by FSDKSH | Dec 8, 2016 | Aktivitete
Ne duhet të ofrojmë shërbim shëndetësor kudo dhe me cilësi!
Në analizën 3-mujore të punës së FSDKSh-së me drejtoret rajonalë për të diskutuar mbi problematikat e hasura si dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë.
Kontrolle dhe masa të njëpasnjëshme për të eleminuar çdo fenomen të lidhur me konfliktin e interesit dhe abuzivitetin me keqpërdorimin e fondeve për rimbursimin e barnave.
Brenda muajit maj do të përfundojmë pastrimin e regjistrit të shtetasve, në mënyrë që implementimi i recetës elektronike në të gjithë vendin të jetë sa më efikas.


by FSDKSH | Dec 7, 2016 | Aktivitete
Për të eleminuar keqkuptimet si dhe radhët e krijuara në sportele sqarojmë se pajisja e qytetarëve me Karta Shëndeti vazhdon edhe pas datës 30 prill! Në këtë datë përfundon vetëm afati i përdorimit të Librezave të Shëndetit, kështu që askush nuk duhet të shqetësohet se mund të mos pajiset me këtë dokument.
Të gjithë qytetarët që nuk e kanë të domosdoshme pajisjen me Kartë Shëndeti të mos paraqiten në sportele gjatë këtyre dy ditëve sepse mund ta marrin këtë dokument në çdo moment që atyre do t’ju nevojitet. Për të mundësuar një shërbim sa më korrekt, sportelet tona pranë Qendrave Shëndetësore punojnë çdo ditë deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Gjithashtu të interesuarit që kanë akses në një kompiuter mund ta gjenerojnë vetë Kartën e Shëndetit përmes portalit e-albania pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet tona.
Shpresojmë të kemi mirëkuptimin Tuaj në mbarëvajtjen e këtij procesi!


by FSDKSH | Dec 6, 2016 | Aktivitete
Nga data 18 deri më 20 Prill 2016, u zhvillua në Gjermani takimi i radhës ndërmjet grupeve teknike shqiptare dhe atyre gjermane, në kuadër të Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, firmosur më 23 Shtator 2015. Në këte takim u diskutua dhe u aprovua Marrëveshja Administrative për mbrojtjen shoqërore dhe shëndetësore ndërmjet dy vendeve, si dhe formularët që do shërbejnë në fazën e implementimit të saj.
Kjo Marrëveshje ka si qëllim, njohjen e kontributeve të paguara nga shtetasit e dy vendeve, duke bërë që asnjë periudhë sigurimi të mos humbasë, por të llogaritet si vjetërsi pune, për të përfituar një pension maksimal.
Marrëveshja në fjalë do t’u vijë në ndihmë sidomos shtetasve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, të cilët janë një një numër të konsiderueshëm, duke garantuar kështu të drejtat e tyre mbi punësimin dhe kontributet e dhëna.
Pjesë e delegacionit shqiptar në këtë takim ishin përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Raundi tjetër i negociatave do të zhvillohet në fund të Muajit Shtator të këtij viti, I cili pritet të finalizojë këtë Marrëveshje për t’i hapur rrugë zbatimit të saj.

by FSDKSH | Dec 5, 2016 | Aktivitete
Në përgjigje të statusit në rrjetin social Facebook të deputetes të Partisë Demokratike, znj. Albina Deda mbi rimbursimin e produktit NeuraAID II MLC901 Ju sqarojmë se :
Nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me Urdhërin nr.3666/1,datë 09.11.2015, është ngritur grupi i punës për të ushtruar kontrolle në DRF Tiranë me objekt: Vlerësimin e aktivitetit të DRFSDKSH Tiranë për periudhën Qershor –Tetor 2015.
Nga strukturat e auditit tonë të brendshëm kemi konstatuar se janë lëshuar receta me rimbursim për produktin NeuraAID II MLC901 për kategorinë e vetaranëve dhe invalidëve të luftës. Kjo kategori në bazë të legjislacionit dhe akteve nënligjore në fuqi ka të drejtën të përfitojë barna falas për trajtim ambulator të sëmundjeve kronike si brenda listës së barnave me rimbursim ashtu edhe jashtë saj. Në këto kushte duke konstatuar parregullsi qoftë në lëshimin, ekzekutimin dhe rimbursimin e recetave për këtë kategori lidhur me produktin NeuraAID II MLC901, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në FSDKSh në raportin final të evadimit të masave organizative, disiplinore, administrative, dhe zhdëmtuese, me nr.3666/3, datë 03.03.2016 i ka bërë prezent këto masa DRFSDKSh-së Tiranë, e cila menjëherë ka nisur zbatimin e tyre.
Këto masa të cilat tashmë janë ekzekutuar, konsistojnë në:
- Nxjerrjen e akteve administrative për rikuperimin e dëmit financiar të shkaktuar.
- Masat administrative dhe të karaketrit disiplonor për të gjithë zinxhirin e individëve që rezultojnë të përfshirë në këtë fenomen.
- Marrjen e masave disiplinore për largimin nga puna për 7 punonjës të DRFSDKSH-së Tiranë.
- Dërgimin e dosjes pranë autoriteteve ligjzbatuese për të thelluar hetimin dhe nxjerrjen e përgjegjësve.
Për të pasur një tablo më të qartë të situatës në DRFSDKSh Tiranë Drejtorja e Përgjithshme e FSDKSH-së, znj, Vjollca Braho në fillim të muajit prill ka ngritur grupin e punës dhe ka urdhëruar që për periudhën janar 2015 – 31 mars 2016, të ushtrohet kontroll mbi të gjithë aktivitetin e kësaj drejtorie. Paralelisht me këtë proces janë hartuar programet e punës për të ushtruar kontroll në të gjitha Drejtoritë Rajonale të FSDKSh-së në të gjithë vendin.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rikthekson edhe njëherë se janë strukturat e tij të brendshme që kanë konstuar dhe marrw masat e nevojshme duke e referuar rastin e fenomenit abuzues me produktin NeuraAID II MLC901 pranë organeve ligjzbatuese. Gjithashtu, Fondi garanton se do të ushtrojë gjithë kopetencat dhe autoritetin e njohur nga ligji në funksion të misionit të tij për të garantuar administrimin e skemës së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, duke synuar mbulimin e popullsisë në përfitimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor si në sektorin publik dhe atë privat, të menaxhojë burimet financiare, të zhvillojë skemën e sigurimeve shëndetësore me qëllim që të siguruarit të marrin shërbime sa më cilësore dhe në përputhje me nevojat reale.
by FSDKSH | Dec 4, 2016 | Aktivitete
OBSH-ja në Ditën Botërore të Shëndetit, 7 Prill 2016 është fokusuar tek diabeti sepse epidemia e diabetit është rritur me shpejtësi në shumë vende të botës, dhe me një rritje dramatike të dokumentuar sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Një pjesë e madhe e rasteve të diabetit janë të parandalueshme. Disa masa të thjeshta në stilin e jetës janë provuar të jenë efektive në parandalimin apo vonesën e shfaqjes së diabetit Tip 2. Ruajtja e një peshe normale të trupit, kryerja e aktivitetit fizik të rregullt si dhe ushqyerja në mënyrë të shëndetshme mund të zvogëlojnë rrezikun për diabet.
Diabeti është i kurueshëm. Ai mund të mbahet nën kontroll dhe të menaxhohet në mënyrë që të parandalohen komplikacionet që vijnë si pasojë e kësaj sëmundjeje. Rritja e aksesit për diagnostikim, edukimi për një vetëmenaxhim efektiv si dhe trajtimi i përballueshëm, janë komponentët kryesore të kurimit të diabetit.
Përpjekjet për të parandaluar dhe kuruar diabetin do të jenë të rëndësishme për të përmbushur Objektivin e 3-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm, që ka si target reduktimin me 1/3 e vdekshmërisë së parakohshme nga sëmundjet jo të transmetueshme (sëmundjet kronike) deri në vitin 2030. Shumë sektorë të shoqërisë kanë rolin e tyre për të luajtur në përmbushjen e këtij objektivi duke përfshirë qeverinë, punëdhënësit, arsimtarët, prodhuesit, shoqërinë civile, sektorin privat, median si dhe vetë individët.
Qëllimi i Ditës Botërore të Shëndetit 2016:
Niveli i lartë i parandalimit, fuqizimi i kujdesjes, si dhe përmirësimi i mbikqyrjes
Objektivat kryesorë të fushatës në Ditën Botërore të Shëndetit janë:
Rritja e ndërgjegjësimit lidhur me epideminë e diabetit, barrën e sëmundshmërisë dhe pasojat e saj tronditëse veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Marrja e një sërë veprimesh specifike, efektive, dhe të përballueshme për të trajtuar diabetin. Këtu përfshihen hapat për të parandaluar dhe diagnostikuar diabetin, trajtimi dhe kujdesja për njerëzit që janë me diabet
Lançimi i Raportit të parë Botëror mbi diabetin, i cili do të përshkruajë barrën dhe pasojat e diabetit, si dhe advokimin për një sistem shëndetësor më të fuqishëm për të siguruar përmirësimin e survejancës, rritjen e parandalimit dhe menaxhimin më efektiv të diabetit.