14 QERSHOR – DITA BOTERORE E DHURIMIT TE GJAKUT

Foto

Që prej vitit 2004, çdo vit në 14 Qershor në shumë vende të botës organizohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut. Për  këtë vit, tema e  fushatës është “Gjaku na lidh ne të gjithëve” dhe ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës së të gjitha vendeve në botë, për rëndësinë që ka sigurimi në kohë i gjakut dhe produkteve të tij. Gjithashtu, ajo fokusohet edhe në falenderimin e të gjithë dhuruesve vullnetarë të gjakut të cilët shpëtojnë jetë çdo ditë me dhurimin e gjakut të tyre.

 

 

I.Objektivat e fushatës për këtë vit janë :

  • Falenderimi për dhuruesit e gjakut të cilët me dhurimin e tyre kanë shpëtuar jetë.
  • Promovimi i dhurimit vullnetar të gjakut në mënyrë të rregullt.
  • Ndërgjegjësimi i mbarë opinionit publik për nevojën e dhurimit të gjakut, si dhe për t’i inkurajuar dhuruesit e gjakut për një dhurim në intervale të rregullta.
  • Vëmendja e veçantë për shëndetin e dhuruesve dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor ndaj tyre.
  • Vlerësimi për dhuruesit vullnetarë të gjakut nga ana e politikëbërësve, si dhe sigurimi i burimeve të nevojshme për një kujdes shëndetësor cilësor për dhuruesit e gjakut.
  1. II.Fakte nga bota
  • Çdo vit në gjithë botën mblidhen rreth 107 milionë njësi gjaku të dhuruara. Ka një rritje me 25% të dhurimit të gjakut, krahasuar me vitin 2004 ku kishim 80 milionë dhurime në vit në mënyrë globale.
  • Në vendet me të ardhura të pakta, rreth 65% e gjakut të dhuruar u jepet fëmijëve nën 5 vjeç; ndërsa në vendet me të ardhura të larta, gjaku i dhuruar përdoret për moshat mbi 65 vjeç.
  • Në vendet me të ardhura të larta kemi 39.2 dhurime gjaku për 1000 banorë, 12.6 dhurime në vendet me të ardhura të mesme, dhe 4 dhurime për 1000 banorë në vendet me të ardhura të pakta.
  • Furnizimi i duhur dhe i besueshëm me gjak të sigurt mund të sigurohet vetëm nëpërmjet dhurimit të tij në mënyrë të rregullt, vullnetar dhe pa pagesë. Kjo, për arsye se ata janë grupi më i sigurt i dhuruesve, pasi infeksionet që mund të mbartë gjaku i tyre janë më të pakta.
  • Objektivi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është që deri në vitin 2020, të gjitha vendet e botës të sigurojnë dhurim të gjakut 100% në mënyrë vullnetare dhe pa pagesë. Aktualisht, vetëm në 60 vende të botës dhurimi i gjakut është 100% në mënyrë vullnetare dhe pa pagesë.
  • Gjaku që dhurohet duhet gjithmonë të testohet për viruset e HIV, Hepatitin B, Hepatitin C dhe Sifilizin. Në 25 vende në botë nuk bëhet akoma testimi i gjakut të dhuruar për këto sëmundje infektive.
  • Nga një njësi gjaku të dhuruar mund të përfitojnë disa pacientë. Ndarja e gjakut sipas përbërësve të tij bën që një njësi gjaku e dhuruar të përdoret për disa pacientë, duke u dhënë atyre vetëm përbërësin e gjakut për të cilin ata kanë nevojë.
  1. III.Fakte nga vendi
  • Rreth 0.9% e popullatës shqiptare me 2.8 milionë banorë (sipas Census 2011) dhuron gjak.
  • Ne kemi rreth 9 dhurime gjaku për 1000 banorë. Nevojat e vendit për gjak janë të mjaftueshme me 20 dhurime gjaku për 1000 banorë.
  • Vetëm në Tiranë gjatë një jave, në spital përdoren rreth 540 njësi gjaku, por nevojat janë më të mëdha.
  • Për pacientët me talasemi përdoren aktualisht rreth 110 njësi gjaku në javë.
  • Në pacientët me trauma dhe aksidente automobilistike të ndryshme përdoren afërsisht 30 njësi gjaku në javë.
  • Në sëmundjet e brendshme dhe sëmundjet e gjakut përdoren rreth 70 njësi gjaku në javë.
  • Në pacientët kirurgjikë përdoren rreth 150 njësi gjaku në javë.
  • Në të tjera patologji si tumore, hemorragji gjatë lindjes etj, përdoren rreth 180 njësi gjaku në javë.
  1. IV.Përse duhet të dhurojmë gjak :

Dhurimi i gjakut është një akt human i cili shpëton jetë njerëzish. Gjaku i sigurt shpëton jetë dhe përmirëson shëndetin, por shumë pacientë që iu nevojitet transfusion gjaku nuk e gjejnë atë në kohë dhe të sigurt. Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese e cila nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare dhe të rregullt nga njerëzit dhe pa pagesë. Mungesa e gjakut ka çuar në vdekje, si dhe në vuajtje nga sëmundjet e ndryshme.

Dhurimi i gjakut nevojitet për:

  • Gratë me komplikacione gjatë shtatzënisë, si dhe hemorragji përpara, gjatë dhe pas lindjes.
  • Fëmijët me anemi të theksuar që shpesh vijnë nga malaria dhe kequshqyerja.
  • Njerëzit të cilët pësojnë aksidente dhe u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike, për pacientët me kancer, si dhe në shumë ndërhyrje të tjera kirurgjike për sëmundje të ndryshme.
  • Gjithashtu, gjaku është i nevojshëm për njerëzit të cilët janë të sëmurë dhe duan në mënyrë të rregullt transfuzione gjaku, si pacientët me talasemi, me sëmundjen drepanocitare të gjakut, me hemofili, leuçemi etj.
  1. V.Kush mund të dhurojë gjak :

Mund të bëhet dhurues çdo person i cili gëzon shëndet të mirë, peshon  50 kg e lart dhe ka moshën 18 – 60 vjeç.

  1. VI.Kush nuk mund të dhurojë gjak :

Përjashtim të përhershëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë :

  • Sëmundje kardiovaskulare
  • Sëmundje infektive si (Hepatit viral B, C, TBC, HIV, Sifiliz)
  • Kryer transplante
  • Diabet insulinovartë
  • Sëmundje autoimune
  • Tumore malinje
  • Epilepsi
  • Sjellje seksuale me rrezik të madh infektimi, si dhe përdoruesit e alkoolit dhe drogës.

Përjashtim të përkohshëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë:

  • Marrë antibiotik ose sapo kanë mbaruar kurën 7 ditore me antibiotik.
  • Kollë dhe dhimbje fyti.
  • Kryer një ndërhyrje kirurgjike brenda vitit.
  • Gratë gjatë shtatzënisë dhe një vit pasi kanë lindur, si dhe gjatë ciklit menstrual.
  • Bërë tatuazhe apo pircinge në 4 muajt e fundit.
  • Marrë transfuzione gjaku gjatë një trajtimi mjekësor apo ndërhyrjeje kirurgjike.
  • Bërë një vaksinë.
  • Kryer marrëdhënie seksuale të rastësishme.
  • Alergji të ndryshme në fazën akute.
  • Kryer ekzaminime endoskopike.
  1. VII.Sa shpesh mund të dhurojmë gjak :

Të rinjtë që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe peshojnë 50 kg dhurojnë 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj (me miratimin e prindërve).

Burrat mund të dhurojnë 4 herë gjak gjatë një viti, me një diferencë prej 12 javësh midis dy dhurimeve të gjakut.

Gratë në moshën e pjellorisë këshillohet të dhurojnë gjak 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj.

  1. VIII.Sa gjak dhurohet :

Sasia maksimale e gjakut të marrë sipas ligjit në fuqi për secilin dhurues është 450ml (±10%).

Marrja e gjakut zgjat rreth 5 deri 8 min, dhe kryhet me materiale mjekësore sterile dhe njëpërdorimshe. Sasia e gjakut të dhuruar zëvendësohet brenda pak orëve, ndërsa duhen rreth 20 ditë që të rifitohet numri normal i qelizave.

  1. IX.Çfarë duhet bërë para dhe pasi dhurohet gjak :

Ditën që do të dhuroni gjak hani një mëngjes të lehtë dhe pini sa më shumë lëngje, si para ashtu edhe pas dhurimit të gjakut. Këshillohet të mos përdoren pije alkoolike dhe duhan. Mos kryeni aktivitete fizike të forta. Përpara dhurimit të gjakut mjeku do të bëjë kontrollin dhe vlerësimin klinik të dhuruesit (peshën, rrahjet e zemrës, tensionin, hemoglobinën), dhe do të kryej një bashkëbisedim të shkurtër me qëllim përpilimin e një pyetësori, gjë që përcakton aftësinë dhe pranimin për dhurim të gjakut.

  1. X.Çfarë përfitoj unë nëse dhuroj gjak :

Çdo dhuruesi gjaku përfiton këto testime :

  • Gjak komplet
  • Transaminazat ALT
  • Konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh
  • Testim për Hepatit B, C, HIV, Sifiliz dhe Citomegalovirus (CMV)

Nëse je dhurues periodik, përveç testimeve të sipërpërmendura kryhen edhe disa ekzaminime shtesë si:

  • Glicemia
  • Kreatinemia
  • Proteinemia
  • Kolesterolemia
  • Trigliceridemia
  • Feritinemia
  1. XI.Ku dhurohet gjaku :

Ne kemi Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe 4 Banka të dhurimit të gjakut në Tiranë pranë spitalevë të mëdha, si dhe njësitë për mbledhjen e Gjakut në 26 rrethe të vendit.

Për më shumë informacion kontaktoni Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të  Gjakut, Tiranë.

E-mail: qktgjaku@yahoo.it

Drejtoresha e Përgjithshme e FSDKSH-së, Vjollca Braho takim me homologun e saj në Maqedoni

E drejta e Sigurimit Shëndetësor, shfrytëzimi i pajisjeve ortopedike si dhe funksionimi i Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë ishin në qendër të diskutimeve të zhvilluara në Shkup me Drejtores së Përgjithshme të FSDKSH-së, Vjollca Braho dhe Orhan Ramadanit, Drejtor i Përgjithshëm i FSSHM-së.

Takimi kishte në qendër të tij shkëmbimin e eksperiencave mes dy institucioneve dhe më konkretisht mënyrën sesi aplikohet rimbursimi i pajisjeve mjekësore në Maqedoni. Gjatë fjalës së saj Znj. Braho falenderoi drejtorin Orhan Ramadani për angazhimin e tij personal në shkëmbimin e informatave dhe përvojave si drejtor i FSSHM – së si dhe vënien në dispozicion të perfonelit të FSSHM – së për bashkëpunim në të ardhmen. Në takim u diskutua edhe për cështjen e bashkëpunimit në mes dy fondeve konkretisht në lidhje me Marëveshjen ndërkombëtare për sigurim shëndetësorë në mes dy shteteve e cila është ratifikuar në Parlamendti e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë. Gjatë këtij takimi u vu theksi në rritjen e nivelit të bashkëpunimit mes dy instucioneve dhe u ra dakort të punohet për fillimin e implementimit të marrëveshjes dy palëshe pasi që është në interest të të dy vendeve si dhe për të mirën e qytetarëve të siguruar sepse një pjesë e madhe e banorëve dhe biznesmenëve nga Maqedonia kryejnë vizita dhe veprojnë në Shqipëri.

31 Maj 2016 – DITA BOTERORE PA DUHAN

foto

Gati për “paketim gjenerik” të produkteve të duhanit.

 (paketim standard)

Organizata Botërore e Shëndetësisë  u bën thirrje vendeve që  të përgatiten  me atë  që quhet “paketim gjenerik ose I standartizuar”, që nënkupton që të gjitha paketat e duhanit të duken njësoj sepse  edhe germat “font-i”, do të jene të detyrueshme të jene të njëjtat për çdo lloj pakete, por i vetmi ndryshim është emri i markës tregtare.

Çdo vit, më 31 Maj, OBSH dhe partnerët me rastin e Ditës Botërore Pa-Duhan, duke theksuar rreziqet shëndetësore lidhur me përdorimin e duhanit bëjnë thirje  për politika efektive për të reduktuar konsumin e duhanit.

31 Maj 2016, Dita Botërore Pa Duhan , OBSH dhe Sekretariati i Konventës Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit janë duke bërë thirrje që, çdo palë të  miratojë dhe zbatojë masa efektive për një paketim të thjeshtë (standard) të produkteve të duhanit.

Paketimi i thjeshtë zvogëlon atraktivitetin e produkteve të duhanit dhe është një masë e rëndësishme për uljen e kërkesës dhe kufizon përdorimin e paketimit të duhanit si një formë e reklamimit të duhanit dhe promovimit, me mjete fallco, mashtruese, zhgënjyese ose që ka të ngjarë të krijojnë përshtypje të gabuara për karakteristikat e tij.

Paketimi i thjeshtë i produkteve të duhanit rrit efektivitetin e paralajmërimeve shëndetësore.

Paketimi i thjeshtë nuk promovon një produkt duhani me mjete fallco, mashtruese, zhgënjyese ose që ka të ngjarë të krijojnë përshtypje të gabuara për karakteristikat e tij, efektet shëndetësore, rreziqet dhe/ose dëmtimet, duke përfshirë çdo term, përshkrim, shenjë dalluese, shenjë figurative ose ndonjë shenjë tjetër që në mënyrë direkte ose indirekte krijon një përshtypje fallco që një produkt i veçantë duhani është më pak i dëmshëm se prodhimet e tjera të duhanit

Konventa Kornizë për kontrollin e  Duhanit në udhëzimet për nenet 11 dhe 13, rekomandon që palët të  miratojnë dhe zbatojnë, paketimin  e  thjeshtë si pjesë e një qasje gjithëpërfshirëse multisektoriale për kontrollin e duhanit.

Hartuesit e politikave, individët dhe organizatat e shoqërisë civile të inkurajojnë qeveritë e tyre që të marrin  masa për miratimin e paketimit të thjeshtë.

Fakte rreth paketimit të thjeshtë (standard).

Interesi për paketim të thjeshtë po ecën në të gjithë botën :
• Në dhjetor 2012, Australia u bë vendi i parë për zbatimin e plotë të paketimit të thjeshtë.
• Në vitin 2015, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Francë kanë kaluar të gjitha ligjet për zbatimin e paketimit të thjeshtë duke hyrë  në fuqi për zbatim në muajin Maj 2016.
• Një numër tjetër vendesh janë në fazat e avancuara të miratimit te neneve për paketimin e thjeshtë.

Qëllimet e fushatës se Ditës Botërore Pa-Duhan 2016

• Të theksoje se paketimi i thjeshtë është pjesë e një qasje gjithëpërfshirëse, multisektoriale për kontrollin e duhanit.
• Lehtësimi i zhvillimit të politikave nga shtetet anëtare për paketim të thjeshtë po ecën në të gjithë botën, duke siguruar informacione informative dhe bindëse.
• Inkurajimi i shteteve anëtare që punojnë në drejtim të paketimit të thjeshtë si një qasje mendje hapur, për të forcuar masat kufizuese për të përdorur paketimin e duhanit si një formë e reklamimit të duhanit, promovimit dhe sponsorizimit.
• Mbështetje për shtetet anëtare dhe të shoqërisë civile kundër ndërhyrjeve të industrisë duhanit në proceset politike që pengojnë miratimin e ligjeve  për paketimin e thjeshtë.

 

Më shumë informacion do të gjeni:

ISHP – http://ishp.gov.al/event/31-maj-2016-dita-boterore-pa-duhan/

OBSH –http://www.who.int/campaigns/no-tobacco-day/2016/en/

https://www.youtube.com/watch?v=rXUCTSp2_58&feature=youtu.be

Njoftim për shtyp – 01 Korrik 2016

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë rrëzoi padinë e ngritur nga Urdhri i Farmacistit ndaj Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

Në datë 30 qershor Gjykata Administrative e Apelit Tiranë rrëzoi padinë e ngritur nga Urdhri i Farmacistit ndaj Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për rishikimin e vendimit të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së nr. 71, datë 22.12.2015, “Për kriteret që duhet të plotësojnë farmacitë dhe agjencitë farmaceutike për lidhjen e kontratës me Fondin dhe procedurat për lidhjen e kontratës për vitin 2016” dhe shfuqizimin e disa pikave në përmbajtjen e tij.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, duke e vlerësuar Urdhërin e Farmacistit si një partner në ushtrimin e misionit të tij, organizoi disa tryeza diskutimesh mes përfaqësuesve të dy institucioneve, diskutime të cilat u ndërprenë pasi UFSH-ja depozitoi padi në gjykatë për zgjidhjen e pretendimeve të tyre. UFSH-ja kundërshtoi kriteret e parashikuara në pikat 10, 13, 14, 15, 19 dhe 20 të kreut I, të vendimit të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së nr. 71, datë 22.12.2015, të cilat kishin të bënin, mes të tjerash, me distancën jo më pak se 20 metra që farmacitë duhet të kenë nga kufiri i jashtëm i institucionit shëndetësor publik; sipërfaqen e shfrytëzueshme prej 50 m2 që duhet të kenë farmacitë që lidhin kontratë për herë të parë me Fondin, ndërsa agjencitë farmaceutike 15 m2, si dhe, kriterin që parashikonte zgjidhjen e kontratës së Fondit me farmacitë dhe agjencitë farmaceutike, të cilat janë në hetim nga organi i akuzës deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Vendimi i formës së prerë u shpall dje, ku Gjykata Administrative e Apelit, i gjeti të pabazuara në ligj pretendimet e UFSH-së, ndërkohë që procesi gjyqërore për këtë padi nisi më 8 prill 2016.

Njoftim për Shtyp – Hyn në fuqi Lista e Barnave të Rimbursueshme 2016

Duke filluar nga data 1 qershor 2016 hyn në fuqi Lista e Barnave të Rimbursueshme 2016 dhe që nga ky moment do të jetë i mundur rimbursimi i barnave për pacientët në nevojë, sipas listës së re të barnave.

Lista e barnave të rimbursueshme e vitit 2016 përmban 1070 barna alternative tregtare, nga të cilat 546 barna alternative të para nga 490 që përmbante lista e vitit 2015. Gjithashtu kjo listë përmban 322 principe aktive nga 280 që përmbante lista e vitit të shkuar. Këto barna përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbime si: Onkologjik, Gastro-hepatologji, Pneumologji, Reumatologji, Infektiv, në terapinë kardiake, Parkinson, Diabet, Psoriaz, Dislipidemi si dhe sëmundjeve të gjakut etj.

Përveç shtimit të numrit të barnave në LBR e këtij viti, çmimet e miratuara janë me një ulje prej rreth 6.9 përqind në krahasim me çmimet e aplikuara në LBR-në e vitit 2015. Ndërkohë krahas uljes së çmimit të barnave është rritur edhe buxheti i akorduar për shpenzimet e rimbursimit në raport me vitin 2015. Për këtë vit buxheti për rimbursimin e barnave është 9 miliardë lekë.

Kategoritë që do të vazhdojnë si më parë të përfitojnë barna me rimbursim në masën 50 deri në 100 përqind do të jenë grupe të tilla shoqërore si pensionistë, invalid të plotë, fëmijë 0-12 muaj, të sëmurët tumoral, tuberkuloz, të verbërit, jetimët si dhe një sërë kategorish të tjera.

Lista e Barnave të Rimbursueshme 2016

Lista e Barnave të rimbursuara që tregtohen në farmacinë e spitaleve rajonale 2016