Alternativa të reja për të prekurit nga talasemia, trajtimi i plotë falas

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor sqaron qytetarët dhe posaçërisht pacientët që marrin falas me barnat që trajtojnë sëmundjen e Talasemisë se trajtimi i tyre do të jetë i njëjtë, madje i përshtatur sipas peshës trupore të pacientëve. Në listën e re të barnave të rimbursueshme 2018 janë shtuar 2 alternativa të reja që trajtojnë këtë sëmundje. Bëhet fjalë për 2 formëdoza të reja të të njëjtit bar, me konkretisht formëdoza deferasirox 125 mg dhe 500 mg, të cilat janë më të përshtatshme për pesha të ndryshme trupore (duke ditur se trajtohen me këtë bar kryesisht fëmijë) Bari Deferasirox 250 mg (Enferox) është alternativa xhenerike e njëjtë me barin tjetër Deferasirox 250 mg (Exjade). Pacientët do të trajtohen njëlloj sepse bari ka të njëjtin princip aktiv dhe është i liçencuar dhe i aprovuar, sipas legjislacionit në fuqi.
Pacientët që vuajnë nga talasemia përfitojne kurën e plotë pa pagesë.

Tiranë, 22 Maj 2017 – Prezantohet drejtori i ri i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit  Shëndetësor, me vendim nr.54, datë 19.05.2017 miratoi emërimin e Z. Eduard Ahmeti në detyrën e Drejtorit të Përgjithshmëm të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Zoti Ahmeti  merr këtë detyrë të rëndësishme, pas një eksperience të gjatë dhe të suksesshme në fushën administrative dhe konkretisht pas drejtimit të Agjencisë së Prokurimit Publik, detyrë të cilën e ka ushtruar prej Shkurtit të vitit 2014.

Zoti Ahmeti ka përfunduar studimet e larta në fushën e jurisprudencës në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 2003. Ai ka një përvojë të gjatë pune si avokat, i specializuar kryesisht në cështjet administrative, tregtare, civile, pasurive të paluajtshme, etj.

Zoti Ahmeti ka mbajtur  një sërë postesh të rëndësishme në administratën shtetërore si, Kryeadministrator i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Inspektor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, etj.

Drejtori i Përgjithshëm merr detyrën e rëndësishme të drejtimit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në momentin kur ky institucion është angazhuar në përmbushjen e misionit të tij dhe në mirëmenaxhimin e fondeve të buxhetit të shtetit, duke rritur cilësinë e shërbimit dhe transparencës ndaj qytetarëve.

Rritet ndërgjegjësimi I popullatës, në 6 muaj 225,643 qytetarë kryen Kontrollin Mjekësor Bazë

Rritet ndërgjegjësimi I popullatës, në 6 muaj 225,643 qytetarë kryen Kontrollin Mjekësor Bazë

Sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe tumoret, 84,754 raste referohen te mjekët specialistë

Programi kombëtar i Kontrollit Mjekësor Bazë për grupmoshën 35-70 vjeç po jep frytet e veta jo vetëm sa i takon krijimit për herë të parë të një database mjekësore për sëmundshmërinë por edhe për identifikimin, diagnostikimin dhe parandalimin e sëmundjeve invalidizuese me kosto të lartë sociale dhe financiare. Ajo që vihet re referuar të dhënave zyrtare është rritje e ndërgjegjësimit të popullatës për vetë rëndësinë që mbart kontrolli mjekësor bazë për identifikimin e çdo problematike shëndetësore që ky kontroll mjekësor vlerëson, nëpërmjet setit të analizave që çdo qytetar i moshës 35-70 vjeç ka mundësi të kryejë falas, çdo vit.

Duke u mbështetur në të dhënat për 6 mujorin e parë 2018 në total janë kryer 225,643 kontrolle mjekësore bazë në rang vendi, duke treguar një interes të lartë të popullatës për ta kryer Kontrollin Mjekësor Bazë.

Në të gjithë rajonet ka një rritje të konsiderueshme të numrit të kontrolleve check up në vlerë absolute.

Analizimi i treguesve statistikor të kontrollit mjekësor bazë gjatë këtij viti vlerësojnë se nga kontrolli i kryer kanë rezultuar 19% me rrisk të lartë, 34% me risk të moderuar dhe 47% me rrisk të ulët.

Rritja e numrit të kontrolleve mjekësore bazë, ka sjell diagnostikim të hershëm të sëmundjeve, ku përqindja e rasteve të referuara nga kontrolli mjekësor bazë për periudhën janar – qershor 2018 rezultojnë: rreth 84,754 raste janë referuar tek mjeku specialist.

Ndër këto: 49.61 % të rasteve janë referuar tek mjeku kardiolog, për sëmundje kardiovaskulare, 20.14 %  janë referuar me Diabet Mellitus tek mjeku Endokrinolog, 10 % janë referuar për tek mjeku  Hematolog.

Diagnostikimi i hershëm jo vetëm përmirëson cilësinë e shëndetit të popullatës por lehtëson koston e trajtimit të pacientëve si dhe drejton në mënyrë të drejtë politikat shëndetësore.

Durrës 23 janar 2017 – Barna me rimbursim Falas edhe për 600 mijë të pasiguruar

U zhvillua në Durrës  takimi i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit z. Edi Rama, Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor z. Erion Manohasa. Të pranishëm ishin mjekë, personel spitalor, punonjës të shëndetësisë dhe pacientë.

600 mijë shqiptarë, nga fillimi i këtij viti do të marrin falas ilaçet nga gjithë lista e ilaçeve të rimbursueshme. Ata janë qytetarë të pasiguruar, të cilët janë në vështirësi dhe që deri dje duhet të paguanin me para në dorë, te gjitha barnat e përshkruara nga mjekët – një hap i rëndësishëm ky, drejt rilindjes së shëndetësisë përmes mbulimit universal dhe shëndetësisë falas për të gjithë.

Ministri i Shëndetësisë Beqaj, duke evidentuar se ka ende shumë për të bërë, sidomos në lehtësimin e barrës administrative dhe burokratike, theksoi se shndërrimi i sektorit të shëndetësisë i ndodhur në 4 vjet është në drejtimin e duhur duke renditur disa arritje si zbatimin e programit të kontrollit bazë shëndetëtsor të përvitshëm për këdo në moshën 35 – 70 vjeç, pa dallim i siguruar apo i pasiguruar duke ofruar falas mundësinë e 44 analizave të ndryshme mjekësore, vizitat tek mjeku i familjes e mundësuar falas për këdo. Për të pasiguruarit vizitat dhe ekzaminimet te mjeku specialist kanë pagesa thjesht simbolike nëse ndiqet sistemi i referimit. përdorimi sa më shtrirë i shëndetësisë elektronike me karten e shendetit on line, receten elektronike. Që nga janar 2017, edhe barnat me rimbursim mund t’i marrë kushdo kur mjeku i familjes i përshkruan ato. Të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri, rreth 2,9 milionë vetë, janë të barabartë në sistemin shëndetësor të vendit. Nëse në 2013 shpenzimet publike për shëndetësinë financonin më pak se gjysmën e shpenzime totale për shëndetin, tani financojnë rreth 60 %. Synimi ynë është që shpenzimet publike të mbulojmë të paktën 2/3 e shpenzimeve totale për shëndetin.

Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Erion Manohasa  përmendi se informatizimi i shërbimeve shëndetësore, ka qëne një faktor i rëndesishëm për aplikimin e nje standarti te ri ne sherbimin ndaj qytetareve. I kemi besuar teknologjise dhe inovacionit, për të bërë hapin e madh në menaxhimin e sistemit, transparencën me publikun dhe shpejtësine e sigurinë e shërbimit. Vitet e fundit kanë sjellë dhe po sjellin aplikimin e një vizioni të ri, që synon afrimin e shërbimit tek qytetari, shmangien e abuzimeve dhe kontrollin aktiv dhe te vazhdueshem mbi te gjitha hallkat e sistemit të shëndetësisë.

Zgjerimi i shërbimit të shëndetësor edhe tek personat e pasiguruar, shënon zbatimin praktik dhe të drejtperdrejtë të parimit të mbulimit universal shëndetesor, kur çdo qytetar fiton një të drejtë e cila deri dje ofrohej me pagesë dhe jo për të gjithe shtetasit. Ky hap pozitiv, do të rrisë numrin e shqiptarëve të cilët fitojnë aksesin mbi sistemin shëndetësor gratis, duke përmbushur jo vetëm një angazhim programor të qeverisë, por edhe duke vënë në jetë një parim të lartë humanist të shoqërive të sotme moderne: atë të shëndetësisë si një e drejtë dhe jo si një shërbim me pagesë!

Fjalimi i Drejtorit te Pergjithshem te Fondit z. Erion Manohasa

Për më tepër klikoni në link më poshtë:

Takim i delegacionit të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës Turke me drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

Më datë 25 Tetor 2016, në ambientet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u zhvillua një takim dypalësh me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë Turke kryesuar nga Zafer Pamukçu, Këshilltar i Ministrit të Financave dhe Sigurimeve Shëndetësore dhe Dr. Hüseyin Özbay, Drejtor Departamenti, Koordinator në fushën e Sistemeve Shëndetësore. Fondi përfaqësohej në takim nga Drejtori i Përgjithshëm z. Erion Manohasa, znj.Alketa Hila dhe z.Albert Sanxhaku, zv.Drejtorë të Përgjithshëm si dhe përfaqësues të drejtorive teknike.

Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së delegacionit të Ministrisë së Shëndetësisë turke në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë me ftesë të qeverisë shqiptare.

Drejtori i Përgjithshëm i Fondit, z.Erion Manohasa, shprehu kënaqësinë e këtij takimi dypalësh në kuadër të shkëmbimit të eksperiencës dhe arritjeve në sistemin shëndetësor të dy vendeve. Drejtuesit e Fondit prezantuan synimet kryesore të punës që ka institucioni me qëllim që të sigurojë fleksibilitet në financimin e shërbimeve shëndetësore, transparencë në administrim dhe besueshmëri tek qytetarët duke synuar mbulim shëndetësor universal.

Gjithashtu u bë një përshkrim i aktivitetit të deritanishëm dhe punës së institucionit, risitë teknologjike në përmirësimin e shërbimeve ndaj publikut si Karta e Shëndetit on line, paketat shëndetësore dhe aplikimi së shpejti në të gjithë vendin i recetës elektronike.

Gjithashtu në këtë takim, të dy palët vlerësuan rëndësinë e shkëmbimeve të eksperiencave midis institucioneve te përbashkëta duke hapur rrugë takimeve dhe bashkëpunimeve të tjera në vazhdim.

 

14 Nëntor – Dita Botërore e Diabetit

Çdo vit në 14 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Federata Botërore e Diabetit (IDF) organizojnë Ditën Botërore të Diabetit.

Tema kryesore për vitin 2016 është:

“Vëmendja tek diabeti”

Në këtë ditë, aktivitetet dhe materialet ndërgjegjësuese fokusohen në promovimin e dy mesazheve:

  • Depistimi për diabetin tip 2 është i rëndësishëm për të modifikuar ecurinë e sëmundjes dhe për të reduktuar rrezikun e komplikacioneve.
  • Depistimi për komplikacionet e diabetit është një pjesë e rëndësishme e menaxhimit të të gjithë tipeve të diabetit.

Shumë komplikacione të sëmundjes së diabetit mund të kapen apo diagnostikohen në stadet e hershme të tyre nëpërmjet programeve të depistimit, të cilat bëjnë që këto komplikacione të trajtohen dhe të parandalohet rëndimi i tyre. Sipas Federatës Botërore të Diabetit afërsisht 193 milionë njerëz, apo gjysma e atyre që vuanin nga diabeti në vitin 2015, ishin të pavetëdijshëm për sëmundjen e tyre. Sa më herët që personi të diagnostikohet aq më shpejt fillon edhe trajtimin, duke reduktuar rrezikun për komplikacione të rrezikshme dhe të kushtueshme. Ndaj është një nevojë urgjente depistimi, diagnostikimi dhe dhënia e trajtimit të duhur njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti. Në këtë ditë do të nxirren në pah zgjidhjet e realizueshme dhe sa më kosto-efektive të mundshme, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve me diabet tip 2 të padiagnostikuar dhe të atyre të cilët janë në rrezik për ta shfaqur diabetin më vonë.

Diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, verbërimit, (humbjes së shikimit) insuficiencës renale dhe amputieve të gjymtyrëve të poshtme. Më shumë se 1/3 e të gjithë njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti tip 1 dhe tip 2, zhvillojnë disa forma dëmtimi në sy të cilat çojnë në humbje të shikimit. Këto komplikacione mund të parandalohen apo të vonohet shfaqja e tyre duke mbajtur nivelin e glukozës në gjak, presionin e gjakut dhe nivelin e kolesterolit në gjak  sa më afër normës. Disa komplikacione mund të kapen në fazat e tyre të hershme nëpërmjet depistimit, duke mundësuar dhënien e trajtimit për parandalimin e  rëndimit të mëtejshëm të tyre. Në këtë ditë i vihet theksi nevojës apo rëndësisë së përfshirjes së depistimit për komplikacionet nga diabeti në kujdesin shëndetësor për njerëzit të cilët vuajnë nga diabeti.

Fakte

Në vitin 2015 më shumë se 400 milionë njerëz vuanin nga diabeti.

  • Në vitin 2040 numri i njerëzve që do të vuajnë nga diabeti mendohet të shkojë 640 milionë, pra 1 në 10 njerëz do të vuajnë nga diabeti.
  • 75% apo 3/4 e njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti janë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
  • Pjesa më e madhe e njerëzve me diabet janë të moshës 40-59 vjeç.
  • 1 në 11 adultë vuajnë nga diabeti.
  • 1 në 2 (46%) e njerëzve me diabet janë të padiagnostikuar, dhe pjesa më e madhe e tyre kanë diabet tip 2.
  • Sëmundja e diabetit shkaktoi 5 milionë vdekje në vitin 2015, me një vdekje çdo 6 sekonda.
  • Më shumë se 542.000 fëmijë kishin diabet tip 1 në vitin 2015.
  • Më shumë se 20.9 milionë lindje ishin të prekura nga diabeti gjatë shtatzënisë në vitin 2015 – 1 në 7 lindje.
  • Në vitin 2015 për diabetin janë shpenzuar 673 miliardë dollarë (12%) në shpenzimet shëndetësore.

“Vëmendja tek diabeti”

Vepro sot për të ndryshuar të ardhmen!

Burimi: Instituti Shëndetit Publik –  http://ishp.gov.al/