Njoftim për Shtyp – Mbi rimbursimin e produktit NeuraAID II MLC901 për kategorinë veteranë dhe invalidë lufte

Në përgjigje të statusit në rrjetin social Facebook të deputetes të Partisë Demokratike, znj. Albina Deda mbi rimbursimin e produktit NeuraAID II MLC901 Ju sqarojmë se :

Nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor  me Urdhërin nr.3666/1,datë 09.11.2015, është ngritur grupi i punës  për të ushtruar kontrolle në DRF Tiranë me objekt: Vlerësimin e aktivitetit të DRFSDKSH Tiranë për periudhën  Qershor –Tetor 2015.

Nga strukturat e auditit tonë të brendshëm kemi konstatuar se janë lëshuar receta me rimbursim për produktin NeuraAID II MLC901 për kategorinë e vetaranëve dhe invalidëve të luftës. Kjo kategori në bazë të legjislacionit dhe akteve nënligjore në fuqi ka të drejtën të përfitojë barna falas për trajtim ambulator të sëmundjeve kronike si brenda listës së barnave me rimbursim ashtu edhe jashtë saj. Në këto kushte duke konstatuar parregullsi qoftë në lëshimin, ekzekutimin dhe rimbursimin e recetave për këtë kategori lidhur me produktin NeuraAID II MLC901, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në FSDKSh në raportin final të evadimit të masave organizative, disiplinore, administrative, dhe zhdëmtuese, me nr.3666/3, datë 03.03.2016 i ka bërë prezent këto masa DRFSDKSh-së Tiranë, e cila menjëherë ka nisur zbatimin e tyre.

Këto masa të cilat tashmë janë ekzekutuar, konsistojnë në:

  1. Nxjerrjen e akteve administrative për rikuperimin e dëmit financiar të shkaktuar.
  2. Masat administrative dhe të karaketrit disiplonor për të gjithë zinxhirin e individëve që rezultojnë të përfshirë në këtë fenomen.
  3. Marrjen e masave disiplinore për largimin nga puna për 7 punonjës të DRFSDKSH-së Tiranë.
  4. Dërgimin e dosjes pranë autoriteteve ligjzbatuese për të thelluar hetimin dhe nxjerrjen e përgjegjësve.

Për të pasur një tablo më të qartë të situatës në DRFSDKSh Tiranë Drejtorja e Përgjithshme e FSDKSH-së, znj, Vjollca Braho në fillim të muajit prill ka ngritur grupin e punës dhe ka urdhëruar që për periudhën janar 2015 – 31 mars 2016, të ushtrohet kontroll mbi të gjithë aktivitetin e kësaj drejtorie. Paralelisht me këtë proces janë hartuar programet e punës për të ushtruar kontroll në të gjitha Drejtoritë Rajonale të FSDKSh-së në të gjithë vendin.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor  rikthekson edhe njëherë se janë strukturat e tij të brendshme që kanë konstuar dhe marrw masat e nevojshme duke e referuar rastin e fenomenit abuzues me produktin NeuraAID II MLC901 pranë organeve ligjzbatuese. Gjithashtu, Fondi garanton se do të ushtrojë gjithë kopetencat dhe autoritetin e njohur nga ligji në funksion të misionit të tij për të garantuar administrimin e  skemës së  sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, duke synuar mbulimin e popullsisë në përfitimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor si në sektorin publik dhe atë privat, të menaxhojë burimet financiare, të zhvillojë skemën e sigurimeve shëndetësore me qëllim që të siguruarit të marrin shërbime sa më cilësore dhe në përputhje me nevojat reale.

7 Prill – Dita Botërore e Shëndetit

OBSH-ja në Ditën Botërore të Shëndetit, 7 Prill 2016 është fokusuar tek diabeti sepse epidemia e diabetit është rritur me shpejtësi në shumë vende të botës, dhe me një rritje dramatike të dokumentuar sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

 

Një pjesë e madhe e rasteve të diabetit janë të parandalueshme. Disa masa të thjeshta në stilin e jetës janë provuar të jenë efektive në parandalimin apo vonesën e shfaqjes së diabetit Tip 2. Ruajtja e një peshe normale të trupit, kryerja e aktivitetit fizik të rregullt si dhe ushqyerja në mënyrë të shëndetshme mund të zvogëlojnë rrezikun për diabet.

Diabeti është i kurueshëm. Ai mund të mbahet nën kontroll dhe të menaxhohet në mënyrë që të parandalohen komplikacionet që vijnë si pasojë e kësaj sëmundjeje. Rritja e aksesit për diagnostikim, edukimi për një vetëmenaxhim efektiv si dhe trajtimi i përballueshëm, janë komponentët kryesore të kurimit të diabetit.

Përpjekjet për të parandaluar dhe kuruar diabetin do të jenë të rëndësishme për të përmbushur Objektivin e 3-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm, që ka si target reduktimin me 1/3 e vdekshmërisë së parakohshme nga sëmundjet jo të transmetueshme (sëmundjet kronike) deri në vitin 2030. Shumë sektorë të shoqërisë kanë rolin e tyre për të luajtur në përmbushjen e këtij objektivi duke përfshirë qeverinë, punëdhënësit, arsimtarët, prodhuesit, shoqërinë civile, sektorin privat, median si dhe vetë individët.

 

Qëllimi i Ditës Botërore të Shëndetit 2016:

Niveli i lartë i parandalimit, fuqizimi i kujdesjes, si dhe përmirësimi i mbikqyrjes

 

Objektivat kryesorë të fushatës në Ditën Botërore të Shëndetit janë:

Rritja e ndërgjegjësimit lidhur me epideminë e diabetit, barrën e sëmundshmërisë dhe pasojat e saj tronditëse veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Marrja e një sërë veprimesh specifike, efektive, dhe të përballueshme për të trajtuar diabetin. Këtu përfshihen hapat për të parandaluar dhe diagnostikuar diabetin, trajtimi dhe kujdesja për njerëzit që janë me diabet

Lançimi i Raportit të parë Botëror mbi diabetin, i cili do të përshkruajë barrën dhe pasojat e diabetit, si dhe advokimin për një sistem shëndetësor më të fuqishëm për të siguruar përmirësimin e survejancës, rritjen e parandalimit dhe menaxhimin më efektiv të diabetit.

21 Mars – Dita Botërore e Sindromës Down

sindromaDown

Këtë vit, 21 marsi shënon përvjetorin e 11-të të Ditës Botërore të Sindromës Dawn. Çdo vit, zëri i personave me këtë sindromë, si dhe i personave që jetojnë apo punojnë me ta, bëhet më i fortë. Në këtë ditë, organizmat që punojnë për këtë çështje organizojnë dhe marrin pjesë në aktivitete që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të publikut  për sindromën Down.

Sindroma Down, e njohur gjithashtu si trisomi në kromozomin 21, është e lidhur me një vonesë në aftësitë njohëse dhe rritjen fizike, të cilat i bashkangjiten edhe disa karakteristikave të fytyrës. Mesatarja e inteligjencës së personave me këtë sindromëështërreth 50, krahasuar me një mesatare të koeficientit të inteligjencës 100, tek fëmijët normalë. Shfaqja e sindromës Dawn, është vlerësuar 4.6 për 10 000 lindje dhe është hasur tek të gjitha popullatat. Sindroma Dawn u përcaktua fillimisht si çrregullim kromozomik në vitin 1959 nga një pediatër dhe gjenetist francez, Jérôme Lejeune.

Personat me sindromën Dawn, gëzojnë të drejta të plota dhe të barabarta me gjithë të tjerët. Kjo nënkupton mundësinë për pjesëmarrje të plotë në komunitetin e tyre. Realiteti tregon se, prania e qëndrimeve negative kundrejt këtyre personave sjell pritshmëri të ulëta, diskriminim dhe përjashtim, duke krijuar komunitete në të cilat fëmijët dhe të rriturit me sindromin Dawn nuk mund të integrohen në mënyrë të barabartë. Në ato vende ku fëmijëve me këtë sindromë, u jepen mundësi për pjesëmarrje, duke krijuar mjedise shoqërore, pranuese, respekti dhe pritshmëri të larta, rezultojnë të jenë shumë efektive për këta persona. Jo vetëm kaq, por këto mjedise u mundësojnë fëmijëve me sindromën Dawn të jetojnë dhe të punojnë me besimin në autonominë individuale, të përfshirë plotësisht në shoqëri sëbashku me moshatarët e tyre.

Për më tepër informacion klikoni në link-un: http://ishp.gov.al/event/21-mars-dita-boterore-e-sindromes-dawn/

2 Prilli – Dita botërore e ndërgjegjësimit mbi Autizmin

Dita boterore Autizmi 2Prill2016 1

Qëllimi i kësaj ditë është kthimi i vëmendjes së shoqërisë ndaj nevojës për trajtim që kanë personat e prekur nga autizmi.

 

Në këtë ditë në të gjithë botën zhvillohen aktivitete ndërgjegjësuese dhe edukuese në mbështjetje të personave të prekur nga çrregullimet e spektrit autik.

Tema e përzgjedhur për këtë vit është;

“Respekt, Pranim, Përfshirje”

Diskriminimi është një nga barrierat më të mëdha me të cilat përballen personat me çrregullime të spektrit autik. Stereotipet, paragjykimet dhe stigmatizimi e vështirëson pjesëmarrjen e personave autikë në shoqëri.

Çfarë është autizmi?

Autizmi është një çregullim neurobiologjik që karakterizohet nga vështirësitë në komunikim, ndërveprim shoqëror, sjellje të përsëritura dhe rreze të kufizuar interesash. Simptomat e autizmit fillojnë të shfaqen para moshës tre vjeçare dhe shkalla e dëmtimit të këtyre tri fushave dallon nga individi në individ.

Simptomat e autizmit

Autizimi shfaqet me tri simptoma të ndara. Këto tre simptoma përfshinë vështirësi në socializim, probleme komunikimi dhe një numër të kufizuar interesash kombinuar me sjellje përsëritëse.

Një nga simptomat e para të autizmit është shmangia e kontaktit me sy, ku fëmija i largohet çdo lloji kontakti me sy, si me fëmijët e tjerë po ashtu edhe me prindërit.

Shpeshherë kjo shpjegohet në mënyrë të gabuar se “fëmija ka turp”, ku në vend që t’i përgjigjet kontaktit me sy, shikon anash, apo në shumicën e rasteve lart mbi kokën e personit kontaktues. Përgjithësisht, fëmijët me çrregullime të spektrit autik, shfaqen me nivel të lartë të inteligjencës në fusha të caktuara.

Eksperienca ka treguar se trajtimi më i mirë i personave me autizëm është edukimi i hershëm dhe i specializuar, i cili synon përshtatjen e ambjentit rrethues me nevojat e këtyre individëve.

Për fat të keq, ende në shumë vende, fëmijët autik nuk marrin kujdesin e duhur shëndetësor dhe social, për shkak të mungesës së shërbimeve të përshtatshme, por edhe për diagnostikimin jo të saktë dhe të vonë të këtyre fëmijëve.

Në vendin tonë me këtë problematikë merren specialistë të zhvillimit të fëmijëve në Qëndrën Kombëtare të Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve në Kombinat, apo QSUT “Nënë Tereza”, por edhe qëndra private, kryesisht në Tiranë.

17 Mars 2016 – Analiza vjetore e FSDKSH-së për vitin 2015

Zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme, futja e pajisjeve mjekësore në rimbursim, rritja e nivelit dhe cilësisë së kontrollit ndaj dhënësve të shërbimit të kontraktuar për të eleminuar abuzimet si dhe sensibilizimi i popullatës për pjesëmarrje në Kontrollin Mjekësor Bazë do të jenë disa ndër objektivat kryesorë të punës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2016.

Gjatë analizës vjetore të punës së FSDKSh-së për vitin 2015, ku mori pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, Zoti Ilir Beqaj, në fjalën e saj Drejtorja e Përgjithshme e Fondit, Znj. Vjollca Braho theksoi se gjatë vitit të kaluar janë konstatuar një sërë problemesh, mes tyre abuzime me skemën e rimbursimit të barnave, që kanë sjellë dëm financiar në buxhetin e shtetit, por edhe dëmtim të imazhit të institucionit duke dëmtuar edhe interesin e qytetarëve. “Këto abuzime janë konstatuar veçanërisht në Rajonin e Tiranës, e që lidhen me subjekte farmaceutike, të cilat kishin kontratë me Drejtorinë Rajonale të Fondit Tiranë. Këto subjekte farmaceutike financoheshin për shërbime që në fakt rezultuan se nuk i ishin ofruar ndonjëherë qytetarëve. Për këtë arsye ato ju referuan organeve të Prokurorisë hetimi i të cilave çoi në zgjerimin e rrethit të subjekteve farmaceutike nën hetim. Paralelisht me organin e Prokurorisë në vijim të punës gjatë vitit 2015 u intesifikuan kontrollet nga Drejtoria e Kontrollit Parësor e Farmaceutik në 692 subjekte të kontraktuara me Fondi”, deklaroi znj. Braho. Duke iu referuar rasteve të mësipërme, gjatë 2015-ës është konstatuar se midis depove farmaceutike dhe farmacive të kontraktuara ekzistonte një lidhje në këtë skemë mashtrimi. Pra u vu re që depot lëshonin fatura fiktive drejt farmacive pa i shoqëruar këto me barin përkatës, ndërsa farmacitë paraqisnin receta fiktive për rimbursimin e barnave që nuk tregëtoheshin nga këto depo farmaceutike. “Si pasojë e këtyre shkeljeve të konstatuara janë marrë vendime për zgjidhjen e kontratave për 20 subjekte farmaceutike, ndërkohë që për 50 subjekte të tjera nga të cilat 36 farmaci dhe 14 depo farmaceutike dokumentacioni u është përcjellë organeve të Prokurorisë. Dëmi i konstatuar nga këto kontrolle është rreth 68 milionë lekë, një pjesë e të cilave tashmë është arkëtuar dhe po punohet për rikuperimin e pjesës tjetër”, vazhdoi Braho.

Një nga projektet më të rëndësishme të Fondit për 2015  ishte programi i kontrollit bazë për grupmoshat 40 deri 65 vjeç, i njohur gjerësisht tashmë si “Check Up”. Falë këtij projekti rreth 917 mijë persona në të gjithë vendin kanë të drejtë të përfitojnë kontroll pa pagesë, duke u paraqitur tek mjeku i familjes pranë qendrave shëndetësore, në muajin e lindjes së tyre. “Pavarësisht përpjekjeve të bëra jo çdo gjë shkoi ashtu siç pritej. Problemet e ndryshme infrastrukturore bënë që procesi të mos niste që në fillim të vitit. Po kështu, lëvizja demografike e qytetareve dhe mungesa e një adrese të saktë për banorët, kushtëzoi mundësinë e njoftimit të tyre. Si rrjedhojë, funksionuan në përgjithësi ftesat për banorët, nga mjeku i familjes dhe personeli infermieror i qendrave shëndetësore, si dhe vetë dëshira e banorëve për të realizuar këtë proces. Në funksion të tyre, u angazhua stafi mjekësor e infermieror i qendrave shëndetësore. Përvec kësaj, përmes partneritetit publik privat, janë ngritur dhe kanë funksionuar 380 kabinete të kontrollit mjekësor bazë. Për 60 Qendra Shëndetësore me infrastrukturë të vështirë, shërbimi i kontrollit bazë është realizuar me kabinete të lëvizshme. Në total për periudhën mars – dhjetor 2015 është bërë e mundur që të kryejnë “Kontrollin Bazë” 244 420 persona”, vazhdoi kreu i FSDKSh-së.

Përsa i përket kartës së shëndetit, Braho sqaroi se pavarësisht se ka pasur probleme pasi janë konstatuar rradhë të gjata, karta ka sjellë përfitim kohor dhe rritjen e rolit të mjekut të familjes, në funksion të shërbimit ndaj pacientëve. Ndërkohë për sa i përket listës së barnave me rimbursim gjatë vitit 2015 u shtua me 29 alternativa të reja. Ajo përmban 1.029 alternativa tregëtare, nga të cilat 489 janë aternativa të para, nga 477 që përmbante Lista e Barnave te Rimbursuara në vitin 2014. Lista e vitit 2015 ka 12 principe aktive më shumë se ajo e vitit 2014, pra 280 principe aktive, nga 268 që përmbante lista paraardhëse.  Vendimi që çmimet e barnave në vendin tone të jenë të krahasueshme me 5 vende të huaja u shoqërua me ulje me rreth 12.5 për qind të çmimeve të barnave të aplikuara në listen e barnave të rimbursueshme. Kjo solli një përdorim më me kosto-efektivitet të këtij programi të përfitimit nga skema e sigurimeve shëndetësore.

Gjatë vitit 2015 u zbatuan në një shtrirje gjithëvjetore paketat shëndetësore, që financohen nga skema e sigurimeve shëndetësore. Këto paketa janë realizuar si nga spitalet publike ashtu edhe nga institucionet jopublike të shëndetësisë, që janë kontraktuar për shkak të kapaciteteve të limituara të spitaleve publike, duke synuar, plotësimin e nevojave të popullatës. Kështu, gjatë vitit 2015 është ofruar shërbimi i hemodializës për rreth 880 pacientë, 34 për qind e të cilëve në spitalet publike (QSUT, spitalet rajonale Elbasan, Gjirokastër, Shkodër), dhe 66 për qind në 4 institucione jopublike. U realizuan 5 266 paketa të kardiologjisë, nga të cilat 84 për qind në spitalet publike dhe 16 për qind në institucione jopublike të kontraktuara. Gjithashtu, gjatë 2015 u realizuan 801 paketa të kardiokirurgjisë, nga të cilat 86% në QSUT dhe 14 për qind në institucione jopublike. Në institucione jopublike janë realizuar edhe 8 transplante të veshkës. Këto paketa jane financuar nga Fondit me nje vlere rreth 2.2 miliardë lekë, në shërbim të përmirësimit të jetesës së popullsisë, si dhe duke ulur ndjeshëm kohën e pritjes së pacientëve.

Ndër projektet më të sukseshëm gjatë vitit 2015 ishte ai i recetës elektronike që u vu në zbatim gjatë vitit 2015, ku bëjnë pjesë 18 qendra shëndetësore dhe kanë akses 130 mjeke te pergjithshem familjes dhe 75 subjekte farmaceutike. Ky sistem mundëson komunikim online me Regjistrin Themeltar te Gjendjes Civile, regjistrin e Barnave të regjistruara, si dhe Regjistrin e banorëve të pajisur me karta shëndetësore.

Në këtë kuadër Braho theksoi se objektivat që ka Fondi për vitin 2016 janë të mëdha dhe do të fokusohen në disa fusha të ndryshme. “Ne duhet të bëjmë të mundur jo vetëm shtrirjen e projektit të recetës elektronike në të gjithë vendin por edhe implementimi i sistemit të firmës elektronike për mjekët e farmacistët të shoqëruar me krijimin e DATACENTER-it Kombëtar të Fondit”, deklaroi Braho. Ndërkohë në kuadër të eleminimit të abuzimeve me skemën e barnave të rimbursueshme, ajo theksoi se është e domosdoshme rritja e nivelit dhe cilësisë së kontrollit ndaj dhënësve të shërbimit të kontraktuar. Në kuadër të përmirësimit të kujdesit shëndetësor Drejtorja e FSDKSH-së deklaroi se për vitin 2016 do të punohet për “zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme, futjen e pajisjeve mjekësore në listën e rimbursimit për vitin 2016, financimin e paketave spitalore në kapacitete të ngritura në spitale të tjera publike si dhe zgjerimin e partneritetit publik – privat, në funksion të ofrimit të shërbimeve dhe paketave shëndetësore në rajone të tjera të vendit, si dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit në spitalet publike. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Z. Ilir Beqaj e vuri theksin në rritjen e financimit që vijnë nga buxheti i shtetit për kujdesin shëndetësor. “Për herë të parë nga 100 lekë që që shpenzohen  nga qytetarët, 55 lekë financohen nga paratë publike”, deklaroi Ministri Beqja. Sipas tij falë uljes së çmimeve të barnave është bërë e mundur zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme gjatë vitit 2015, ndërkohë që kjo listë do të zgjerohet sërish për 2016 por do të përfshijë edhe pajisjet mjekësore.

 Fjalimi i Drejtores se Pergjithshme te FSDKSh, Vjollca Braho. pdf

Karta e Shëndetit online, vetëm me dokumentin e identifikimit

9Njoftim, 25 Shkurt 2016

Prej 15 shkurtit ka nisur shpërndarja online e Kartës së Shëndetit. Kjo mënyrë e re e aplikimit bën të mundur pajisjen e qytetarëve me Kartën e Shëndetit me anë të një dokumenti të vetëm, Kartës së Identitetit.

Prezantimi i këtij projekti u zhvillua gjatë ditës së sotme në Qendrën Shëndetësore nr.9 në Tiranë ku morën pjesë Kryeministri Z. Edi Rama, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, Drejtorja e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Znj Vjollca Braho, Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj dhe Zëvendës Ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Falë këtij shërbimi është bërë e mundur eleminimi i ecejakeve të qytetarëve për tu pajisur me dokumenta të tjera shtesë që nevojiteshin për tu pajisur me kartë shëndeti. “Informatizimi i këtij shërbimi bën të mundur lidhjen dhe marrjen në kohë reale të informacionit në disa institucione njëherësh, regjistrin e Gjendjes Civile, regjistrin e pensioneve, regjistrin e kontribuuesve, regjistrin e punëkërkuesve, si dhe regjistrin e ndihmës ekonomike. Për qytetarët, kjo eliminon një radhë dokumentash që nevojiteshin deri dje, redukton vajtje-ardhjet nga një zyrë në tjetrën dhe shkurton kohën e shërbimit”, deklaroi Znj. Braho, gjatë prezantimit të sistemit. Duke vënë theksin në përparësitë që ka aplikimi i sistemeve informative, Braho sqaroi se bashkë me recetën elektronike mundëson kontrollin online të sistemit. “Me përfundimin e recetës elektronike në të gjithë Shqipërinë, pas realizimit me sukses në qytetin e Durrësit, bëhet e mundur që ne të kemi nën kontroll të gjithë sistemin, duke filluar që  nga vizita tek mjeku i familjes, pajisja me recetën elektronike, marrja e ilaçeve në farmaci”, u shpreh Vjollca Braho. Ndërkohë, Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama theksoi se tani falë këtij sistemi jo vetëm janë eleminuar rradhët e gjata të qytetarëve edhe u janë ofruar një sërë lehtësish të tjera. “Për të çmontuar të gjithë atë barrë të tmerrshme që kishin dhe vazhdojnë të kenë në zona të ndryshme njerëzit dhe mjekët, duhet paralelisht me ndryshimet strukturore, edhe një reformim rrënjësor i formës së shërbimit dhe kalimin në shërbimin shëndetësor elektronik. Receta elektronike, nga njëra anë, Karta e Shëndetit e marrë elektronikisht, nga ana tjetër janë dy hapa, jo të gjitha, që sjellin një lehtësi shumë të madhe. Përfundimisht, të gjithë ato radhë të tmerrshme, që i përjetuam edhe nëpërmjet televizionit në zona të ndryshme, evitohen plotësisht dhe e gjitha funksionon shpejt, por më e rëndësishme, në mënyrë transparente dhe në mënyrë të tillë që çdo gjë e shkruar mbetet aty,” u shpreh Kryeministri Rama. Ndërkohë falë mbështetjes së dhënë edhe nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, të gjithë qytetarët që janë të regjistruar në regjistrin e pacientëve pranë mjekut të tyre të familjes mund të futen në portalin qeveritar e-albania dhe ta printojnë vetë Kartën e Shëndetit pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet e Fondit. Shpërndarja e Kartës së Shëndetit ka nisur në dhjetor të vitit 2014 dhe gjatë vitit të shkuar u shpërndanë rreth 692 500 karta. Nga janari i këtij viti deri më tani janë shpërndarë mbi 320 mijë Karta Shëndeti.