një paketë shumë e rëndësishme e FSDKSH-së. Gjatë vitit 2014, ne futëm një frymë të re bashkëpunimi dhe shkëmbimi mendimesh me të gjitha katedrat universitare si dhe u negociua për çmimet e barnave. Bëmë të mundur që me të njëjtin fond, të pasuronim listen e barnave të rimbursueshme me 56 barna të reja, vetëm falë mirëmenaxhimit dhe procesit të negociimit. Edhe këtë vit, lista është pasuruar me 29 barna të reja, rreth 12 prej të cilave janë principe të reja aktive, mes te cilave barna per semundje te renda si ato onkologjike dhe gastro-hepatologjike.

Po gjatë vitit 2014, u konkretizua puna për një prej premtimeve madhore të Qeverisë: Kontrolli Mjekësor Bazë për popullatën 40-65 vjeç. Aktualisht FSDKSH po e financon këtë shërbim, pas realizimit të paketës dhe procedures se koncesionit nga Ministria e Shëndetësisë.

Ky është hapi i parë madhor drejt mbulimit universal, për t’i qëndruar premtimit se, ofrimi i kujdesit shëndetësor bazë për të gjithë popullatën është një e drejtë, jo një privilegj!

Si ndryshe më parë, këte vit Fondi i Sigurimit të Detyrueshem të Kujdesit Shëndetësor, në analizen vjetore, mbështeti iniciativen e Fondacionit “Down Sindrome” Albania, në kuadër të 21 Marsit, Dites Botërore të Sindromës Down.

Në ambientet e Hotel “Sheraton”, ku u zhvilluar aktiviteti i analizës vjetore, gjendej dhe një panel me materiale sensibilizuese dhe produkte të dedikuara për ketë dite. Gjithë stafi i FSDKSH kontribuoi financiarisht në mënyre masive, duke dhuruar vullnetarisht në mbeshtetje të femijeve me sindromën down, duke iu bashkangjitur kështu qëllimit të institucionit për të rritur përgjegjësine sociale ndaj komunitetit.

“Ulen ndjeshëm çmimet e barnave”- deklaroi nga Lezha drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH-së, dr, Astrit Beci, në analizën vjetore të punës së këtij rajoni.

Drejtoria Rajonale e Fondit Lezhë, zhvilloi analizën vjetore të punës për vitin 2014, ku u diskutua ecuria e rimbursimit të barnave, ecuria e kartës së shëndetit dhe kontrolli i subjekteve me kontratë me drejtorinë rajonale të FSDKSH. I pranishëm në këtë takim me pjesëmarrje të gjerë, ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH, dr. Astrit Beci. Drejtori i Fondit deklaroi se po ulen ndjeshëm çmimet e barnave falë politikave që po zbaton Ministria e Shëndetësisë. Gjithashtu z. Beci u ndal tek ecuria e kartës së shëndetit, të cilën deri tani e kanë përfituar 20 mijë persona dhe procesi po ecën me ritme shumë të mira.
Fjala e Dr. Astrit Beci, Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) në analizën vjetore Lezhë:
“Përgëzoj drejtuesit rajonalë për organizimin dhe do të doja të ndaja me ju disa arritje tonat për vitin 2014. Sikurse e kishim premtuar, në fund të vitit 2014, arritëm të zbatonim një prej projekteve më të rëndësishme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – kartën e shëndetit. Deri tani, sikurse e dini, duhej të kishe një librezë shëndeti për të përfituar shërbimet shëndetësore nga skema e sigurimeve. Por një nga vështirësitë me të cilat përballeshin pacientët ishte vonesa në marrjen e shërbimit. Vështirësi që kishin dhe mjekët, të cilët duhet të rishkruanin 3 herë mjekimin për pacient në fletën e librezës së shëndetit, në recetë dhe në kartelën mjekësore. Po kështu farmacisti shpenzonte kohë të tepërt gjatë dhënies së barnave të rimbursueshme, me ri plotësim të recetës dhe fletëve të librezës shëndetësore. Kur u konceptuan këto procedura, ishte koha e një Bote të ndërtuar rreth letrave. Kur u emërova në këtë detyrë, një nga shqetësimet e para si mjek ishte lehtësimi i procedurave dhe eliminimi I burokracive, duke përdorur teknologjinë e informacionit.
Për këtë arsye, një vit më parë ngritëm një grup pune për të parë mundësinë e lehtësimit të procedurave dhe rikthimit të rolit që i takon mjekut të familjes. Sot karta e shëndetit ka nisur të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht janë shpërndarë rreth 20 mijë karta shëndeti. Këtu në Lezhë nga të dhënat tona, janë shpërndarë 1800 kartat e para, të cilat merren pranë drejtorisë sonë rajonale këtu në qytetin e Lezhës.
Por dëshiroj të ndaj me ju edhe një risi tjetër që lidhet me ofrimin e përqendruar të shërbimeve për qytetarët. Karta e shëndetit do te ofrohet si shërbim edhe nga zyra unike one stop shop për shërbime ndaj qytetarit, një projekt madhor i Qeverisë. Një prej zonave ku do të nisë pilotimi është pikërisht qyteti i Lezhës. Por karta e shëndetit është vetëm një nga projektet që realizuam. Ne do të vijojmë gjatë vitit 2015 me ofrimin e 10 paketave të shërbimeve shëndetësore në spitalet publike dhe jopublike për pacientët në nevojë. Gjithashtu do të financojmë një projekt madhor të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që është kontrolli mjekësor bazë për popullatën 40-65 vjeç”.

Njoftime Prill 2015

Ministri i Shëndetësisë dhe Drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH-së, dr. Astrit Beci, prezantojnë kartën e shëndetit

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor(FSDKSH), dr. Astrit Beci, prezantuan kartën e shëndetit, një projekt i FSDKSH, i bërë tashmë realitet në të gjithë Shqipërinë.

Deri tani, janë shpërndarë 12 mijë kartat e para në Tiranë dhe në rrethe, por duhet thënë që ky do të jetë një proces gradual, pra karta e shëndetit do të zëvendësojë hap pas hapi librezën shëndetësore. Kjo do të thotë se, të gjithë të siguruarit që kanë një librezë të vlefshme, nuk kanë nevojë ta zëvendësojnë menjëherë atë me kartën e re, por fillimisht do të përfitojnë ata persona të cilëve u ka mbaruar apo skaduar libreza e shëndetit.

“Që në fillim dua të theksoj se ndryshe nga libreza, karta është falas dhe qytetarët do ta përfitojnë sipas kategorisë së cilës i përkasin, pranë pikave të shpërndarjes të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, tha drejtori i Fondit, dr. Astrit Beci.

“Risitë e kartës janë pozitive për të gjithë sistemin, janë në radhë të parë pozitive për vetë qytetarët, por padyshim janë pozitive për mjekët dhe farmacistët por edhe për vetë sistemin e referimit dhe për sistemin e informacionit shëndetësor”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj.

  • Avantazhi kryesor i kartës së shëndetit lidhet me lehtësimin e pacientëve dhe shkurtimin e kohës së marrjes së shërbimeve shëndetësore. Më konkretisht:
  • Karta e shëndetit lehtëson pacientët, sidomos pensionistët apo veteranët të cilët nuk kanë nevojë të rinovojnë periodikisht kartën, sikurse ndodh sot me konsumimin e fletëve të librezës së shëndetit. Më konkretisht, një pensionist i cili sot ka nje libreze shendetesore dhe i kane mbaruar fletet e librezes – duhet te shkoje ne te njejten pike ku sot merr librezen e shendetit dhe te kete me vete librezen e vjeter dhe karten e identitetit. Punonjesi yne ne piken e shperndarjes – i printon ne vend karten e re – te cilen e ka pergjithmone, pra nuk ka nevoje ta rinovoje.
  • Fale kartes se shendetit, shkurtohet edhe koha e pritjes së pacientëve sa herë vizitohen pranë mjekut të familjes, pasi mjekët nuk do të jenë më të detyruar të plotësojnë faqet e librezës për çdo recetë të lëshuar.
  • Pacienti do të marrë më shpejt shërbimin në farmaci për recetat e rimbursueshme, pasi evitohet koha e pritjes për regjistrimin e fletëve të librezës.
  • Nje tjeter avantazh i kartes se shendetit është se ajo eshte e printuar , ndersa libreza shëndetësore plotësohet me dorë.
  • Gjithashtu karta realizon lidhjen e ID kombëtare me personin përfitues, duke ofruar mundësi për shkëmbimin e të dhënave me institucione të tjera në sistem.

 

Kush përfiton nga karta e shëndetit?

Përfitojnë të gjithë të siguruarit: pensionistët, veteranët, invalidët, të punësuarit, të vetëpunësuar, të siguruar vullnetarisht, fëmijët, gratë shtatzëna, personat që trajtohen me ndihmë ekonomike, punëkërkuesit, viktimat e trafikimit etj.

Si perfitohet karta?Cila eshte rruga qe ndjek nje i siguruar per t’u pajisur me karte shendeti.

Po paraqesim disa shembuj konkretë:

Nje pensionist, i cili sot ka nje libreze shendetesore dhe i kane mbaruar fletet e librezes – duhet te shkoje ne te njejten pike ku sot merr librezen e shendetit dhe te kete me vete librezen e vjeter dhe karten e identitetit. Punonjesi yne ne piken e shperndarjes – i printon ne vend karten e re – te cilen e ka pergjithmone, pra nuk ka nevoje ta rinovoje.

Shembull tjeter:

Ju jeni nje i punesuar qe keni nje libreze shendetesore se ciles I ka skaduar afati. Ju duhet te shkoni ne te njejten pike ku keni marre librezen e shendetit per tu pajisur me karten e re. Duhet te keni me vete karten e identitetit dhe librezen e kontributeve. Operatori yne me te dhenat qe I ka ne sistem, ju printon ne vend karten e re.

Shembull tjeter:

Psh jeni i punesuar dhe keni paguar rregullisht kontributet, por nuk keni patur asnjehere libreze shendetesore. Si mund te pajiseni me karte shendeti ne kete rast.

Nese nuk jeni i regjistruar prane mjekut te familjes, duhet te zgjidhni nje mjek ne qendren shendetesore te zones ku ju banoni. Mjeku qe ju perzgjodhet, ju regjistron ne regjistrin elektronik te pacienteve te tij. Pas kesaj, ju shkoni ne piken e shperndarjes se kartes se shendetit, duke patur me vete me karten e identitetit dhe librezen e kontributeve.

Per sqarim- karta e shendetit shperndahet ne te njejtat pika, ku sot shpenrdahen librezat shendetesore, pra ne Tirane jane prane Qendrave Shendetesore ndersa ne rrethe jane prane degeve te Fondit ne cdo rreth. Bashkelidhur gjeni pikat e shperndarjes se kartes dhe dokumentacionin qe duhet per tu pajisur me karte.

Më poshtë, fjalët e plota të Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj dhe e drejtorit të Përgjithshëm të Fondit, dr. Astrit Beci

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj

“Sot duam të paraqesim nëpërmjet jush para publikut kartën e shëndetit. Eshtë një mjet I ri identifikues, që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lëshon për të gjithë personat e interesuar që kanë marëdhënie me Fondin. Sikurse dihet, deri më sot, njerëzit kanë qenë të pajisur me këtë librezë shëndetësore. Tashmë kjo librezë, do të zëvendësohet me kartën e shëndetit. Karta e shëndetit është një inovacion që ne fusim, si një hap i ndërmjetëm, derisa të arrijmë në shtrirjen e plotë të shëndetësisë elektronike.   Sigurisht që çmojmë që risitë e saj janë pozitive për të gjithë sistemin, janë në radhë të parë pozitive për vetë qytetarët, por padyshim janë pozitive për mjekët dhe farmacistët por edhe për vetë sistemin e referimit dhe për sistemin e informacionit shëndetësor. Praktikisht në vend të një libreze, e cila mbahej nga të interesuarit për sa kohë kohë kishte mundësi, por që sikurse ne e dimë, për të sëmurët kronikë dhe sidomos për pensionistët, ishte një dokument që duhej ta merrje edhe më shumë se 1 herë në vit, tashmë kjo kartë është pa afat.

Së dyti, nëse libreza ka qenë me pagesë, karta tashmë do të jetë pa pagesë. Ne vlerësojmë se, për çdo recetë dhe janë të paktën 300 mijë receta në muaj që lëshohen, çdo mjeku do I duheshin dy minuta për të plotësuar këtë në librezë, tashmë 600 mijë minuta nga koha e punës së mjekëve nuk përdoret më për këtë punë administrative, por është kohë që mjekut I mbetet në dispozicion për më shumë kujdes të drejtpërdrejtë për qytetarët. Dhe aq më tepër që ne po fillojmë programin shëndetësor bazë pa pagesë, mjekëve do tu lëmë shumë më tepër kohë për këtë program dhe për kujdesin në Parësor. Së shpejti ne miratojmë dhe paketën e re që Fondi miraton në Parësor, pra do ti lëmë mjekëve sa më shumë kohë për punën e tyre. e njëjta gjë ndodh dhe me farmacitë, pra farmacistët do të kursejnë në kohën e tyre, 600 mijë minuta, por ndërkohë edhe vetë qytetarëve që prisnin më gjatë në qendrat shëndetësore apo farmaci, do t’ju kursehet kjo kohë. Ndërkohë procesi është I automatizuar. Qendrat Shëndetësore janë të lidhura me serverin qendror të FSDKSH, gjë që na mundëson siguri dhe koherencë të madhe. Ai system ndërlidhet edhe me regjistrin kombëtar të gjendjes civile, për të siguruar në radhë të parë identifikimin e personave, por gjithashtu, sikurse do ta demonstrojmë pas pak, për tu printuar karta duhet të plotësohet një formular, ne, në vend të librezës, do të kemi kartën por edhe të gjithë këtë informacion të lëshuar në momentin e kartës, të dixhitalizuar, gjë që na ndihmon për të patur qoftë një informacion më të plotë shëndetësor, qoftë për të shtuar elementët individual në dosjen elektronike të secilit, gjë të cilën kemi filluar ta ndërtojmë me projektin E-Health të financuar nga Qeveria Austriake. Ajo që dua të shpjegoj është që të gjithë ata persona të cilëve ju mbarojnë fletët e librezës, mund të paraqiten të marrin kartën e shëndetit. Pra viti ku jemi, është një vit I bashkëekzistencës të të dy dokumentave. Kjo edhe për të shpjeguar që, nuk është e domosdoshme të merret menjëherë karta, ata që kanë librezën nuk do të mbeten pa shërbim në javët e ardhshme, pra që të mos kemi një dyndje të të gjithë 600, 700 apo 800 mijë njerëzve që javën e parë. I ftojmë ta shtrijnë marrjen e kartës gjatë vitit, kur kanë nevojë, sepse po e përsëris, nuk do të mbeten pa shërbim se nuk kanë marrë akoma kartën. Karta do të ketë periudhën e vet tranzitore, që të mos krijohet pengesë për asnjë qytetar për marrjen e shërbimit.

Une dua të falenderoj Fondit, drejtorin e Fondit, dr. Becin, por edhe të gjithë grupin e bashkëpunëtorëve të tij, që e konceptuan, e realizuan dhe kanë filluar ta zbatojnë në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në ato pika ku më parë janë lëshuar librezat dhe tani lëshohen kartat.

I jap fjalën drejtorit të Fondit, dr. Becit, për të bërë shpjegimet më të plota dhe më pas do ta demonstrojmë këtu si merret një kartë shëndeti që të jetë më e kuptueshme për ju dhe për publikun”.

Fjala e drejtorit të Përgjithshëm të FSDKSH-së, dr. Astrit Beci:

Fondi në projektet e tij, një nga më të rëndësishmit, kishte dhe pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartën e shëndetit. Mund të themi që ky projekt i Fondit u bë realitet pasi ne kemi shpërndarë rreth 12 mijë kartat e para dhe megjithëse filluam pilotimin në Tiranë, tashmë e kemi shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Qytetarët shqiptarë kudo ku ato ndodhen, mund të pajisen me kartë pranë drejtorive rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për rrethet dhe pranë poliklinikave dhe qendrave tona në Tiranë, meqë Tirana ka një numër më të madh banorësh.

Është e nevojshme të dihet fakti se libreza e shëndetit dhe karta e shëndetit kanë të njëjtën vlefshëmri ligjore, çka nuk ka pse t’i frigojë njerëzit për të marrë menjëherë kartën, pasi ne disponojmë të gjithë numrin e nevojshmë të kartave për të mbuluar të gjithë popullatën sipas kategorive që përfitojnë.

Karta i shërben mbajtjes elektronike të të dhënave, krijmit të një imazhi të ri dhe njohje të re për të gjithë problematikën e sëmundshmërisë kronike në Shqipëri, lehtëson kohën e mjekut për ti shërbyer realisht funksionit të tij si mjek familje, duke i dhënë më shumë kohë për t’u marrë me pacientin, duke shtuar minutat e kontaktit të drejtpërdrejtë me të. Gjithashtu është shumë e domosdoshme për pensionistët apo veteranët, të cilët nuk do të humbin më kohë për të pritur qoftë tek mjeku apo te farmacisti në momentin që ata marrin shërbimin.

Karta e shëndetit është e lidhur dhe me ID kombëtare, çka lejon njohjen dhe bashkërendimin e të dhënave në sisteme të ndryshme.

Diçka tjetër që do theksoja është se, karta është falas, ndryshe nga libreza e shëndetit, për të cilën paguhej nga qytetarët për cdo rinovim të saj.

Mendojmë se ishte një hap i domosdoshëm, ishte nga projektet tona më të mëdha, të cilën e realizuam në kohën e premtuar. Në fund të 2014 e filluam projektin pilot me Tiranën dhe tashmë e kemi shtrirë në të gjithë Shqipërinë.

Ne mendojmë të shtojmë dhe numrin e kompjuterave në njësitë tona të shpërndarjes, me qëllim të uljes së fluksit të njerëzve, që duhet thënë ka qenë një fluks artificial.Por theksojmë edhe një herë se gjatë kësaj kohë, libreza e shëndetit do të jetë e vlefshme njësoj si karta e shëndetit.