Miratohet Lista e re e Barnave të Rimbursueshme, shtohen 23 barna të reja në terapitë e mjekimit

Në Listën e Barnave të Rimbursueshme 2021 janë shtuar 23 barna të reja që e cojnë ne 1191 listën e alternativave të mjekimit për diagnozat e sëmundjeve kronike.

Vendimi u miratua në mbledhjen e qeverisë.

Në listë përfshihen barna të cilat trajtojnë dhe mbajë në kontroll sëmundjet kronike me shpeshtësi më të madhe në popullatë si diabeti, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare duke ofruar alternativa mjekimi bashkëkohore në mënyrë që të shmangin komplikacionet dhe të rrisin cilësinë e jetesës dhe jetëgjatësinë.

Në listë janë përfshirë edhe barna inovative për trajtimin e disa lloje tumoresh si ai i mushkërive,gjirit si edhe alternativa mjekimi për pacientët të cilët vuajnë nga pasojat e COVID-19.

Pacientët e dializës janë një grup tjetër që do të përfitojnë marrjen me rimbursim të një tjetër medikamenti për parandalimin e komplikacioneve të rënda nga sëmundja.

Me barnat e reja që i shtohen listës parashikohet të përfitojnë falas rreth 6,000 pacientë në vit.

Lista e re e Barnave të Rimbursueshme përmban 1,191 alternativa tregtare ose 340 principe aktive.

Edhe këtë vit në Listën e Barnave të Rimbursueshme përfshihen barna me marrëveshje të posaçme, duke ulur çmimin e barit me proçes negocimi me kompanitë më të mëdha multinacionale dhe për rrjedhojë, duke zgjeruar numrin e qytetarëve përfitues.

Fondi në dispozicion për LBR 2021 është 107 milion dollarë, duke garantuar një paketë më të plotë të barnave që merren falas nga qytetarët me sëmundje kronike.

Nga Lista e Barnave të Rimbursueshme përfitojnë barnat falas mbi 450,000 pacientë në vit.

 

NJOFTIM – Mbi raportimin e transaksioneve ndërmjet subjekteve tatimpaguese “Farmacive”, lidhur me proçesin e Fiskalizimit

Të nderuar tatimpagues që operoni në fushën e tregtimit të produkteve farmaceutike,

Me hyrjen në fuqi të, Ligji nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkulllimit” i ndryshuar, efektet e tij fillojnë të zbatohen bazuar në transaksione si vijon:

a) për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 janar 2021.

b) për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 korrik 2021.

c) për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 shtator 2021.

Në vijim të takimeve me qëllim të asistimi të tatimpaguesve në përgjithësi dhe sektorit tuaj në veçanti Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), së bashku me Urdhrin e Farmacistëve Shqiptar kanë trajtuar shqetësimin lidhur me raportimin e transaksioneve ndërmjet subjekteve tatimpaguese “Farmacive” me FSDKSH-në, dhe kanë arritur në konkluzionin si vijon:

Deri në implementimin e plotë të sistemit të fiskalizimit të gjitha raportimet ditore të kryera ndërmjet tatimpaguesve “Farmacive” dhe FSDKSH do të vazhdojnë të kryhen siç janë kryer nëpërmjet faturave përmbledhëse, por me kusht që këto fatura përmbledhëse të jenë të fiskalizuara nëpërmjet një zgjidhjeje software-ike të çertifikuar.

Përsa më sipër, faturat përmbledhëse të muajit Korrik 2021, do të bëhen vetëm nëpërmjet zgjidhjeve software-ike të çertifikuara për transaksionet pa para në dorë, brenda datës 10 Gusht 2021, me përjashtim të rasteve kur procesi i fiskalizimit nuk është zbatuar për shkaqe të pavarura nga tatimpaguesit.

NJ O F T I M – Për propozimet për ndryshime në Listën e Barnave që Rimbursohen për vitin 2021

Në kuadër të hartimit të draftit të Listës së Barnave të Rimbusuara për vitin 2021 (këtu e më poshtë “LBR”), njoftojmë se afati i dorëzimit të propozimeve për ndryshime në Listën e Barnave të Rimbursuara është deri më datë 26.02.2021, ora 1400. Pas kësaj date, propozimet nuk do të pranohen.

Propozimet për ndryshime në LBR duhet të dërgohen nëpërmjet shërbimit postar. Dorëzimi i propozimeve do të bëhet pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në adresën, Rruga “Sami Frashëri”, Nr. 8, Tiranë, nëpërmjet protokollimit në zarf të mbyllur, drejtuar “Komisionit Teknik të Listës së Barnave të Rimbursuara”.

Materiali shkencor plotësues, i cili shoqëron kërkesën mund të jetë bashkëlidhur, edhe në formë elektronike (CD).

Propozimet, në çdo rast, duhet të jenë sipas formatit të mëposhtëm.

Formular Tip (Propozime) LBR2021