by FSDKSH | Oct 30, 2017 | Aktivitete
Rritet ndërgjegjësimi I popullatës, në 6 muaj 225,643 qytetarë kryen Kontrollin Mjekësor Bazë
Sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe tumoret, 84,754 raste referohen te mjekët specialistë
Programi kombëtar i Kontrollit Mjekësor Bazë për grupmoshën 35-70 vjeç po jep frytet e veta jo vetëm sa i takon krijimit për herë të parë të një database mjekësore për sëmundshmërinë por edhe për identifikimin, diagnostikimin dhe parandalimin e sëmundjeve invalidizuese me kosto të lartë sociale dhe financiare. Ajo që vihet re referuar të dhënave zyrtare është rritje e ndërgjegjësimit të popullatës për vetë rëndësinë që mbart kontrolli mjekësor bazë për identifikimin e çdo problematike shëndetësore që ky kontroll mjekësor vlerëson, nëpërmjet setit të analizave që çdo qytetar i moshës 35-70 vjeç ka mundësi të kryejë falas, çdo vit.
Duke u mbështetur në të dhënat për 6 mujorin e parë 2018 në total janë kryer 225,643 kontrolle mjekësore bazë në rang vendi, duke treguar një interes të lartë të popullatës për ta kryer Kontrollin Mjekësor Bazë.
Në të gjithë rajonet ka një rritje të konsiderueshme të numrit të kontrolleve check up në vlerë absolute.
Analizimi i treguesve statistikor të kontrollit mjekësor bazë gjatë këtij viti vlerësojnë se nga kontrolli i kryer kanë rezultuar 19% me rrisk të lartë, 34% me risk të moderuar dhe 47% me rrisk të ulët.
Rritja e numrit të kontrolleve mjekësore bazë, ka sjell diagnostikim të hershëm të sëmundjeve, ku përqindja e rasteve të referuara nga kontrolli mjekësor bazë për periudhën janar – qershor 2018 rezultojnë: rreth 84,754 raste janë referuar tek mjeku specialist.
Ndër këto: 49.61 % të rasteve janë referuar tek mjeku kardiolog, për sëmundje kardiovaskulare, 20.14 % janë referuar me Diabet Mellitus tek mjeku Endokrinolog, 10 % janë referuar për tek mjeku Hematolog.
Diagnostikimi i hershëm jo vetëm përmirëson cilësinë e shëndetit të popullatës por lehtëson koston e trajtimit të pacientëve si dhe drejton në mënyrë të drejtë politikat shëndetësore.
by FSDKSH | Jan 19, 2017 | Aktivitete
U zhvillua në Durrës takimi i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit z. Edi Rama, Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor z. Erion Manohasa. Të pranishëm ishin mjekë, personel spitalor, punonjës të shëndetësisë dhe pacientë.
600 mijë shqiptarë, nga fillimi i këtij viti do të marrin falas ilaçet nga gjithë lista e ilaçeve të rimbursueshme. Ata janë qytetarë të pasiguruar, të cilët janë në vështirësi dhe që deri dje duhet të paguanin me para në dorë, te gjitha barnat e përshkruara nga mjekët – një hap i rëndësishëm ky, drejt rilindjes së shëndetësisë përmes mbulimit universal dhe shëndetësisë falas për të gjithë.
Ministri i Shëndetësisë Beqaj, duke evidentuar se ka ende shumë për të bërë, sidomos në lehtësimin e barrës administrative dhe burokratike, theksoi se shndërrimi i sektorit të shëndetësisë i ndodhur në 4 vjet është në drejtimin e duhur duke renditur disa arritje si zbatimin e programit të kontrollit bazë shëndetëtsor të përvitshëm për këdo në moshën 35 – 70 vjeç, pa dallim i siguruar apo i pasiguruar duke ofruar falas mundësinë e 44 analizave të ndryshme mjekësore, vizitat tek mjeku i familjes e mundësuar falas për këdo. Për të pasiguruarit vizitat dhe ekzaminimet te mjeku specialist kanë pagesa thjesht simbolike nëse ndiqet sistemi i referimit. përdorimi sa më shtrirë i shëndetësisë elektronike me karten e shendetit on line, receten elektronike. Që nga janar 2017, edhe barnat me rimbursim mund t’i marrë kushdo kur mjeku i familjes i përshkruan ato. Të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri, rreth 2,9 milionë vetë, janë të barabartë në sistemin shëndetësor të vendit. Nëse në 2013 shpenzimet publike për shëndetësinë financonin më pak se gjysmën e shpenzime totale për shëndetin, tani financojnë rreth 60 %. Synimi ynë është që shpenzimet publike të mbulojmë të paktën 2/3 e shpenzimeve totale për shëndetin.
Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Erion Manohasa përmendi se informatizimi i shërbimeve shëndetësore, ka qëne një faktor i rëndesishëm për aplikimin e nje standarti te ri ne sherbimin ndaj qytetareve. I kemi besuar teknologjise dhe inovacionit, për të bërë hapin e madh në menaxhimin e sistemit, transparencën me publikun dhe shpejtësine e sigurinë e shërbimit. Vitet e fundit kanë sjellë dhe po sjellin aplikimin e një vizioni të ri, që synon afrimin e shërbimit tek qytetari, shmangien e abuzimeve dhe kontrollin aktiv dhe te vazhdueshem mbi te gjitha hallkat e sistemit të shëndetësisë.
Zgjerimi i shërbimit të shëndetësor edhe tek personat e pasiguruar, shënon zbatimin praktik dhe të drejtperdrejtë të parimit të mbulimit universal shëndetesor, kur çdo qytetar fiton një të drejtë e cila deri dje ofrohej me pagesë dhe jo për të gjithe shtetasit. Ky hap pozitiv, do të rrisë numrin e shqiptarëve të cilët fitojnë aksesin mbi sistemin shëndetësor gratis, duke përmbushur jo vetëm një angazhim programor të qeverisë, por edhe duke vënë në jetë një parim të lartë humanist të shoqërive të sotme moderne: atë të shëndetësisë si një e drejtë dhe jo si një shërbim me pagesë!
Fjalimi i Drejtorit te Pergjithshem te Fondit z. Erion Manohasa
Për më tepër klikoni në link më poshtë:
by FSDKSH | Jan 1, 2017 | Aktivitete
Më datë 25 Tetor 2016, në ambientet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u zhvillua një takim dypalësh me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë Turke kryesuar nga Zafer Pamukçu, Këshilltar i Ministrit të Financave dhe Sigurimeve Shëndetësore dhe Dr. Hüseyin Özbay, Drejtor Departamenti, Koordinator në fushën e Sistemeve Shëndetësore. Fondi përfaqësohej në takim nga Drejtori i Përgjithshëm z. Erion Manohasa, znj.Alketa Hila dhe z.Albert Sanxhaku, zv.Drejtorë të Përgjithshëm si dhe përfaqësues të drejtorive teknike.
Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së delegacionit të Ministrisë së Shëndetësisë turke në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë me ftesë të qeverisë shqiptare.
Drejtori i Përgjithshëm i Fondit, z.Erion Manohasa, shprehu kënaqësinë e këtij takimi dypalësh në kuadër të shkëmbimit të eksperiencës dhe arritjeve në sistemin shëndetësor të dy vendeve. Drejtuesit e Fondit prezantuan synimet kryesore të punës që ka institucioni me qëllim që të sigurojë fleksibilitet në financimin e shërbimeve shëndetësore, transparencë në administrim dhe besueshmëri tek qytetarët duke synuar mbulim shëndetësor universal.
Gjithashtu u bë një përshkrim i aktivitetit të deritanishëm dhe punës së institucionit, risitë teknologjike në përmirësimin e shërbimeve ndaj publikut si Karta e Shëndetit on line, paketat shëndetësore dhe aplikimi së shpejti në të gjithë vendin i recetës elektronike.
Gjithashtu në këtë takim, të dy palët vlerësuan rëndësinë e shkëmbimeve të eksperiencave midis institucioneve te përbashkëta duke hapur rrugë takimeve dhe bashkëpunimeve të tjera në vazhdim.
by FSDKSH | Jan 1, 2017 | Aktivitete
Çdo vit në 14 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Federata Botërore e Diabetit (IDF) organizojnë Ditën Botërore të Diabetit.
Tema kryesore për vitin 2016 është:
“Vëmendja tek diabeti”
Në këtë ditë, aktivitetet dhe materialet ndërgjegjësuese fokusohen në promovimin e dy mesazheve:
- Depistimi për diabetin tip 2 është i rëndësishëm për të modifikuar ecurinë e sëmundjes dhe për të reduktuar rrezikun e komplikacioneve.
- Depistimi për komplikacionet e diabetit është një pjesë e rëndësishme e menaxhimit të të gjithë tipeve të diabetit.
Shumë komplikacione të sëmundjes së diabetit mund të kapen apo diagnostikohen në stadet e hershme të tyre nëpërmjet programeve të depistimit, të cilat bëjnë që këto komplikacione të trajtohen dhe të parandalohet rëndimi i tyre. Sipas Federatës Botërore të Diabetit afërsisht 193 milionë njerëz, apo gjysma e atyre që vuanin nga diabeti në vitin 2015, ishin të pavetëdijshëm për sëmundjen e tyre. Sa më herët që personi të diagnostikohet aq më shpejt fillon edhe trajtimin, duke reduktuar rrezikun për komplikacione të rrezikshme dhe të kushtueshme. Ndaj është një nevojë urgjente depistimi, diagnostikimi dhe dhënia e trajtimit të duhur njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti. Në këtë ditë do të nxirren në pah zgjidhjet e realizueshme dhe sa më kosto-efektive të mundshme, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve me diabet tip 2 të padiagnostikuar dhe të atyre të cilët janë në rrezik për ta shfaqur diabetin më vonë.
Diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, verbërimit, (humbjes së shikimit) insuficiencës renale dhe amputieve të gjymtyrëve të poshtme. Më shumë se 1/3 e të gjithë njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti tip 1 dhe tip 2, zhvillojnë disa forma dëmtimi në sy të cilat çojnë në humbje të shikimit. Këto komplikacione mund të parandalohen apo të vonohet shfaqja e tyre duke mbajtur nivelin e glukozës në gjak, presionin e gjakut dhe nivelin e kolesterolit në gjak sa më afër normës. Disa komplikacione mund të kapen në fazat e tyre të hershme nëpërmjet depistimit, duke mundësuar dhënien e trajtimit për parandalimin e rëndimit të mëtejshëm të tyre. Në këtë ditë i vihet theksi nevojës apo rëndësisë së përfshirjes së depistimit për komplikacionet nga diabeti në kujdesin shëndetësor për njerëzit të cilët vuajnë nga diabeti.
Fakte
Në vitin 2015 më shumë se 400 milionë njerëz vuanin nga diabeti.
- Në vitin 2040 numri i njerëzve që do të vuajnë nga diabeti mendohet të shkojë 640 milionë, pra 1 në 10 njerëz do të vuajnë nga diabeti.
- 75% apo 3/4 e njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti janë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
- Pjesa më e madhe e njerëzve me diabet janë të moshës 40-59 vjeç.
- 1 në 11 adultë vuajnë nga diabeti.
- 1 në 2 (46%) e njerëzve me diabet janë të padiagnostikuar, dhe pjesa më e madhe e tyre kanë diabet tip 2.
- Sëmundja e diabetit shkaktoi 5 milionë vdekje në vitin 2015, me një vdekje çdo 6 sekonda.
- Më shumë se 542.000 fëmijë kishin diabet tip 1 në vitin 2015.
- Më shumë se 20.9 milionë lindje ishin të prekura nga diabeti gjatë shtatzënisë në vitin 2015 – 1 në 7 lindje.
- Në vitin 2015 për diabetin janë shpenzuar 673 miliardë dollarë (12%) në shpenzimet shëndetësore.
“Vëmendja tek diabeti”
Vepro sot për të ndryshuar të ardhmen!
Burimi: Instituti Shëndetit Publik – http://ishp.gov.al/

by FSDKSH | Jan 1, 2017 | Aktivitete
Dita Botërore e Sensibilizimit kundër HIV dhe AIDS organizohet çdo vit më 1 dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV dhe AIDS, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie. Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV dhe AIDS në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë.
Të dhëna të përditësuara për HIV dhe AIDS, 2016
Fakte kryesore
- HIV vazhdon të mbetet një problem i madh i shëndetit publik në nivel global. Më shumë se 35 milionë njerëz kanë vdekur deri tani nga shkaqe të lidhura me HIV, 1.1 milionë vetëm në vitin 2015.
- Në nivel global, deri në fund të vitit 2015 kishte afërsisht 36.7 milionë njerëz që jetonin me HIV, me 2.1 milionë njerëz të infektuar rishtaz në vitin 2015.
- Afrika Sub-Sahariane është rajoni më i prekur me 25.6 milionë raste në vitin 2015, që përbën dy të tretat e totalit global të infeksioneve të reja me HIV.
- HIV diagnostikohet shpesh përmes testeve të shpejta diagnostike, të cilat zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave HIV. Shpesh këto teste japin rezultate brenda ditës; esenciale për diagnozën, trajtimin dhe kujdesin e hershëm në të njëjtën ditë.
- Për infeksionin HIV nuk ka shërim. Megjithatë, medikamentet efektive antiretrovirale (ARV) ndihmojnë për të kontrolluar virusin dhe për të parandaluar transmetimin, në mënyrë që njerëzit me HIV si dhe ata në rrezik të konsiderueshëm, të mund të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive.
- Është vlerësuar se aktualisht vetëm 54% e njerëzve me HIV e dinë statusin e tyre.
- Deri në fund të vitit 2015, globalisht 17 milionë njerëz që jetojnë me HIV kanë marrë terapi antiretrovirale.
- Ndërmjet viteve 2000-2015, infeksionet e reja me HIV kanë rënë me 35%, numri i vdekjeve që lidhen me AIDS ka rënë me 28%, dhe rreth 7.8 milionë jetë janë shpëtuar si rezultat i përpjekjeve ndërkombëtare.
- Zgjerimi i mjekimit antiretroviral për të gjithë njerëzit që jetojnë me HIV dhe zgjerimi i masave parandaluese mund të ndihmojë që të shmangen 21 milionë vdekje që lidhen me AIDS dhe 28 milionë infeksione të reja të vlerësuara nëvitin 2030.
Trajtimi i AIDS
Sot infeksioni HIV mund të kontrollohet nëpërmjet përdorimit të terapisë antiretrovirale të kombinuar, e cila përbëhet nga 3 ose më shumë barna antiretrovirale. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të individit të fuqizojë kapacitetin për të luftuar infeksionet.
Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.
Për më tepër informacion klikoni në faqen zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik – http://ishp.gov.al/
