14 Nëntor – Dita Botërore e Diabetit

Çdo vit në 14 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Federata Botërore e Diabetit (IDF) organizojnë Ditën Botërore të Diabetit.

Tema kryesore për vitin 2016 është:

“Vëmendja tek diabeti”

Në këtë ditë, aktivitetet dhe materialet ndërgjegjësuese fokusohen në promovimin e dy mesazheve:

  • Depistimi për diabetin tip 2 është i rëndësishëm për të modifikuar ecurinë e sëmundjes dhe për të reduktuar rrezikun e komplikacioneve.
  • Depistimi për komplikacionet e diabetit është një pjesë e rëndësishme e menaxhimit të të gjithë tipeve të diabetit.

Shumë komplikacione të sëmundjes së diabetit mund të kapen apo diagnostikohen në stadet e hershme të tyre nëpërmjet programeve të depistimit, të cilat bëjnë që këto komplikacione të trajtohen dhe të parandalohet rëndimi i tyre. Sipas Federatës Botërore të Diabetit afërsisht 193 milionë njerëz, apo gjysma e atyre që vuanin nga diabeti në vitin 2015, ishin të pavetëdijshëm për sëmundjen e tyre. Sa më herët që personi të diagnostikohet aq më shpejt fillon edhe trajtimin, duke reduktuar rrezikun për komplikacione të rrezikshme dhe të kushtueshme. Ndaj është një nevojë urgjente depistimi, diagnostikimi dhe dhënia e trajtimit të duhur njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti. Në këtë ditë do të nxirren në pah zgjidhjet e realizueshme dhe sa më kosto-efektive të mundshme, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve me diabet tip 2 të padiagnostikuar dhe të atyre të cilët janë në rrezik për ta shfaqur diabetin më vonë.

Diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, verbërimit, (humbjes së shikimit) insuficiencës renale dhe amputieve të gjymtyrëve të poshtme. Më shumë se 1/3 e të gjithë njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti tip 1 dhe tip 2, zhvillojnë disa forma dëmtimi në sy të cilat çojnë në humbje të shikimit. Këto komplikacione mund të parandalohen apo të vonohet shfaqja e tyre duke mbajtur nivelin e glukozës në gjak, presionin e gjakut dhe nivelin e kolesterolit në gjak  sa më afër normës. Disa komplikacione mund të kapen në fazat e tyre të hershme nëpërmjet depistimit, duke mundësuar dhënien e trajtimit për parandalimin e  rëndimit të mëtejshëm të tyre. Në këtë ditë i vihet theksi nevojës apo rëndësisë së përfshirjes së depistimit për komplikacionet nga diabeti në kujdesin shëndetësor për njerëzit të cilët vuajnë nga diabeti.

Fakte

Në vitin 2015 më shumë se 400 milionë njerëz vuanin nga diabeti.

  • Në vitin 2040 numri i njerëzve që do të vuajnë nga diabeti mendohet të shkojë 640 milionë, pra 1 në 10 njerëz do të vuajnë nga diabeti.
  • 75% apo 3/4 e njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti janë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
  • Pjesa më e madhe e njerëzve me diabet janë të moshës 40-59 vjeç.
  • 1 në 11 adultë vuajnë nga diabeti.
  • 1 në 2 (46%) e njerëzve me diabet janë të padiagnostikuar, dhe pjesa më e madhe e tyre kanë diabet tip 2.
  • Sëmundja e diabetit shkaktoi 5 milionë vdekje në vitin 2015, me një vdekje çdo 6 sekonda.
  • Më shumë se 542.000 fëmijë kishin diabet tip 1 në vitin 2015.
  • Më shumë se 20.9 milionë lindje ishin të prekura nga diabeti gjatë shtatzënisë në vitin 2015 – 1 në 7 lindje.
  • Në vitin 2015 për diabetin janë shpenzuar 673 miliardë dollarë (12%) në shpenzimet shëndetësore.

“Vëmendja tek diabeti”

Vepro sot për të ndryshuar të ardhmen!

Burimi: Instituti Shëndetit Publik –  http://ishp.gov.al/

1 DHJETOR 2016 – DITA BOTËRORE KUNDËR HIV dhe AIDS

Dita Botërore e Sensibilizimit kundër HIV dhe AIDS organizohet çdo vit më 1 dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV dhe AIDS, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie. Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV dhe AIDS në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë.

Të dhëna të përditësuara për HIV dhe AIDS, 2016

Fakte kryesore

  • HIV vazhdon të mbetet një problem i madh i shëndetit publik në nivel global. Më shumë se 35 milionë njerëz kanë vdekur deri tani nga shkaqe të lidhura me HIV, 1.1 milionë vetëm në vitin 2015.
  • Në nivel global, deri në fund të vitit 2015 kishte afërsisht 36.7 milionë njerëz që jetonin me HIV, me 2.1 milionë njerëz të infektuar rishtaz në vitin 2015.
  • Afrika Sub-Sahariane është rajoni më i prekur me 25.6 milionë raste në vitin 2015, që përbën dy të tretat e totalit global të infeksioneve të reja me HIV.
  • HIV diagnostikohet shpesh përmes testeve të shpejta diagnostike, të cilat zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave HIV. Shpesh këto teste japin rezultate brenda ditës; esenciale për diagnozën, trajtimin dhe kujdesin e hershëm në të njëjtën ditë.
  • Për infeksionin HIV nuk ka shërim. Megjithatë, medikamentet efektive antiretrovirale (ARV) ndihmojnë për të kontrolluar virusin dhe për të parandaluar transmetimin, në mënyrë që njerëzit me HIV si dhe ata në rrezik të konsiderueshëm, të mund të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive.
  • Është vlerësuar se aktualisht vetëm 54% e njerëzve me HIV e dinë statusin e tyre.
  • Deri në fund të vitit 2015, globalisht 17 milionë njerëz që jetojnë me HIV kanë marrë terapi antiretrovirale.
  • Ndërmjet viteve 2000-2015, infeksionet e reja me HIV kanë rënë me 35%, numri i vdekjeve që lidhen me AIDS ka rënë me 28%, dhe rreth 7.8 milionë jetë janë shpëtuar si rezultat i përpjekjeve ndërkombëtare.
  • Zgjerimi i mjekimit antiretroviral për të gjithë njerëzit që jetojnë me HIV dhe zgjerimi i masave parandaluese mund të ndihmojë që të shmangen 21 milionë vdekje që lidhen me AIDS dhe 28 milionë infeksione të reja të vlerësuara nëvitin 2030.

Trajtimi i AIDS

Sot infeksioni HIV mund të kontrollohet nëpërmjet përdorimit të terapisë antiretrovirale të kombinuar, e cila përbëhet nga 3 ose më shumë barna antiretrovirale. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të individit të fuqizojë kapacitetin për të luftuar infeksionet.

Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.

Për më tepër informacion klikoni në faqen zyrtare të  Institutit të Shëndetit Publik –  http://ishp.gov.al/

Njoftim 24 Tetor 2016 – Z. Erion Manohasa emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

Këshilli Administrativ i FSDKSH me vendim nr.88, datë 21.10.2016 miratoi emërimin e Z. Erion Manohasa në detyrën e Drejtorit të Përgjithshmëm të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Zoti Manohasa merr këtë detyrë  pas një eksperience të gjatë dhe të suksesshme në fushën administrative dhe atë akademike. Ai ka përfunduar studimet e larta në fushën e jurisprudencës në Universitetin e Studimeve të Romës ” La Sapienza” Itali dhe mban titullin Doktor i Shkencave, pasi ka përfunduar studimet e doktoraturës në Universitetin e Studimeve të Romës ”Tor Vergata”, Itali.

Zoti Manohasa ka mbajtur  një sërë postesh të rëndësishme në administratën shtetërore, si  Drejtor i Përgjithshëm i Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit, Marrëdhënieve të Punës dhe Dialogut Social në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Gjithashtu ka  një aktivitet të spikatur e në fushën akademike dhe ka qenë lektor në disa universitete në fushën e të drejtës private, përfshirë lëndën e arbitrazhit dhe ndërmjetësimit.

Z.Manohasa merr detyrën e rëndësishme të drejtimit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në momentin kur ky institucion është angazhuar në mirëmenaxhimin e fondeve të buxhetit të shtetit, për të rritur cilësinë e shërbimit dhe transparencës ndaj qytetarëve.

Fondi vizitë zyrtare në ambientet e kompanisë KLS-MARTIN Grup në Gjermani

Qytetarët shqiptarë meritojnë shërbim shëndetësor cilësor dhe në kohën e duhur!

Ekipi i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor zhvilloi një vizitë zyrtare në ambientet e kompanisë KLS-MARTIN Grup në Gjermani, e cila prodhon instrumentet kirurgjikalë dhe setin e personalizuar që ofrohen aktualisht për kirurgët në QSUT dhe që shumë shpejt do të shtrihen në të gjithë vendin.
Falë bashkëpunimit të kompanisë KLS Martin Group dhe operatorit që po kryen shërbimet për setin e personalizuar, furnizimin me materialin e butë, dezinfektimin e sallave dhe sterilizimin e instrumenteve, mjekët po zhvillojnë një punë profesionale duke pasur në përdorimin instrumentet më moderne kirurgjikale, ndërkohë që janë zeruar infeksionet spitale.

”Bashkë për të bërë më të mirën në shërbimin e qytetarëve!”

27 Korrik 2016 – Analiza 6 mujore e FSDKSH-së dhe Drejtorive Rajonale të Fondit

”Cilësia e shërbimeve duhet të jetë busulla e punës sonë të përditshme!”

Kështu nisi analiza 6 mujore e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, nën kujdesin e Drejtoreshës së Përgjithshme Znj. Vjollca Braho, ku të pranishëm ishin drejtorët e drejtorive rajonale dhe drejtorët e drejtorive të Fondit. Fokusi kryesor i kësaj analize ishin detyrat e lëna nga analiza 3 mujore e parë si dhe dhënia e direktivave mbi pikat kyçe në të cilat stafi duhet ende të përqëndrohet, me qëllim ardhjen sa më afër qytetarit me shërbime cilësore.

Drejtoresha e Përgjithshme theksoi se në qendër të vëmendjes duhej vendosur qytetari dhe çdo qindarkë e përcaktuar nga buxheti i shtetit për rimbursimin e barnave duhet të shkojë vetëm në favor të tij. Gjithashtu objektiv tjetër duhet të jetë përmirësimi i shërbimit nëpërmjet rritjes së kontrollit dhe mirëmenaxhimit të fondeve të skemës së rimbursimit të barnave.

Krahas problematikave dhe detyrave që iu la secilës drejtori rajonale, Drejtoresha e Përgjithshme nuk harroi pa falenderuar të gjithë stafin për performancën e realizuar këto muaj, në arritjen e objektivave të përcaktuara dhe realizimin e detyrave të lëna.

”Bashkë për të bërë më të mirën në shërbimin e qytetarëve!”